Monday, June 02, 2008

GREMISJA E ËNDRËS ME AROMË SHQIPTARE TË ALEKSANDËR DUMËS

Shkruar nga Dr Margarit Gjoka

(Tribuna-2004)

Jeta dhe aktiviteti i Ali Pashait u bë objekt i gjërë studimi sidomos pas botimit të veprës së Pukëvijit (Poukeville) “Voyage dans la Grece“ në 1820. Një numur i madh veprash dokumentare dhe të letrarizuara qarkulluan në Europën perndimore para dhe pas botimit të Pukëvijit, midis të cilave ajo e J. C. Hobbhouse “A journey through Albania and other provinces of Turkkey”, “Memoire sur la vie e la puissance d’Ali pacha visir” nga Thomas Smart Hughes, “Crime celebre”e Felisian Malefij etj.

Ndonse gjatë periudhës kur dolën këto libra për Ali pashën A. Duma nuk ishte duke shkruar ndonjë roman, gjen rastin të përdorë figurën e tij në dy vepra: “Konti i Monte Kristos” dhe “Aventurat e Xhon Davis”. Aleksandër Duma pa dyshim u trondit duke njohur tek figura e Ali Pashës një lloj vegle që ka një mision të verbër, një lloj force që vepron pa e ditur se ku do çojë, kismeti i së cilës punon për llogari të vet. Kështu ndodhi me Jul Qesarin, i cili vërtet pagan (politeist) por përgatiti shtratin e kristjanizmit; Napoleoni ndonse perandor despot, i hapi rrugë lirise së kombeve. Edhe tirani otoman (Aliu) përgatiti pa e ditur, çlirimin e Greqisë, nënës së gjithe qytetërimeve. Ashtu siç ishte parashkruar ajo që solli pavarësinë e Greqisë, ndoshta ishte parashkruar që Ali Pasha të ishte protagonist i një kronike të tërë e cila u botua tek gazeta napolitane “Indipedente” në 1862. Vlerësimi i përmbajtjes së romanit biografik “Ali pasha” është i lidhur me burimet që ai përdori për këtë kronikë biografike. Ndonse autori përmend në këtë kronikë Pukëvijin (Poukeville), Lamartinin dhe lord Bajronin, analiza e këtyre veprave të bën të mendosh se nuk ka qënë ky burimi që përdori A. Duma. Një kërkim i hollësishem i ka çuar studjuesit e A. Dumës në konkluzjon se vepra e Malëfij-it (Mallefille) “Crime celebre” paraqet më shumë ngjashmëri me atë që ka shkruar ai. Një studim i tillë është bërë dhe nga Thodhoro Kacikaqi në doktoratën e tij “Aleksander Duma –ati në Greqi” (Paris, tezë doktorate). Ngjashmëria kryesore qëndron në rradhën e paraqitjes së ngjarjeve dhe në paragrafe që Duma i vë në parantezë dhe që jane nga teksti orgjinal i Malëfijit. Por kjo nuk e pengon mjeshtrin e madh të penës që të vërë vulën e vet letrare. Eshtë për tu shënuar këtu se që të dy autorët përdorin të njëjtën shprehje për prejardhjen e Ali pashës nga Skënderbeu.

Pikërisht në këtë kohë A. Duma merr një letër nga Londra që mban datë 14 tetor 1862, letër e cila e bëri atë të besojë se po e prisnin aventura të reja heroike që do të shkruheshin në histori. Letra mbante një firmë të çuditëshme, A.M princi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kryetar i Aleancës Greko-shqiptare.

Midis të tjerash në të shkruhej: “Aleanca greko-shqiptare beson se mund të bëni për Athinën dhe Konstandinopolin atë që realizuat për Palermon dhe Napolin…Ju që jeni në pararojë të kombeve që po rilindin do te perforconi fuqitë tuaja ditën që do të ngrihet flamuri i luftës vendimtare të kristianizmit kundër Kuranit...Skendërbeu e ka dëshmuar këtë. Me një grusht shqiptarësh ai hero i shekullit të 15 luftoi për 24 vjet duke fituar në njezetë e dy ndeshje me sulltan Muratin. Providenca jo vetëm që shpëtoi pasardhësit e mbretit të fundit kristaian shqiptar, por ruajti të gjallë legjendën e luftërave dhe besimit heroik në gjithë teritorin shqiptar aq sa mjafton një pasardhës i familjes së Skënderbeut të çfaqet në malet e Epirit dhe çdo ushtar shqiptar të braktisë gjysmëhënën dhe të rendë drejt kryengritësit Skenderbe...”

Dhe në fund letra thoshte në mes të tjerash: “Lexim dmth kulturë. Ajo përbën hapin e parë të qytetërimit. Aty është vendi i Aleksandër Dymait, në panteonin e njerëzimit të sotëm….Por misioni juaj a ka përfunduar? Mund të jeni indiferentë ndaj thirrjes së shqiptarëve, ndaj zgjimit të një populli që do të shpëtojë Europën nga perandoria e shumëfuqishme musilmane ? Jo, sado e gjatë të jetë rruga që keni bërë për të ndihmuar këtë progres, do të thoni ashtu si Epaminonda: -nuk kam kohë të vdes”.

Shkrimtari i shquar ndjeu kënaqësi nga komplimentat që i bëheshin dhe thuajse u bind për të realizuar së bashku me princin planet e tij të mëdha. I dërgon një shënim të vogël ku shkruan “bashkohem me synimet e aleancës greko-shqiptare”. Marrësi i letrës ju përgjigj në 30 tetor ku midis të tjerash thuhej: “ Meqë periudha e aktivitetit kryengritës filloi, sot duhen vepra dhe jo fjalë…Vetëm shqiptarët dhe princi i ri i tyre Skënderbeu mund të luftojnë Turqinë pa shkakëtuar trazira në Europë…Ju ngarkojmë me detyrën e udhëheqësit politik të kryengritjes…

Shkrimtari nuk mundi ti rezistojë tundimit për të marrë pjesë në këtë lëvizje për të cilën ai vuri në dispozicion dhe anijen “Ema” e cila ishte përdorur dhe nga lëvizja garibaldiane.

Pra dy letra të princit me datë 14 tetor, 30 tetor dhe kronika historike e Aliut filloi në gazetën “Indipedente më 20 Nëntor. Por dikush mund të pyesë se ç’lidhje ka princi Skenderbej, i cili thoshte se ishte trashëgimtar i heroit Gjergj Kastrioti të shekullit të 15, dhe Ali pashës. Autori e shpjegon kështu: Babai i Aliut u martua me Hankon, vajzën e beut të Konicës që rridhte nga familja e Skënderbeut. Pra biografia kishte si synim të tregonte vazhdimësinë në epoka të ndryshme të së njëjtës familje. Projekti i tij i ardhshëm ishte të shkruante dhe biografinë e Skenderbeut siç dëshmohet nga letra që i dërgon të birit ku i kërkon ti dërgojë historinë e Skënderbeut sipas Camil Paganel-it (letra origjinale ruhet në muzeun e Parisit). Fakti që së pari u botua biografia e Aliut nuk ështe aksidental por lidhet me kapitullin Haideja te “Konti i Monte Kristos”.

Nërsa vazhdonte botimi i kronikës historike të Ali Pashës, leterkëmbimi midis princit dhe A. Dumës nuk u ndërpre. Ndërkaq kronika e Aliut në “Independente” pushoi në 24 dhjetor 1862 si për të thënë se tashmë autori do të merrej me të sotmen, dmth kryengritjen që do fillonte në mars të 1864 në Shqipëri, Thesali, Epir dhe Maqedoni.

A. Duma filloi të intersohej për materialet ushtarake që do të bleheshin për llogari të kryengritjes së ardhme. “Në çdo kryengritje nuk kanë munguar poetët qe janë dalluar dhe si luftëtarë. Bajroni nuk mundi të bëhej dhe luftëtar i kryengritjes Greke për shkak invaliditeti. Po ty ç’të mungon ?” përsëriste Duma me vete përmbajtjen e letrës së princit te ri Gjergj Kastrioti. Edhe kësaj kryengritjeje nuk do ti mungonte poeti luftëtar, Aleksandër Dyma vazhdonte ai me kënaqësi.

Por një ditë marsi të 1862 u gremis ëndra lindore e pushtimit të Shqipërisë, Thesalisë dhe Epirit. Policia napolitane e ftoi për të deponuar dhe njëkohesisht për ti treguar se i ashtuquajturi princi Skëderbe nuk ishte veçse një mashtrues profesionist i cili u zhduk së bashku me arkën e Aleancës duke mashtruar edhe Aleksandër Dumën edhe Garbaldin që kontriboi në këtë arkë.

“Ramë si budallenj në një grackë të madhe- tha A. Duma duke turfulluar e buzëqeshur e njëkohësisht duke arritur të ruajë humorin e tij.

Megjithatë duhet pranuar se shkruesi i letrave i prezantuar si princi i ri Skënderbe, ishte një njohës i madh i situatës dhe zgjedhës turke në zonat e lartpërmendura. Eshtë për tu shënuar erudicioni i tij i plotë rreth të sëmurit të Bosforit dhe kombeve që po përgatiteshin të delnin nga zgjedha shekullore. Pasioni me të cilin shkruhen këto letra të bëjnë të besosh se ndoshta një person i tillë ka ekzistuar. Ndërsa lexoja këto shënime të biografit të A. Duma, Klode Shop (Claude Schopp), dëshëroja të besoja se ai princ vërtet egzistonte dhe zhdukja misteroze e tij mund të qe punë e organeve sekrete të specializuara të cilat nuk ishin të interesuara për të realizuar të tillë kryengritje.

No comments: