Friday, June 27, 2008

EPIGRAFI I NJË POETI - Vilara apo Psalidha ?



“Ali Pasha është përbindëshi më romantik që ka parë historia, një nga tmerret më të përkryera që ka lindur natyra”[1]

Shënime kritike nga M. Gjoka (botuar ne Gazeta e Athines-dhjetor 2004)Text Box:    Vendi bosh i pllakatës së grabitur           mbi portën e kalasë

Ali Pashai, ky emër kaq i përfolur, diplomat e agresiv, luan e gjarpër i rrezikshëm, apo siç i thotë
me përkëdheli Godo “Ariu i Pindit”, ka lënë gjurmët e veta edhe në Himarë. Kalaja e Porto Palermos është një tregues i gjallë i madhështisë së tij të dikurshme që u përpoq t’ju a impononte dhe himarjotëve. Për ta bërë më të plotë këtë imponim urdhëroi që në portat e Kalasë të vendosej një epigraf i gdhendur në një pllakë guri që u rezistoi viteve gjer në vitet 1990 kur një dorë tinzare e hoqi nga vendi këtë mbishkrim që ka vlera historike.
Ky mbishkrim nuk ka k
aluar pa u vënë re nga hulumtues të ndryshëm të historisë. Ndër botimet e para përmendim atë të artikullit të Papa-Pano Petridhit në 1899 [2], mandej nga Jani Vllahojani [3] në 1908, ku jepet dhe një variant tjetër i kësaj vjershe i botuar në gazetën “Nea efimeridha” me autor Gr. Burnias dhe tek autorë të tjerë që i referohen atij [4]. Teksti është shkruar në greqishten popullore (dhimotiko) dhe jo në atë të pastër (katharevusa). Por për herë të parë e gjejmë në shqip në librin e S. Rushës [5] (autori i këtij libri nuk i referohet ndonjë burimi tjetër veç shënimeve të mësuesit të tij). Siç thotë autori, i cili na e paraqet tekstin edhe në greqisht me gërma latine, përkthimi është bërë nga mësuesi i tij J. Pali dhe përfshirja e poemës në librin e tij i bën nder si autorit ashtu dhe mësuesit të tij. Një përkthim të kësaj poezie e gjejmë dhe në librin “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve“, të autorit Aristidh Kola dhe të përkthyer nga A. Agora [6].
Në të vërtetë përkthimi i këtij epigrafi nuk është diçka e thjeshtë. Dikush e krahëson punën e përkthyesit me atë të Prok
rustit, që sipas nje legjende greke “mysafirët” e tij i vinte në një krevat dhe u thyente këmbët nëse delnin tej krevatit, ose i tendoste në se ishin më të shkurtëra. Shtrati i Prokrustit do të përbënte shtratin e dijeve të përkthyesit i cili do të mund të coptojë pjesët e tepërta të orgjinalit... Mjafton të themi se origjinali i saj është shkruar nga Jani Vilarai. Autorësia e kësaj poezie nga Jani Vilarai, mbështetet dhe nga Aristidh Kola, por kundërshtohet nga Haxhiantoniu, i cili i referohet librit të Llambro Spiro “Himara” që konsideron si autor iluministin tjetër që ishte i mirëpritur në oborrin e Aliut, Psalidhën. Ai konsideron se shkrimi dhe ndërtimi i kalasë përkon me një periudhë që Vilara nuk ndodhej në Janinë (1814-1817).
Kush ishte Jan Vilarai ? Një figurë e shquar epirote e neoiluminizmit grek lindur me 1771 në Qithira në familjen e një mjeku dhe rritur në Janinë [7]. Kreu studimet e veta në Padova dhe
Venedik në Itali për mjekësi, botanikë, dhe shkenca të tjera natyrore me përkushtim duke u bërë njëkohësisht njohës i thellë i shkencave mathmatikë-fizikë. Shkruante dhe fliste në
frengjisht, italisht dhe latinisht veç greqishtes. Aty u njoh dhe përqafoi idetë e revolucionit francez, që e bëri atë të dyshimtë në qarqet policore, biles i kushtoi dhe burg. Me pushtimin e Italisë nga Napoleoni, Vilarai shpëtoi nga ndjekjet policore. Në 1803 u kthye në Janinë ku ju kushtua shërbimit shëndetësor të popullit dhe fama e tij e madhe bëri që edhe Ali pashai të konsultohej te Vilarai për probleme shëndetësore. U bë pjestar aktiv i shoqatës “Filiqi eteria”, një nga organizmat e rëndësishme për fillimin e revolucionit grek të 1821. Ali Pasha, ky tiran me përmasa mitike, kishte dhe një cilësi të veçantë. Ai joshi pranë vetes figura të shquara intelektuale. Nuk është e rastit që dhe Psalidha, nje figurë tjetër epirotase e neoiluminizmit grek, Vangjel Zapa, bamirësi i shquar kombëtar (grek) etj, si dhe Lord Bajroni, u gjendën pranë oborrit të Aliut.
Dhe ja Jani Vilara gjen rastin të shkruajë një epigraf, krejt në gjuhën popullore, në kundërshtim me tendencën e qarqeve të larta intelektuale të cilat vazhdonin dhe mbronin idenë se shkrimtarët duhen të shkruajnë në gjuhën greke katharevusa. A ishte
Jan Vilara nje lajkatar i tiranit të Tepelenës? Ashtu siç e njohin Vilaranë, edhe Kordati (historian i shquar grek) thekson se Jani nuk ishte një tip i tillë. Jani ishte një njeri konçiz dhe shprehës i mendimeve të veta me saktësinë qe jep matematika. Eshtë e famëshme shprehja e tij “Mos makaronizoni (apo grini sallatë) kur shkruani dhe flisni-Mi makaronizete otan grafete kai milate”. Do të duheshin rreth 150 vjet të tjera për të kuptuar rëndësinë vitale të ideve të Jan Vilarait për gjuhën greke. Ndoshta është i vetmi poet i asaj kohe që i thurr lavde Ali Pashës, po të përjashtojmë këtu një tip poeme epike “Alipashadha” e Haxhi Shehretit e shkruar sipas stilit “Eneida” të Virgjilit,.
Jani Vilarai përmendet dhe për një fletore shënimesh gramatikore greqisht-shqip të vitit 1801 për t'i mësuar greqisht shqiptarëve të cilët ishin të pranishëm në pashallëkun e Janinës me titull Elemente të gramatikës greqisht-shqip dhe dialogje (1801) [8]. Gjuhën shqipe ai e shkroi me një alfabet origjinal prej 30 gërmash në bazë të latinishtes dhe të greqishtes. Dorëshkrimi ruhet në Bibliotekën Kombëtare
të Parisit (supplément grec 251, f. 138-187). Në fund të shënimeve gjëndet edhe një letër në gjuhën shqipe e shkruar me këtë alfabet nga Villarai vetë në fshatin Vokopolë më 30 tetor 1801, siç datohet sipas disa burimeve (Jup Kastrati dhe ndonjë tjetër), datë për të cilën rezervohemi ta pranojmë duke qenë se në këtë periudhë J. Vilara ishte për studime në Itali.
Autori tjetër i mundshëm është Psalidha (1767-1829), mësuesi i famshëm kombëtar i protagonistëve të revolucionit të 1821, poeti dhe mendimtari i shquar epirot dhe njëkohësisht, ashtu si Jani Vilara, partizan i përdorimit të gjuhës popullore greke (dhimotiko). Dhe një version tjetër nuk ja jep autorësinë e këtij ditirambi për Aliun as Vilara-it dhe as Psalidhës.
Niveli i lartë artistik i vargjeve orgjinale të shkruara me një gjuhë të kuptueshme, natyrisht kuptohet në origjinal, por edhe një përkthim i mirë mund të flasë për vlerat artistike të orgjinalit. Duke karahësuar dy përkthimet e vargjeve të paraqitura në librin e S. Rushës dhe librin e përkthyer të A. Kolës, mund të themi se përkthimi i parë, i cili ka qëndruar në sirtar për më shumë se 60-70 vjet, është më afër stilit të Jani Vilarait duke ja dhënë lexuesit të sotëm me një rimim melodioz ashtu si orgjinal. Përkthyesi, për të arritur një gjë të tillë i duhet të rikrijojë duke e paraqitur atë në vargje 16 rrokshe dhe në ndonjë rast duke ndryshyuar paksa atë që do të shprehë autori. Stili i përdorur në përkthim dallohet nga vendosja e mbiemrave përpara emrave, e cila ndërsa në greqisht është normë gjuhësore, në shqip përdoret për të rritur vlerat artistike. Por përdorimi si normë gjuhësore në shqip do t’ja zbehte vlerat duke e rënduar tigëllimin vokal, ashtu si përkthimet nga poezia ruse në vitet 60 ku përdorej i njëjti stil. Kështu vargu “Jam e fitores një trofe ...” nuk tingëllon natyrshëm.
Vlen të theksohet se ka disa ndryshime midis tekstit që na paraqet S. Rrusha të kopjuar nga mësuesi i tij dhe origjinali të botuar në librat historikë të lartpermendur. Kështu ndërsa vargu i parë në orgjinal greqisht thotë “shtrëngoni ploret o detarë”, (sfihte tis plores thalasoporoi) teksti i paraqitur nga S. Rrusha thotë “ktheni ploret o detarë (Stripste tis plores..). Dhe më poshte teksti në origjinal greqisht vazhdon “Thallasa mes sto Panormo, thimos anemoy mbainei-detit të Panormës futet zemërimi i erërave”. I njëjti varg nga S. Rrusha paraqitet “Stin thallasa toy Panorma thimos anemou vjenei-këtu në Panormë zhurma e erës është fikë”. Kuptimi i dy vargjeve sipas origjinalit është rruajtur i trasmetuar me gjuhën poetike të përkthyesit.
Ndonjë detaj është i pasaktë dhe ndoshta i detyrohet faktit që mësuesi e ka kopjuar atë direkt nga pllaka e gurit dhe ka ndeshur gërma të fshira pjesërisht nga errozioni kohor, mungesa që i ka plotësuar me hamëndje. Bëhet fjalë për vargun “stratigos asingritos - gjeneral i pakrahësueshëm” të cilën mësuesi e ka konsideruar “stratigos asirios-gjeneral asirian”. Dallojmë nje detaj të përbashkët me vargjet e Bajronit:
“φυλλο προς άφιλους, και προς τους φίλους φίλο”, shkruan Vilara për nuset himarjote (armike për armiqtë, mike për miqtë,–me një përkthim të lirë)
“Himarjotët që s’falin as mikun
E si mund ta lenë te gjallë armikun”
shkruan Bajroni per himarjotët [9].
Vargu: “zili ma pat Faethoni dhe Pirrua nakar” i japin Aliut permasa mitike. Është i famshëm në mitologjinë greke karakteri legjendar i Faethonit i cili do t’ja kishte zili Ali Pashës famën që mori ky i fundit. Sipas legjendës Faethoni ishte djali i perëndisë Helios (Diell). Kur arriti në një farë moshe dhe mësoi se i ati i tij ishte një nga zotat e fuqishëm u nis për të kerkuar të jatin dhe më së
fundi e gjeti pallatin e tij ku konstatoi me një krenari të çmendur fuqinë e të atit. I kërkoi të atit ti plotësojë një dëshirë të cilën ai nga agonia e takimit me të birin i premtoi t’ja plotësonte pa dëgjuar se çfarë kërkonte. Djaloshi dëshëronte të ngiste karrocën e perëndisë Helios në qiell ! Heliosi e kuptoi marrëzinë që bëri por nuk mund ta merrte fjalën mbrapsht. Faethoni pa e bërë fjalën dy kërceu në karrocë dhe morri rrugën por shumë shpejt e kuptoi se nuk mund të përmbante kuajt e Heliosit të cilët në vrapin e çmendur në qiell merrnin me vete çdo gjë që gjenin përpara dhe kur ju afruan tokës, ajo morri flakë. Shumë shpejt Zeusi e kuptoi se ishte nje situatë e rrezikëshme për të cilën ishte përgjegjës Faethoni. Djaloshi i ri u vra menjëherë dhe trupi i tij u hodh në lumin Eridanus.
Pra poeti iluminist J. Vilara (apo Psalidha) mjeshtër dhe ithtar i përdorimit të gjuhës popullore të folur, e krahëson famën e Ali-pashës me atë të Faethonit mitologjik si të parashikonte se disa vite më vonë edhe Aliu do të kishte të njëjtin fat. Në pjesën e dytë të vargut të më sipërm e vazhdon hymnizimin e Aliut ku Pirrua do ta kishte zili po ta shihte këtë kala madhështore. Dhe së fundi karakterizimi i këtij heroi si bir i Athinasë dhe i ushqyer me instiktet luftarake të Arit (Marsit) shpreh faktin që Ali pasha i takon jo vetëm historisë shqiptare por edhe greke, siç pranohet nga mjaft historianë
Kurse përkthimi i dhënë në librin e A. Kolës nga A. Agora, botuar në shqip dy vjet më pas librit të parë, është përkthim fjalë për fjalë duke rezultuar në vargje të lira që është mjaft larg orgjinalitetit të autorit. Por, siç dihet tashmë, poezitë mund të shqipërohen, por jo të përkthehen. Përkthimet e Shekpirit nga Noli, të Pushkinit e Lermontovit nga Kadare dhe autorë të tjerë e dëshmojnë më së miri këtë veçori.
Epigrafi në greqisht sipas referencave 2,3 dhe 4
“Σφίχτε τις πλώρες άφοβα, θαλασσοπόροι ξένοι
Θάλασσα µεσ’ στο Πάνορµο, θυµός ανέµου µπαίνει,
Είναι της νίκης τρόπαιον, αστραποβόλον κάστρο,
νιφάδες χειµαρριώτισες, τ’ ανέστισαν µε ζήλο.
¶φυλλο προς άφιλους, και προς τους φίλους φίλο.
Μ’ εγνώρισε ο Φαέθοντας, µ’ είχε παλιουθ ο Πύρρος,
Αλής ο πρώτος µε κρατεί, Τεπελενιώτης ηρώς.
Αυθέντης πληρεξούσιος στης Ήπειρος τα µέρη,
Και σ.τρατηγός ασύγκριτος, µε το σπαθί στο χέρι,
Πέντε µυριάδες στράτευµα κρατεί στον ορισµό του
άγρυπνα πάντα κι άφοβα, ενάντια στον εχθρό του.
Στα Γιάννινα αναπαύεται, τ’ ανδρείο λεοντάρι,
της Αθηνάς το γέννηµα, τ’ ανάθρεµµα του ¶ρη”
Përkthimi i epigrafit paraqitur nga S. Rusha
Ktheni ploret o detarë, hyni në liman pa frikë,
Këtu në Panormë zhurma e stuhive është fikë
Dhe mua që më shihni në qiell të caj rretë
Jam e fitores një trofe kështjelle që shkrep rrufetë
Nuset e Himariotëve më ngritën me kujdes
Armike për armiqtë, për miqtë besnike për besë!
zili ma pat Faethoni dhe Pirrua nakar
I Tepelenës më sundoi hero Aliu i parë.
I plotfuqishem është zot në të Epirit vende
Dhe gjeneral Asirian me shpatë dhe me mënde
Plot pesedhjete mijëra nën urdhëra ka ushtarë
Pa frikë dhe me plot guxim armiqve ju bën ballë.
Tash në Janinë prehet Luani i pa frikë
Prej Athinasë lindur dhe prej Marsit rritë.
Literatura
1. Nga gazeta fraceze “Journal des Debats”, 7/04/1822, Paris.
2. Papa-Pano Petridhi, Revista periodike Elenismos, 1899, f. 497 ; S. Arvantinos, “Istoria tou Ali pasa tou Tepeleni”, Athinai, 1895, f. 436-437
3. Jani Vllahojani,, “Ta propilia” , 1908, f. 219
4. K. Haxhiantoniu, “Himara”, Athine, 2000, f.76
5. S. Rusha “Himara në stuhitë e shekujve”, Tirane 2000, faqe 38
6. A. Kola, Arvanitasit dhe prejardhja e Grekeve , Tirane 2002, f. 432.
7. Llambro Mallama, Njëzetepesë Epirotë, luftetarë shpirtërorë, f. 135.
8. Titos P., Giochalas, “Stoiheia helleno-albanikes grammatikes kai helleno-albanikoi dialogoi” Vepër e pabotuar e Jani Vilara; Filologiki ekdosi apo ton autografo kodika tis Ethnikis Bibliothikis ton Parision-(supplément grec 251), f. 138-187. Institute for Balkan Studies, (Selanik 1985) 317 f.
JUP KASTRATI ttp://www.shirazi.org.al/kastrati.htm
9. Bajron, Çajld Harold.

No comments: