Friday, June 27, 2008

Duke shfletuar kronikën e “Telebluse” të Vasil Qesarit

Tribuna-14-02-2005

DITËT E GJATA TË SHKURTIT
Duke shfletuar kronikën e “Telebluse” të Vasil Qesarit
Sa tituj librash me kronika kemi lexuar ! “ Kronike e Luigjit të gjashtëmbëdhjetë - e Merimesë, “10 ditë që tronditën botën - e Xhon Rid, “Rreth botës për 80 ditë” dhe “Pese jave ne ballon » e Zhyl Vernit, “Kronikë e kohës” e Stefan Waking apo “Kronike ne gur” e I. Kadarese si dhe mijëra kronika të tjera. Një pjese e tyre ecën labirinteve te fshehtave pasionante njerezore, nje pjese dukurive shkencore kozmike e tokesore, nje pjese tronditjeve shoqërore. Në kategorinë e fundit do të përfshinim dy librat e Vasil Qesarit botuar kohët e fundit. I pari mban titullin “44 ditët e Teleblusë” që është vërtet kronikë e drejtpërdrejtë. Kurse i dyti titullohet “Postskriptum per komunizmin” e është nje lloj “kronike” e veçantë e komunizmit në Shqipëri ashtu si e percepton autori me kamerën e tij meditive. Ndokush mund të thote se është nje lloj piskanalize kronike e terrorit psiqik dhe fizik ndaj embrioneve të disidencës në Shqipërinë moniste.
Si telekronist i RTSH gjatë periudhës së monizmit, V. Qesari ka qenë në kontakt me ingranazhet ideologjike të përpunimit shpirtëror. I trusnuar përherë për nje paraqitje standarte ideologjike të kronikave televizive, V. Qesari ëndëron për një televizion privat ku të transemtonte realisht jetën ashtu siç e sheh kamera, pa lustra ideologjike. Dhe rasti i vjen në dorë në 1997 kur një bisnesmen dëshëron të investojë paratë e tij në sektorin televiziv të pushtetit të katërt dhe bie dakord me Vasilin për ti dhënë jetë këtij televizioni. I futet pra kësaj aventure të madhe për të realizuar atë që ai e quan ëndër e pa aritëshme.Udhëton për në Itali dhe pas kontakteve me specialistët e kësaj fushe, në saje të njohjeve që kishte mundur të siguronte gjatë punës së tij si telekronist, e ve në rrugë të mbarë këtë inisiativë. Djemtë e Himarës gjithmonë kanë qënë flamurtarë të progresit ! Dikur Neço Muko incizonte pllakat e para të gramofonit në Shqipëri, tani V. Qesari realizon televizionin e parë privat në Shqipëri. Çasti i shumëpritur i inagurimit erdhi.
RAGAZZI, TELEBLU STA ANDANDO IN ONDA
(Djem, telebluja po transmenton në erë)
Me këto fjalë tekniku italian i montimit të Teleblusë sinjalizon fillimin e trasmentimeve të këtij kanali. Ja si e përshkruan vetë V. Qesari momentin e parë të fillimit të transmetimit të stacionit te ri televiziv në 16 Jenar 1997:
“Të gjithë sa qemë të pranishëm mbajtën frymën dhe ndalëm të ngrirë mbi ekran shikimet. Brenda një të dhjetës e sekondës sinjali elektromagnetic kaloi nga studjoja drejt parabolës së dhënësit e që andej drejt marrësit të Kuzbabasë, e pastaj nëpërmjet antenës së trasmentuesit u shpërnda në eter në distanca prej dhjetra kilometrash. Ishte diçka magjike dhe njëkohësiaht prekëse të përfytyroje se si sinjali me imazhin e “Teleblusë” endej e lodronte nëpër shtresat e ajrit, mbi kodrat me ullinj dhe brigjet e shkumëzuara të detit”. V. Qesari i percepton valët në mënyrë poetike si një sinjal që lodron përmbi Vlorë së bashku me imazhin e teleblusë që mbart, ndonse valët veç përhapen në forme sferike deri në pafundësi duke humbur energjinë me zmadhimin e distancës nga pasqyra parabolike e Kuzbabasë. Ajo që qëndron pezull mbi Vlore është muza e Teleblusë. “Këndo o muze mërinë e Akilit, birit të Peleut” perifrazon Kadareja Homerin në përshkrimin e ngjarjeve të konferencës së Moskës në 1960 që çoi në “mëvetësinë” e Shqipërisë nga pjesa tjetër e planetit. Ashtu dhe muza e Teleblusë po përgatitej të këndonte ditët tragjike të Vlorës së fillimvitit 97. “Une isha
vetem me të vërtetën, me të drejtën, me lirinë dhe pavarësinë e informacionit- thotë z. Qesari për boshtin që do ketë ky kanali televiziv.
I VETEMI INSTITUCION INFORMUES I VLORËS - TELEBLUJA
Nje re dallandyshesh kobzeza po mbulonte qytetin e Vlores që priste shkrepëtimat verbuese për të shpërthyer rrebeshi plot gjëmë e llahtari. Dhe ato shkrepetima nuk vonuan të vinin. Firmat piramidale ose të ashtuquajturat “dallandyshet e kapitalizmit në Shqipëri” nga lideret e pushtetit të saj kohe po shembeshin me gjëmime. Demostrat për kërkimin e kthimit të parave që filluan me falimentimin e Sudes dhe Xhaferit ishin një miniature e asaj që do të ndodhte në Vlorë me shembjen e Gjallicës. Dhe grupi i xhirimit i Telebluse i ndoqi hap pas hapi demostrat e Vlores që nisën paqësore por mendësia shterpe qeveritare zgjodhi rrugen e shtypjes së tyre por duke realizuar pikërisht të kundërtën. Ndërsa televizoni shtetëror ishte i bërë i urryer për dezinformimin shembëllor që do ta kishte zili dhe televizioni i viteteve 80, Telebluja mblidhte rreth ekranit te vogël gjithë Vlorën. Dhe jo vetëm Vlorën por gjithë globin. Dita e grevave të përgjakëshme kur populli do të konfrontohej me policinë e shtetit të vet ishte filmuar në mënyrë rrënqethëse dhe tronditëse. ...
Duke shfletuar faqet e ketij libri të duket se rijeton ato ditë të ankthëshme. Televizioni shqiptar trasmenton pamje nga lëndinat e alpeve me gjelbërim kurse Telebluja dhe gjithe kanalet e botës tregojnë përgjakjen e Vlorës. Pjetër Arbnori, ky shkrimtar i së “vërtetës” në intervistën që jep në televizionin shtetëror i quan demostratat e Vlores si shëtitje masive të popullit nga Sheshi i Flamurit në Skelë. “Dita e 9 shkurtit ishte ndoshta dita me gjate e jetës sime-thote z. Qesari për ditën e përgjakjes. Gazetarët e Associaed Press trasmentojnë me celular, kurse Euro News blen kasetën me regjistrimet e Teleblusë dhe trasmenton direkt në rubrikën “No comment”, nga ku patëm mundësi dhe ne emigrantet të ndjekim këto skena. Ishin të pranishme BBC, Zëri i Amerikës, “Antena” greke e shoqëruar nga Stavri Marku, “Eleftherotipia” me Kleo Latin, “Mega” greke “Rojter”, “Indipendent Television”, “News” etj. Por së shpejti Telebluja do të kishte ekluzivitetin për ngjarjet që sa vinin e mernin një formë tragjike. Demostruesit i besonin vetëm atij kanali. Valët e tij shpesh arrin gjer në Itali dhe vetëm Telebluja nuk kishte frike nga demostratat...
VLORA E “PAVARUR” DHE TERORIZIMI I VLORËS
Përshkallëzimi i makinës shtypëse të regjimit të 97 solli përshkallëzimin me ritme eksponenciale të protestës së vlonjatëve. Kryetari i bashkisë, që nga studjua e Teleblusë, i bën thirrje popullit vlonjat të pushoje grevat duke e ftuar atë për një zgjidhje paqësore të konfliktit. E pikërisht e nesërmja e gjen Vlorën të rrethuar nga makina të blinduara dhe ShIK-u. Një ndër problemet kryesore të SHIK-ut ishte e vërteta që përhapte “Telebluja”, stafi i së cilës dhe vetë Vasili u vunë në shënjestër. Ishte etapa e këcenimeve dhe terrorit shtetëror. Vritet Artur Rustemi nga snajperat e policisë.Varrimi madhëhtor i tij ishte paralajmërimi se Vlora nuk do ti dorezohej “larusheve’” që flisnin serbisht dhe shikasve. Autori në këtë libër, krahas aktivitetit të Teleblusë, ndalet në analizën e ngjarjeve politike vërtet me kursim, por dhe me informacion të mjaftueshëm duke shpjeguar shkaqet sociale që sollen këto ngjarje. Greva e studentëve dhe tryeza e rrumbullakët e intelektualeve në studjon e Teleblusë ishte një moment kulminant kur forcat progresive kërkojne një zgjidhje racionale të
situatës dhe Telebluja luan rolin e saj në pasqyrimin dhe stimulimin e arsyes. Autori në vijim demaskon politikën e braktisjes së shtetit ndaj Vlorës duke e lënë atë në mëshirë të fatit. Ishte nata e 28 shkurtit që paralajmëronte një epoke të re në Vlorë. Përleshja e fundit frontale midis SHIK-ut dhe popullit vlonjat ishte dita e 44 dhe e fundit e Teleblusë.. Tani do të flase dicka makabre, krimi, tmeri armët, bandat dhe violenca e rrugës- thotë z. Qesari me dëshpërim. Nuk është rastësi që Vlora u la pa polici. Tani do të lahen hesapet me të gjithë, përfshirë dhe ata që “inspiruan” revoltën Vlonjate, sidomos me Teleblunë, vazhdon autori narativën e tij me fraza të shkurtëra por me peshë emocionale ashtu si dhe Hemigueji tek “Plaku dhe deti”.
Vasili i kërcënuar dhe i goditur nga rrugaçët e paguar, kontakton me disa amasada të huaja dhe u bën prezent kërcënimin real të tij dhe gazetarëve në përgjithësi. Ato i sugjerojnë të largohet nga Shqipëria. Edhe me pare, për goditjen që ju bë Vasil Qesarit nga shikasit ishte Stavri Marku që kishte protestuar në emër të gazetarëve të pavarur të Vlores. Por në Shqiperi gazetarët kërcënuar edhe në kohë më “paqeje”! Edhe Edi Rama në 1991 dhe mjaft gazetarë në vitet në vazhdim dhe bile edhe deputetë u dhunuan nga njerëzit me pardesy të bardhë të presidentit të asaj kohe. Gazeta Koha jonë disa muaj pas heshtjes së Teleblusë do të digjej ashtu si libri i Nikolla Kopernikut në mesjetë dhe Bibloteka e Aleksandrisë akoma më herët. (është pikerisht ajo gazete qe sot e shpall z. Berisha si njeriun e vitit 2004-paradokset shqiptare te shekullit 21 !). Pra parfundimisht autori i librit detyrohet të marrë rrugët e arratisë. Ashtu si dikur Anest Qesari, oficeri fanolist nga Qeparoi.
EPILOG
Duke lexuar njoftimet tip shashke që ndeshim ne disa gazeta shqiptare si “së shpejti do ndahen paratë mbas shitjeve të aseteve të Gjalicës” që janë më të dëndura në çdo prag zgjedhjesh, nuk mund të mos drithërohemi kur mendojmë se ata që dogjën gazeta dhe televizione, ata që dhunuan lirinë e fjalës dhe vranë shpresën për kthim të mijëra emigrantëve, qofshin në pushtet apo opozitë, tani na shesin “projekte të së ardhmes”. Për sa kohë që muza e Teleblusë, liria e informacionit të së vërtetës, do ngelet e kryqëzuar ashtu si Krishti, do të jetë e largët dita e projekteve të së ardhmes.

No comments: