Friday, June 27, 2008

NJË RRUGËTIM ARKEOLOGJIK NË KAONINË E LASHTË

sipas Gazeta e Athines (27-12-2004)
Shkruar nga Dr. M. Gjoka
Homeri ishte një mit deri sa arkeologu amator i famshëm Heinrich Shliman gjeti Trojën dhe e ktheu legjendën në një realitet të lashtësisë. Që nga kjo kohë Iliada dhe Odiseu do të përbëjnë një burim të pashtershëm të informacionit mbi atë epokë historike. Në veprën e Homerit përmendet dhe udhëtimi i Odiseut në vendin e quajtur Chimera që konsiderohet emri pararendës i Himarës së sotme. Dhe analogjia e thjeshtë sugjeron që gjersa Troja nuk është më legjendë, ka të ngjarë që përshkrimi i vendeve dhe popujve që ndesh Odiseu në rrugën e kthimit të tij t'i përgjigjet përshkrimeve reale. Duke u nisur nga kjo hipotezë shumë njerëz të letrave (me këtë emërtim të përgjithshëm përfshij jo vetëm historianët por dhe mendimtarë, filosofë dhe studjues të ndryshëm) e konsiderojnë si diçka normale ti referohen Homerit për të mbështetur idetë e tyre. Por nuk mund mos të vëme re se Shlimani nuk gërmoi në gjithë hapesirën gjeografike që përfshijnë poemat e Homerit, gërmime që do të shtonin shkallën e vërtetësisë së të thënave nga Homeri për këto vise. Pasardhës të Shlimanit, kanë gërmuar në një masë relativisht të vogël në zonën e bregdetit Kaonian (dmth himarjot), më i studjuar si vend arkeologjik është Butrinti.
Pikërisht kjo Chimera e lashtë e Homerit ishte objekt i seminarit të dhënë nga arkeologu Jano Koçi në galerinë Qirzidhis në dt. 18.12.2004. Organizatorët as që e kishin menduar se pas një njoftimi në Gazetën Tribuna dhe në Internet që kjo sallë do të ishte e pamjaftueshme për të nxënë intelektualët himarjote dhe dashamirësit e kulturës, emigrantë dhe nga zona të tjera të Shqipërisë, që donin të mësonin për punën e arkeologut Jano Koçi. As shiu i egër e me tramundanë nuk i pengoi ata të vinin në këtë sallë në muret e së cilës gjeje pejsazhe nga Uji i ftohtë, Dhëmiu etj të z. Qirzidhis në galerinë e të cilit kishim bujtë.
Z. J. Koçi e nis bisedën e tij me disa nga shumë vlerësime që kanë bërë njerëz të shquar për Himarjotët. Epitete të tilla si “Luftëtarë të famshëm dhe me vetëbesim të madh”, “Luftëtarë të pamposhtur”, “Puntorë dhe të zgjuar, të penës dhe të dyfekut”, “E bëjnë tokën det dhe detin stere“, “Nuk i nënështrohen asnjë ligji që vepron kundër vullnetit të tyre“ i gjejmë nga autorë të tillë si Thuqididi, Marin Barleti, Isambert, Bajron etj
1. KRONOLOGJI E STUDIMEVE ARKEOLOGJIKE
Referuesi J. Koçi na tërheq së pari pari në një udhëtim në kronologjinë e kërkimeve arkeologjike që shkurtazi po i paraqisim si vijon.
Kaonia-Himara, e banuar dëndur prej mijra vjetësh, është e mbushur me monumente arkeologjike ndaj ka tërhequr vëmendjen e udhëtarëve dhe studjuesve të ndryshëm
Ana Komnena- bija e mbretit te Bizantit (Aleksit), përshkruan rrënoja romake në fshatin Dhërmi.
Në 1805 e viziton krahinën konsulli anglez pranë pashait të Janinës (Ali Pasha), koloneli Martin Lik ( Leake), i cili përshkruan ndërtesa të vjetra (Manastiri i Krorzit) dhe një shpellë në jug lindje të Lukovës, një mbishkrim në fshatin e Himarës dhe shtëpitë kala në fshatrat e fortifikuara të bregdetit.
Konsulli frances pranë pashait të Janinës F. Pukëvij (Pouqueville) mbrin në Palermo në 1906. Ai përshkruan një kështjellë të vogël (Manstiri i shën Kollit ) në gadishullin e vogël dhe një banesë dogane dhe një kishe në anën e bregut, kalanë e Himarës ( Himera) dhe disa monedha antike.
Në fund të shek. XIX Austriaku Karl Patch përshkruan mbishkrimet e Dioskurëve (perëndi mbrojtëse e detarëve) gdhendur mbi faqen shkëmbore në gjirin e Gramatës (Karaborunit)
Arkeologu grek Dhimitris Evangjelidhis viziton për qëllime studimi krahinën, në vitin 1913. Përshkruan muret e kalave antike në Himarë dhe në Borsh, vare të shek. III p.e.s. në Pilur, fragmente steleje me reliev ndeshje amazonash në Piqeras. Mbishkrimin e gdhendur në shkëmb në Kakome ( Nivicë), njofton gjetjen e disa mbishkrimeve në Lukovë.
Në fillim të shek. te 20-të viziton krahinën edhe Llambro Spiru (mjek) me origjinë nga Vunoi i cili përshkruan muret e kalasë së vjetër në Himarë, gjetjen e objekteve arkeologjike të mijëvjeçarit të I-rë p.e.s, dhe një mbishkrim gdhendur në pllakë guri (1x 3m) brenda mureve rrethues kushtuar Apollonit si dhe manastire në Dhërmi dhe Vuno.
Arkeologu i shquar anglez njohësi i thëllë i historisë së Epirit, profesori N. G. Hamond viziton krahinën në vitet 30 të shek. XX, përshkruan kalatë antike në Himarë dhe Sopot (Borsh), vare të kohës helenistike në Pilur, mbishkrimet kushtuar dioskurëve në Gramata (Karaborun), rrënoja të kalasë turke mbi themele bizantine mbi Lukovë
Gërmimet e para arkeologjike bëhen në vitin 1939 në shpellën e Spilesë (Himarë) nga arkeologu italian Domeniko Mustilli i cili provoi se shpella banohej që nga fundi i epokës së neolitit (3000 p.kr.)
Pas luftës së dytë botërore Neritan Ceka përshkruan kalatë antike në Himarë dhe Borsh dhe jep harta topografike të tyre dhe rolin që luajnë në krahinë.
Në vitet 70-te, Dhimosten Budina dhe prof. Hasan Ceka, vizitojnë dhe datojnë kalanë parahistorike pirgut prane Iliasit (Vuno), Dhimosten Budina përshkruan murin antik në qafë e pazarit (Lukovë- Shën Vasil). Në vitin 1984 N.Ceka gërmon një banjë romake të shek. II p. .Kr. në Spile(Varfaj)
Në vitin 2002-2003 gërmimi përbashkët shqiptaro-anglez në shpellën e Spilesë, nën drejtimin e I. Gjipalit, provoi se shpella ishte banuar që në epokën e mezolitit 7000 vjet p.kr, dhe u banua në epokën e Bronxit (XXI-XI) dhe kohën arkaike(VII-VI p.Kr.), etj.
2. GËRMIME SISTEMATIKE ARKEOLOGJIKE NË BREGDET BËRË NË VITET 1970-1990 NGA J. KOÇI.
Pas përmbledhjes së kërkimeve arkeologjike të grupeve dhe individëve të ndryshëm, referuesi J. Koçi na paraqet gërmimet e tij sistematike arkeologjike në bregdetin e Himarës në vitet 1970-1990
Në vitin 1975 bën gërmime në kodrën e Ngurës buzë detit ku sot ndodhet Qeparoi i Ri Zbulohet fortifikimi parahistorik i shekullit XVII para Krishtit (p.Kr) dhe një vend –banim i hapur i antikitetit (sh.IV p.Kr.).
Në vitin 1976 fillojnë gërmimet në qytetin antik (IV-II p.kr.) të Borshit të cilat vazhdojnë në vitet 1977, 1981, 1986, 1989. Zbulon fortifikimin parahistorik ( sh. XIII-XII p.kr.) në majën e kodrës dhe murin i akropolit antik sh.IV p.kr, që ndjek përafërsisht linjën e fortifikimit të mëparshëm. Në faqen jugperndimore të kodrës zbulohet kompleksi i banesave antike brenda murit rrethus të qytetit jashtë, varreza e qytetit antik me një varr monumental me qemer dhe 13 vare të thjeshta përreth, etj.
Në vitin 1984 bëhen kërkimet arkeologjike në kalanë antike të Himarë ku u zbulua fortifikimi parahistorik ( sh. XIII-XII p.kr.) në majë e kodrë dhe u provua se muri antik i shek. IV p.Kr.ndjek përafërsisht linjë e fortifikimit të mëparshë dhe kalaja antike lulëzon në fillim të shek.III p.Kr. Në Kastane u zbuluan vare monumentale dhe te thjeshta të shek. IV p. Kr.
Në vitin 1988 bëhen gërmimet në kodrën e Kukumit në Qeparo ku zbulohet fortifikimi parahistorik i fillimit të epokës së bronxit (shek. 21 p.kr.).
Në gërmimin e vitit 1990 zbulohet një banesë e fortifikuar me blloqe gurë masive të gdhendur, e shek.III p.Kr. në fushën e Borshit dhe një vilë e kohës romake në fushën e Qeparoit.
Që nga viti 1974 fillon gërmimin në kalanë parahistorike (sh.XI p.kr.) në kodrën e Karosit në fshatin Qeparo.
Referuesi ilustron me materiale të dokumentura, fotografi të mureve, gjetjeve arkeologjike duke dëshmuar bindshëm për një kulturë që vjen që nga thellësitë e lashtësisë së zonës së quajtur Kaoni ku kanë jetuar parardhësit e himarjotëve të sotëm. Paraqitja dhe me diaprojektor dëshmon për një punë me të vërtetë kolosale të z. Koçi në këtë trevë me 22 fortifikime të lashtësisë të zbuluara gjer tani .
CILAT JANË DISA MOMENTE KULMINANTE NË PUNËN E ARKEOLOGUT JANO KOÇI
Do të doja ta krahësoja punën e palodhur të z. Jano Koçi me gjigandin Shliman, për faktin se ka hulumtuar pikërisht në një skaj të hapësirës gjeografike të botës homerike dhe pikërisht se muret e kalasë së Himarës konsiderohen pellasgjike. Nga seminari që ndoqëm veçojmë midis të tjerash disa momente impresionuese.
Së pari Plini (shek. I pas Krishtit) flet për një qytet të cilin ai e emërton Meandria, por sot nuk dihet se ku pikërisht ishte i vendosur ky qytet. Z. J. Koçi, si bir i krahinës është njëkohësisht dhe njohës i thellë i territoreve të saj gjeografike dhe kjo i ka mundësuar të bëjë atë që as Hamondi, korifeu anglez për studimin e Epirit, nuk arriti ta bëjë. Dhe z. Koçi është i pari që beson si vendodhje të mundëshme të Meandrisë së Plinit Haradhrën ose Sopotin e mesjetës. Akropoli antik i Meandrisë ka siperfaqe 2 ha. Mbi bazën e tij u formua qyteti i mirëfilltë me mure të stilit të qyteteve greke.
Kumtimi i dytë i rëndësishëm në këte seminar lidhet me kërkimet bibliografike që përmendin Himarën. Per herë të parë në mëyrë dokumentare e gjejmë në mbishkrimet e Theorodokëve të Delfit të datuar në vitin 168 p.Kr. (Theorodokët ishin përfaqësues të shenjtë të krahinave që shpinin dhurata ose mernin pjesë në ceremonitë në tempullin Fat-thënës të Delfit). Ky njoftim është i panjohur nga burimet e historiografisë shqiptare dhe nuk përmendet as nga botimet e shumta arkeologjike greke.
Se treti eksperienca që fitoi z. J. Koçi në studimin e objekteve prehistorike në zonën e Kaonisë bëri të mundur që ai të japë kontributin e tij për zbulimin e një e një vendbanimi prehistorik të lashtë 3000 deri 5000 vjet, domethenë e kulturës paraelladike (paragreke) në kodrën e Zaganit në aerodromin e Athinës. Z. Koçi referoi për këtë zbulim dhe në universitetin e Athinës. Ky studim vuri në dilemë mosprishjen e kodrës së Zaganit e cila ishte parashikuar të sheshohej për shkak të pengesës së sinjaleve të fluturimeve ajrore dhe Këshilli Arkeologjik e kishte dhënë tashmë aprovimin për sheshimin e kodrës. Gjithë ky aktivitet pati jehonë dhe debate të mëdha nga shtypi grek (1997). Gjetjet arkeologjike të kodrës së sheshuar u vendos të trasportoheshin gjektë dhe ishte Gjykata e Lartë që e quajti normal vendimin e Ministrisë së Kulturës, duke u mbyllur përfundimisht debati siç njoftohet në gazetën “Ta Nea” të d.t 14-6-1997.
As që e kuptuam se arkeologu J.Koçi kishte më se një orë që po fliste. U larguam nga galeria me dëshirën për të dëgjuar edhe më për historinë mijëvjeçare të trevës së Kaonisë.

No comments: