Monday, June 02, 2008

PASHKËT e 2006 NË BREGDET

M. Gjoka (sipas origjinalit ne Tribuna-prill 2006)

“Treqind metra lart në erë si një zog

Është ngritur Qeparoi i pashoq..”

(POPULLORE)

Pashka e sivjetme ishte një festë e bukur dhe në Qeparo. Pas disa qindra kilometrash rrugë makina kaloi qafën e Muzinës morri rrugën për Sarandë përmes pyejeve të gjelbëruara dhe luleve të verdha që padashur më kujtonin epitafjon që mbushnim me lule gjatë viteve të vegjëlisë në kishën e fshatit. Frymëmarja jone u bë e plotë mes nje arome të gjthëanëshme ku konkuronin gjithë lulet e këtij fundprilli. Ecja si i dehur mes kësaj parajse dhe pas pak u shpalos para nesh bregdeti jonë i mahnitshëm. Sa herë i afrohem Himarës pas një ndarjeje të gjatë, ndjej dicka të jashtëzakonëshme. Është malli për gurët e vendlindjes, për spitharët e mushur tani me ujë deti dhe me vonë me kripë, për shkëmbenjtë e mprehët ku gërvishnim këmbët në vegjëli, për trendelinën që mblidhja buzave, për erën e fsakave që lulezonin brigjet, për sythet e njoma të shkarpave që bleronin në bregore … për gjithshka lidhet me emrin Himarën në tërësi dhe perlat e saj si Qeparoi. Prisja me ankth si i vogël që sapo të binte muzgu, të rendja pas xixëllonjave përmes ullishteve të shkretuara.

Përgatitja për pashkë na morri një pjesë të mirë të kohës. E diela erdhi dhe kambana na ftoi për në kishën e restauruar të Shën Dhimitrit, që ishte në manastirin e vjetër të Qeparoit. Ka disa vite tashmë që ky restaurim i realizuar me perkujdesjen e veçantë të hirësisë së tij kryepeshkopit Anastasios i jep nje ngjyrë tërheqëse këtij bregu duke ruajtur identitetin kulturor e fetar të banorëve të kësaj treve. Ishte gjithë fshati, vajzat veshur me rroba te bukura, burrat me kostume dhe kollaro, fëmijët me qirinj të trashë në duar, shumë prej të cilëve ju a kanë dërguar nga Greqia të afërmit e tyre. U përshëndetëm dhe uruam njeri tjetrin “Gëzuar pashkët dhe për shumë vjet”. U mbështeta në muret rrethuese të manastirit hirtësia e gurëve të të cilit dëshmonte vitet shumë të herëshme të ndërtimit të tij që kishte njohur lulëzim rreth viteve 1730 kur një qeparotës që kishte shëbyer në punët kishëtare u kthye prane vatrës së tij dhe hodhi gjithë të ardhurat që kishte për mbarësinë e manastirit. Ndërsa fjalët e priftit herë shqip e herë greqisht mbi Jezunë e Nazaretit derdheshin në turmën e njerëzve, vështrimi im përqafonte me lakmi fushën e gjelbëruar që shtrihej gjer në det. Kisha brenda ishte plot dhe holli githashtu ishte plot dhe ceremonia kishtare ishte afër përfundimit. Diku mes turmës dallova epitafjon. Nuk e kisha parë vite të tjera. Pyeta dhe më thane se ishte blere si dhurate me paratë që kish derguar nga Amerika z. Vangjelo Kaçelani, nëna e Xhorxh Tenetit. Pra provohet dhe njëherë se himarjoti kudo që të ndodhet, rrënjët i ka në Himarë.

Mbasdreke shkova në fshat lart (Qeparo fshat). Sapo ishim bërë gati të ngjisnim të tatëpjetën, na doli përpara një i njohur i cili do shkonte me bensin e tij të vjetër në fshat dhe na ftoi ta bënim bashkë rrugën. Makina po ngjitej me ngadalë drejt malores së fshatit, rruga kishte filluar të ndërtohej me mure mbajtëse që ishin mbaruar nga pjesa e sipërme. Kur të përfundojë ajo rrugë, me siguri që në fshatin tonë të bukur që ka lartesinë e Kullës Eifel, do të vinë dhe shumë turistë të tjerë, veç fshatarëve që i lidh malli për gurët e lëmuar të kalldrëmeve që tani janë rrethuar nga barishte. Buza e burrave, një farë ballkoni natyror në skaj të fshatit, është diçka e rrallë në gjthë bregdetin dhe një kafe aty me impresionon më shumë se të isha në kullën Eifelit të cilën kam pasur rastin ta vizitoj disa herë. Aty lart te maja e kullës, në një dhomë të mbyllur ështe muzeu ku ndodhet Eifeli (në qiri) dhe Edisoni me një telegraf nga ku është provuar për herë të parë kjo shpikje interesante. Ndërsa aty jam mahnitur me gjeninë e mëndjes njerëzore, këtu, në buzën e burrave mahnitem me madhështinë që vetëm natyra di të krijojë. Aty në pikën më të lartë të Kullës Eifel janë shkruar distancat nga kryeqytet e botes. Paris-Tirane -1608 km. Përfytyrimi im që ka në qëndër Qeparoin me sugjestionon një pllakatë të ngjashme të vendosur këtu në buzën e burrave dhe kilometrat që ndajnë emigrantët bregas në Greqi, Itali, Amerike ..apo Argjentinë nga kjo buzë e burrave...

Ndalem tek kisha që ndodhet në oborrin e shkollës. Hap derën e jashtme me hekura të cilen e mbyllin që të mos futen bagëtitë dhe hyj brenda. Majtas shkolla dhe në krye drejtoria, salla e vogël ku ndodhej ora me pendul. Sa herë e mbaja frymën kur arrija me vonesë në shkollë dhe akrepat e mëdhej duket sikur më fshikullonin. Tani aty nuk kishte as derë. Diku në mur dukesh një parrulle e shkruar nga dezinjatori i kooperativës dikur, që ishte prishur nga koha por megjithatë pëmbajtja e saj nuk ishte shuar: “Të punojmë e të jetojmë si në rrethim...”. Diku tek një shtëpi tjetër ishte dhe një parrullë thuajse e shuar nga koha, por askush nuk kishte marrë mundimin ta fshinte krejt. Këto relike janë si nje muze i gjallë i absurditetit të viteve të shkuara. Oborri i shkretë i shkollës dhe kishës është i lulëzuar. Mënet e prera dhe lulet e fresketa si dikur. Kambaneli i lartë rreth 30 metra rri si roje e këtyre trojeve. Muret që rrethojnë shkollën dhe kishën janë lyer me gërqele. Ashtu siç i lyenim dikur. Më dukej se nxënësit e kësaj shkolle ishin diku me tej të reshtuar dhe ndoshta pas pak do derdheshin në oborrin e saj zërat e fëmijëve.. Oh, është një vegim... Oborri vazhdon të jetë i shkretë...

Epitropi dhe pak banorë të fshatit përpiqen ti japin jetë këtij vendi. Kisha e sapo rregulluar më fton të hyj brenda. Nje kishë madhështore, ndoshta me e madhja në zonë e Himarës. Po tu referohemi të dhënave të një gazetari francez të gazetës “Temps”, Rene Puo, Qeparoi në 1913 kishte 1200 banorë. Pra nuk duhet të na çuditin dimensionet e kësaj kishe. Dritaret e kishës të reja. 5 rradhë stolash që kanë mbetur që nga koha që u prish shtëpia e kulturës janë vendosur në këtë kishë madhështore. Sigurisht ende ka pune për të marrë atë formë që kemi parë dikur. Në qeli duken portretet e shënjtoreve të mbetura që nga koha që kjo kishe u bë si vatër kulture në 1968 (në fillim). Në qendër të kishës dy polieleo të mëdha të reja dhe epitafjua me lule. Kurse pjesa që do t’i korrespondonte nje llozhe në teatrot e sotme dhe ku dikur rrinin vajzat e reja të cilat mund të shihnin por të mos shquheshin lehtë nga djelmëria, ishte e hapur. Gdhendjet me ornamente druri të dikurshme nuk është e lehtë për t’i restauruar. Epitropi i kishës Tomo Katiu i ka kushtuar gjithë pasionin e tij prej ndërtuesi për ta reabilituar këtë kishë ashtu siç ka qënë. Biles jo vetem në këtë kishë por edhe në atë të Shën Thanasit, Shën Spiridhonit e gjektë. Diku në mur është varur me një listë me dhuratat që janë bërë për kishën. Dalloj në njërën prej tyre shifrën 50 euro. Epitropi më thotë se dhuruesit e impresionuar nga gjendja e kishës janë të sigurt se parate që hedhin do zenë vend në rregullimin e kishës.

E ndërsa po përgatitesha për rrugën e kthimit në Athinë, imazhet e Qeparoit të 27 Prillit të 2006 po regjistroheshin në kujtesën time dhe uroja me vete gjithë bashkëfshatarët “Gëzuar Pashkët dhe prapë në Qeparo në vitin tjetër”.

Qeparo, Prill 2006

No comments: