Friday, June 27, 2008

KADAREJA MES ËNDËRIMEVE DJALOSHARE DHE MAKTHIT TË PALLATIT TË ËNDËRAVE

(ne foto Kadareja duke dhene autografe ne Athine-2007)

Dr. Margarit Gjoka

e-mail: himara_12000@yahoo.gr

Sipas origjinalit ne Tribuna, date 31-10-2008 dhe 7-11-2008 (ilustrimi fotgrafik i artikullit ne gazete u be nga gazeta)

KADAREJA MES ËNDËRIMEVE DJALOSHARE DHE MAKTHIT TË PALLATIT TË ËNDËRAVE

Dr. Margarit Gjoka

e-mail: himara_12000@yahoo.gr

Tetori i çdo viti në botë përjetohet si muaji i çmimeve Nobël dhe që prej rreth një dekade me interes të veçantë edhe nga bota shqiptare dhe ballkanike meqë një shkrimtar i kësaj treve, Ismail Kadare, ka qënë në pritje të telefonatës magjike për akordimin e këtij çmimi. Edhe këtë vit telefonata e pritur mungoi, por ndërkaq nuk munguan diskutimet dhe parashikimet si në arenën shqiptare dhe atë botërore. Një numur konstant kundërshtarësh të zellshëm rishpalosën argumentat e tyre kundër Kadaresë dhe një numur akoma më i madh lexuesish që rritet me progresion gjeometrik mendojnë se Kadareja e meriton një trofe të tillë.

Nga treva shqiptare, konstant në konfliktin anti-Kadare, gjejmë Rrexhep Qosen i cili, gati një muaj para “Stinës së Nobelave”, gjatë një interviste në panairin e librit në Ulqin, i mëshoi edhe një herë tezës së tij “Kadareja-mit i komunizmit” duke ricikluar në format të shkurtër librin e tij “Të vërtetat e vonuara” dhe bile duke e bërë përgjegjës atë për “mos njohjen e Kosovës” nga vendet e Lidhjes Arabe ku ka aderuar Shqipëria!!! Krejt ndryshe e vlerëson John Carey, kryetari i jurisë që i akordoi Kadaresë çmimin Man Booker International për letërsinë në 2005, i cili në përshëndetejen e dhënies së çmimit theksoi se “Kadareja është mbrojtës i kulturës dhe historisë shqiptare”

Kurse në arenën e jashtme gjejmë një artikull “review” nga Barry Baldwin (shfaqur në internet në 26/09/2008) [1], profesor në Universitetin e Calgary-it, në Canada me 12 libra të botuara dhe rreth 600 artikuj për historinë dhe letërsinë e Greqisë, Romës, Bizantit dhe Shqipërisë. Në artikullin e fundit ai evidenton të gjithë kritikën që ka filluar ndaj Kadaresë që pas 1990 kur kërkoi strehim politik në Francë e gjer më sot.

Artikulli nuk është shkruar me stil të pa anshëm, përkundrazi qëmtimi i “argumentave” ndaj tij nga autorë të tjerë nuk përbën aspak kritikë letrare dhe e rendit atë në lobin anti-Kadare”. “Kadareja-thotë që në fillim Baldwin – ka një avantazh artificial sepse është përkthyer në anglisht, fat të cilin nuk e kanë pasur një sërë shkrimtarësh të tjerë si Dritëro Agolli, Neshat tozaj, Teodor Laçi, Nasi Lera, Dhimitër Shuteriqi etj. Pra Baldwin me fjalë të tjera na thotë se po qe se gjendet përkthyesi i këtyre autorëve, atëherë letërsia shqiptare do ketë shumë Kadare, thënie që as ai vetë nuk i beson. Por ndërkaq edhe përkthimet nga David Bello në anglisht të Kadaresë nga varianti i tyre frengjisht Baldwin i quan pakuptim “ashtu si të lash rrobat në ujin ku dikush tjetër i ka larë ato njëherë (citim ky i huazuar nga një letër që Blendi Kraja i dërgon David Bellos). Edhe vetë Bello pranon se fillimisht nguroi dhe u përpoq të gjente një përkthyes profesionist të shqipes në anglisht por nuk mundi. Dhe përkthimet direkt nga shqipja në anglisht të realizuara në Shqipëri ai i konsideron të sakta por me një gjuhë të vjetëruar dhe gati të leshtë (drunjtë në tekst) [2]. Ndërkaq përkthimet në frengjisht të Jusuf Vrionit ishin më shumë se profesionale, thotë më tej David Bello, prandaj u angazhua në këtë mision tërheqës. Në të vërtetë megjithë se kjo eksperiencë e ripërkthimit është e njohur në botë, kritika qëndron dhe Peter Morgan jep fragmente të pasakta të perkthimit anglez nga versioni francez i Jusuf Vrionit [3].

Por përgjithësisht, megjithë alterimin e mundshëm të orgjinalit nga dy përkthime radhazi Kadare ka magjepsur edhe botën aglishtfolëse dhe më gjërë me romanet e tij ndonse shumë mendojnë se Kadare është më shumë një fenomen i botës frankofone. Pra aq më bindëse do jetë kjo magjepsje nga përkthimi në anglisht i origjinalit shqip të këtyre romaneve.

Sipërmarja për demitizimin e Kaderesë nga Baldwin ka tre boshte: a) vlerësimi negativ i veprës letrare të Kadaresë b) evidentimi i Kadaresë si kontradiktor në situata politike komplekse dhe politikan c) etiketimi i Kadaresë si shkrimtar oborri dhe konjuktural.

1. Evidencë e defekteve letrare të Kadarese në literaturën e huaj

Një nga hallkat e para të zinxhirit të kritikës ndaj Kadaresë e cituar nga Baldwin është ajo e Sakvar Altinel (1990) [4] i cili e quan kronikë në gur si “dicka të zakonëshme, pa peripeci dhe novacion”

Citimi i dytë lidhet me një artikull të Imogen Foster [5] ku analizohet “Pallati i ëndrave”. Ja fragmenti i sjellur nga Baldwin: “Siç ndodh rëndomtë me Kadare, i përgjithshëm, pa përmbajtje, karakteret si fantazma, narrativë e lirë sterile dhe e parashikueshme”, dhe Baldwin, si “njohës i gjuhës shqipe” siç prezantohet vetë, është i po këtij mendimi [1].

Dhe për ta bërë bindëse këtë rëndomtësi të “artit të Kadaresë” ai sjell një shembull nga “Koncerti në fund të dimrit” ku ideja e fabrikimit të “njeriut të ri” Lej Fenit, konsiderohet një imitacion i romanit të Orwellit “1984”. “Lej Feni” nuk është gjë tjetër veçse “Komrad Ogilvie”, një krijesë e personazhit Winston Smith sipas Imogen Foster [5-] dhe Julian Duplain [6] . Baldwin shkon më tej duke akuzuar Kadarenë për plagjiaturë ndërsa gjen një frazë të personazhit Smith (libri i botuar në 1949) identike me një frazë në librin e Kadaresë. Por një gjykim i tillë që gjen një frazë të njëjtë në mijëra fraza dhe akuzon për plagjiaturë, statistikisht nuk është bindëse. Për më tepër kemi nga njëra anë Orwell-in i cili që me fantazinë e tij ironizon sistemet totalitare si ai i BS pa qënë vëzhgues konkret i sistemit, ndërsa Kadare si banor i këtij sistemi të huazuar na bie drejtpërdrejt mbresat e tij. Pra në njëfarë mënyre do të mund të akuzoheshin për plagjiaturë ata që kopjuan sistemin sovieto-kinez, por jo dhe ata që përshkruajnë ngjarje reale nga brenda këtij sistemi. Modeli i Lej Fenit në Shqipëri me të ashtuquajturat shtabe revolucionare në 1967 ishte real dhe jo një figurë imagjinare. Sektorët e propagandës në parti dhe organizat e masave (apo “ministria e mendimit” e Orvellit) ishin diçka mëse reale në Shqipëri. Bile letërsia kineze, që përfaqësohej nga një poemë e “timonierit” Mao Ce Dunit e krijuar gjatë Marshimit të Madh u fut në program të degës gjuhë letërsi në universitet në një tremujor [7-]. Por ndërkaq copa shabllone të sistemit Orwellian i gjen edhe në sisteme demokratike dhe siç shprehet një guvernator i Miçiganit, nqs do të vazhdojë televizori të transmetojë sipas modelit të tanishëm, e ardhmja e jonë është të përfundojmë në debilë.

Sita e hollë e Baldwin nga tërësia e artikujve studimorë të Robert Elsie ka gjetur një fragment që lidhet me një antologji të poezisë greke në Shqipëri ku në poezinë e Kavafit “Barbarët” është hequr një rresht i cili tjetërson kuptimin e poezisë së Kavafit. [“Po tani çdo të bëjmë ne pa barbarë? Këta njerëz ishin një farë zgjidhjeje”-pjesa e dyte e vargut është hequr]. Baldwinit nuk i shkon në mendje që kjo të jetë rezultat i fshesës së redaktorëve. Baldwin që kritikon përkthimin në anglisht të veprave të përkthyera njëherë në frengjisht të Kadaresë nuk arrin të kuptojë se Kadare e ka përkthyer poezinë nga rusishtja e cila nga ana e saj është përkther nga greqishtja (Kadare nuk di greqisht) dhe mund gjatë këtij tejpërkthimi të ketë ndodhur ky “shkurtim”.

Përsëritje të tezave për plagjiaturë gjejmë edhe në shtypin zvicerian. Ja si shprehet autori i një artikulli : “Le t'i hedhim edhe një sy tekstit të 1978: Një urë me harqe e osmanëve si simbol për konfliktin midis lindjes dhe perëndimit, midis traditës dhe kohëve moderne, një vepër arkitekturore në Ballkan, që është ndërtuar mbi viktima njerëzore…Lënda tek "Ura" është thuajse një huazim. Ajo është përpunuar gjatë luftës botërore. Libri, i publikuar më 1945, titullohej "Ura mbi Drin". Autori i saj ishte Ivo Andrić nga Bosnja, i cili, me këtë libër, në vitin 1961 mori Çmimin Nobel. Edhe ideja e "Pallatit të Endrrave" duket e huazuar. Në qoftë se ndokush do përpiqej të kishte në dorë dorëshkrimin e plotë, atëherë do t'i dukej se po dilte nga biblioteka e Borgesit. Ose, akoma më shumë se kaq, nga dhomat e "Procesit" të Kafkës [8-].

Më i apasionuari dhe i pajisur me një mani anti-Kadare në arenën e jashtme, po të veçojmë Kaplan Resulin që e quan Kadarenë Zhdanov të letërsisë shqipe, është Stephen Schwartz, i cili po e bën veten të njohur në historinë e kritikës duke përfolur Kadarenë. Schwartz ka studjuar Sufizmin që në vitet 60, sot drejton Qendrën për Pluralizmin Islamik në SHBA dhe qysh prej 1997 ka aderuar në shkollën Hanafi të Islamit. E konsideron veten expert për Ballkanin dhe një libër i tij “Dy fytyrat e Islamit” është përkthyer edhe në Shqipëri. Duke refuzuar të njohë realitetin shqiptar të viteve të monizmit, sonda e tij e kërkimeve lë jashtë vëmendjes ato vepra që i dhanë famë ndërkombëtare Kadaresë ose i kalon ato tagencialisht dhe merr në mënyrë selektive shkrime që të mund të bëhet bindës në fajësimin e tij. Shkrimet e tij janë së pari dy artikuj në Buletinin Katolik Shqiptar në 1993-94 dhe për publikun e gjerë me artikullin "Ismail Kadare's Prize Fight," në revistën The Weekly Standard në 1997 [9] dhe së fundi një studim në revistën Contemporary Poetry Review [10] rreth poezisë moderne në ish Jugosllavi dhe Shqipëri pa përmendur shkrimet e herë pas herëshme ku lëshon thirrjen “Mos i jepni Nobelin një çiraku partie” (që çuditërisht rezonon me një letër të një ambasori shqiptar në Suedi i cili kërkoi të njëjtën gjë). Në studimin e fundit për poezinë shqiptare Schwartz analizon me disa rrjeshta poemën “Pse mendohen këto male” duke e quajtur atë si poemë antireligjioze. Sonda e tij e vlerësimit të Kadaresë i ngjan asaj të një jashtë tokësori që pasi eksploron një vullkan në shpërthim arrin në përfundim se në Globin Tokësor nuk ka jetë të arsyeshme.

Përgjithësisht artikujt me ngarkesë negative nuk janë artikuj të mirëfilltë të gjinisë së kritikës letrare dhe siç shprehet Malcolm në një letër debatuse ndaj Schwartz “të qënit ekspert për Bosnjën nuk i jep doemos statusin e expertit për letërsinë shqipe” [11]. Malcolm, autori i një kritike letrare të “Pallatit të ëndërave” në 1997, që i kundërvihet Schwartz-it dhe Kapllan Resulit nuk u mirëprit nga vetë Kadareja. Ky i fundit në një letër tek New York Review Book në 1998 [12] shpreh pakënaqësinë e tij rreth kritikës, por Malcolm në të njëjtin numur të revistës me përgjigjen e tij e konsideron atë letër një keqkuptim të madh dhe qëndrim armiqësor të pajustifikueshëm në kundërshtim e frymën me të cilën shkruhet kritika.

Përgjithësish kritika letrare e vlerëson Kadarenë si një nga romancierët modernë dhe më të njohur të sotëm dhe madje çmimi i akorduar në 2005 është rezultati logjik i vlerësimit të Kadaresë por në të njëjtën kohë i ngriti stekën e “aksioneve” anti-Kadare. Duke ju kundërvënë kritikuesve të Kadaresë që e vlerësojnë atë si bashkëpuntor të sistemit, juria u përgjegj se ne mund t’i japim çmim edhe Sadam Huseinit (autor i disa librave të shfaqura nën emrin e tij) në se plotësohen kriteret letrare.

Një numur i konsiderueshëm tezash dokorature janë shkruar gjithashtu për Kadarenë nga studjues të universiteteve të ndryshme, por shikimi i tyre do të kërkonte një studim të veçantë.

2. Kadare dhe politika

Shumë herë harrohet se Kadare ishte simboli me të cilin studentët kërkonin ndryshime të sitemit të monizmit në Shqipëri. Ishte fotografia e Kadaresë ajo që e lidhte rininë studentore me perëndimin dhe pluralizmin. Kadareja, ndonse ka preferuar të mos marrë përsipër ndonjë post politik ka qenë dhe është prezent në politikën shqiptare të pas 90-ës duke shprehur mendimin e tij thuajse për të gjithë situatat që po kalon Shqipëria dhe duke bërë njëkohësisht armiq të rinj si rezultat i kritikës së pamëshirëshme që ai ushtron ndaj aktorëve politikë.

Por ka ngelur e diskutueshme “arratisja” e tij në Paris që, ndërsa pritej nga qarqet intelektuale rreth viteve 80-89, ndoshta nuk do të ishte e nevojëshme për Kadarenë më vonë. Edhe këtu Baldwin sjell komentin e tij. Për këtë ai nxjerr nga arkivi “thëniet kontradiktore” të Kadare deklaruar në intervistat e dhëna David Binter [13] ku Kadare e vlerëson rolin e Ramiz Alisë të cilin e quan “ si një njeri me të cilin mund të flasësh dhe të mbash një dialog” ndërsa disa muaj më vonë në një intervistë tjetër dhënë Robin Smith [14] e justifikon fluturimin e tij ne Paris(largimin) duke thënë se “Ramizi kishte filluar të tërhiqej nga premtimet e tij për reforma demokratike ndërkaq Ramizi lejoi pluralizmin partiak dhe reforma të tjera pa pasur ndihmën e Kadaresë së ndodhur në emigracion.

3. Letërsia si produkt i rrethanave historike

Një numur i madh gazetarësh dhe studjues historikë apo letrarë i kushtojnë vëmendje të veçantë pozicionit të Kadaresë si shkrimtar në sistemin monist.

Ka prej tyre që qënien e Kadaresë në Kuvendin popullor dhe në kryesinë e Frontit demokratik e marrin si provë të mirëqënë të bashkefajësisë së tij në këtë sistem dhe Kadarenë e quajnë agjitator të komunizmit. Sigurisht kjo është mjaft larg të vërtetës.

a) Aparenca e sistemit dhe perceptimi i tij

Në paragrafin vijues nuk synohet të përshkruhet historia e realizmit socialist në Shqipëri por një resume me cilësinë e të dëshmitarit të asaj epoke (po huazoj këtu një frazë të Gazmend Kapllanit në fjalën e mirseardhjes së Kadaresë në Greqi në Janar të 2007) ndoshta ndihmon në kuptimin e disa gjërave. Realiteti shqiptar i atëherëshm është i vështirë të perceptohet edhe nga homologë socialistë të vendeve lindore si znj. Dumitrascu (artikulli saj u botua edhe nga gazeta “Java” në 2007) [15] e aq më pak nga Baldwin me shokë të viseve të perëndimit dhe historianë si James Pettifer dhe Miranda Wicker [16] që në mënyrë mjaft të thjeshtëzuar arrijnë në konkluzione të pasakta rreth Kadaresë. Artikulli i Dumitrascu-t i publikuar së pari në blogun www.mobylives.com ishte një reagim emocional pas kritikës së Kadaresë ndaj atyre që pretendonin se nuk mund të shkruanin për shkak të represionit socialist. Kadare ishte prononcuar se “e drejta për të folur për atë periudhe (socialiste) u takon atyre që bënë diçka dhe jo ata që heshtën dhe tani gjykojnë me nostalgji retrospektive (nga fjala e Kadare pronocuar me marrjen e çmimit në 2005) [17].

Dumitrascu kujton se Kadare mori bursë për në Moskë për shkak të besnikërisë ndaj regjimit, një gjë aspak e vërtetë. Kadare ishte një nga mijëra të rinj që njësoj dëshëronin të studjonin në BS dhe ishin në të njëjtin raport “besnikërie” me sistemin, dhe rinia shkollore i kish më të fuqishme këto raporte. Politika shqiptare arsimore e viteve 55-60 vërtet nuk ishte kaq e mbyllur sa në vitet që vijuan më pas dhe këtë e dëshmon se studimet e larta i mbaruan shumë syresh që më vonë rezultuan se ishin me “politikë në biografi” dhe tani janë ambasodorë “demokratikë” e kryetarë partish. Kurse për të shkuar jashtë shtetit nuk duhej të bëje pjesë në listën e ashtuquajturve të deklasuar politikë. Dhe padyshim familja e Kadare nuk ka qenë e “deklasuar”. Posti i nënkryetarit të Frontit Demokratik ishte një post nderi dhe jo i pagueshëm dhe e vetëmja drekë që mund të hante Kadare ishte ajo që hanin gjithë delegatët kur bëhej ndonjë kongres. Ishte utopi të gjeje organizata puntorësh apo masash të tipit Les Valesa në Shqipëri. Nuk do kishte rëndësi argumentet bajate të Dumitrascu-t por fatkeqësisht persona të tillë merren si etalone të besueshëm nga autorë perndimorë se “vijnë” nga sistemi socialist duke rritur artifiacialisht peshën e fjalëve të tyre. Mjafton të kuptojmë se Dimitrascu u lejua në 1985 nga regjimi i Causheskut të shkojë pranë babait të saj të arratisur në Amerikë. Në Shqipëri një kërkesë e tillë largimi e vajzës së një të arratisuri do sillte me siguri largim por në internim aty ku dërgoheshin fëmijët e kësaj katigorie.

Pikë së pari sistemi socialist ishte mbështetur në një model, atë sovjetik, dhe aplikimi në Shqipëri nuk i ngjan aspak një filmi bardhë e zi siç mund ta kuptojë ndokush. As ndërtuesit e këtij sistemi, puntorë e inteligjencë, nuk kanë pasur një konceptim standard si në 1950, 1970 apo 1990 por një koncept të evolueshëm në kohë. P. sh. nobelisti Günter Grass që konsiderohet dhe si ndërgjegja gjermane e 50 viteve të fundit, në autobiografinë e tij të botuar rishtaz i zbulon për herë të parë publikut që në moshën 17 vjeçare ishte regjistruar në organizatën naziste SS [18]. Gjithashtu Milan Kundera kur ishte i ri ka denoncuar një person që kishte hyrë në Çekosllovak, i cili, si pasojë e këtij denocimi, ka bërë vite të tëra burgu. Por fakti që më pas është bërë denoncues i regjimit, siç shprehet dhe F. Lubonja [19] tregon se njeriu nuk është e njëjta gjë që në krye deri në fund të jetës. Konkluzionet që e evidentojnë karakterin orvellian të sistemit socialist si sistem totalitar që kontrollon turmat nëpërmjet propagandës, survejimit të qytetarëve dhe rishkrimit të historisë me produkt final një personalitet të nënështruar ndaj partisë dhe diktatorit janë retrospektive, dmth u bënë të kapëshme nga masa e njerezve pasi ra sistemi.

Aplikimi i modelit sovjetik solli ndryshime rrënjësore në jetën ekonomike dhe kulturore të Shqipërisë e cila edhe me to ishte mjaft mbrapa vendeve të ish bllokut socialist. Një popullsi me mentalitet gati mesjetar dhe marrëdhënie klanore sidomos në veri, me marrëdhenie çifligare pronësie në zonat fushore, me sistem mbretërie, thuajse pa asnjë eksperiencë parlametare, u gjend para një iluzioni të ndryshimit të jetës së tij dhe në fakt kjo jetë ndryshoi. Kadareja i lindur në 1936 ishte vetëm 17 vjeç kur shkroi poezinë e tij për Stalinin dhe çdokush që lindi në Shqipëri më vonë (duke përjashtuar shtresën e pasur të goditur si dhe “armiqtë” e radhës, por numerikisht shumë më e vogël se shtresat e tjera) e përjetoi me entusiazëm fillimin e transformimit ekonomik të Shqipërisë. Fshatari u çlirua nga pesha e çifligarit, një rrjet i madh shkollash dhe kursesh kundër analfabetizmit mbuluan gjithë vendin. Një numur i madh studentësh u dërguan në vendet e demokracisë lindore ku ata gjetën një zhvillim ekonomik të pakrahësueshëm me Shqipërinë. U hap Instituti i pedagogjik në Tiranë dhe mandej Universiteti. Inkubatori i shkollave shqiptare sigurisht nuk mund të prodhonte disidentë. Sistemi u kujdes që të kultivojë një rini shkollore sipas një modeli së cilës nga njëra anë do ti injektohej me kujdes dhe gradualitet bindja se socalizmi ishte e ardhmja e botës, pa shtypje dhe shfrytëzim ku njeriu kishte gjithë mundësitë për tu zhvilluar dhe nga ana tjëtër kësaj rinie do ti jepej stafeta.... Kësaj rinie do ti servirej kultura botërore që nga antikiteti grek e deri në shfaqjen e komunizmit me të gjitha rrymat letrare ndërkaq zhvillimet europiane të shekullit 20 e sidomos ato pas luftës së dytë botërore do ti jepeshin me një prizëm optik të përmbysur dhe cenzurë të përherëshme duke pamundësuar kontaktin me botën perndimore deri në 1961 dhe mandej edhe me pjesën e mbetur të botës. Megjithatë në Shqipërinë e izoluar u përkthyen autorë si Tolstoi, Drajzeri, Gi De Mopasan, Shiler, Remark, Burns, Dikens dhe shumë të tjerë nga ajka e letërsisë botërore dhe me gjithë ndalimin mandej te qarkullimit të librave për disa prej tyre ato libra qarkullonin dorë më dorë.

Për ta bërë izolimin të plotë u arrit ti bindin njerëzit që të hiqnin dorë “vullnetarisht” nga pakot që u dërgonin nga jashtë. Vetëm një numër minimal studentësh në shkencat e natyrës studjuan jashtë, kryesisht në Francë dhe ata nuk përbënë asnjëherë masën kritike të një embrioni për shikimin e realitetit shqiptar ndryshe. Pra vendin kryesor e zuri sistemi edukativ nëpërmjet një makine gjigande (shkolla, gazeta, libri, radjua, televizori, organizatat shoqërore etj). Thelbi i kësaj makine ishte të krijonte gjenerata të bindura që nga ngjarje të përditëshme të prodhonin heronj si Adem Reka, Shkurte Pal Vata, Fuat Cela etj deri dhe huajtur heronj që nga Garda e Re e Fadajevit deri tek Lej Feni i revolucionit kinez. Ata do të ishin shëmbull që vija e ndjekur nga sistemi politik të Shqipërisë ishte e drejtë dhe nuk u desh shumë mundim për ta çuar rininë shqiptare në aksione për ndërtimin e hekurudhave hapjen e tokave të reja dhe gjektë, ta çojë inteligjencën e sapodalë nga bangat e shkollave deri në këndin më të largët të republikës për të realizuar transformimet ekonomike-shoqërore dhe hapur shkolla deri në zonat më të largëta. Të gjitha sakrificat pranoheshin me stoicizëm nga masat duke menduar se do të vinte një e nesërme më e mirë. Izolimi, bunkerizimi dhe magjepsja kolektive nga fjalimet e E. Hoxhes ishin në themelet e paranojës shqiptare. E ndërsa në Francë psh De Golit gjatë aktivitetit të tij presidencial (1958-1969) i bëhen atentate të vazhdueshme (gjithsej 35 të tilla), E. Hoxhës i thurnin lavde dhe këngë dhe ju desh vetë atij të fabrikojë atentatorët e rradhës. Sistemi në një farë mënyre ishte tashmë i pranuar nga masat dhe shkrimtarët që u lindën dhe u prodhuan nga ky realitet me vetëdije u rreshtuan përkah këtij zhvillimi që u përjetua si progres dhe jo regres e madje u përjetua me një farë romantizmi në fazën e parë të ndërtimit të socializmit.

b. Ana e errët e medaljes dhe manteli shtrëngues ndaj inteligjencës

Makina gjigande e sistemit asnjëherë nuk nxirte në shesh të palarat e vet, asnjëherë nuk u godit ndokush pa një përgatitje paraprake të opinonit dhe me vetëdeklarimin se “pranonte që ishte armik i partisë dhe i popullit”. Sekretarë partie çoheshin në koperativa bujqësore apo miniera si kryetarë e drejtorë, mandej, pasi aty u hiqnin spaletat duke i bërë thjesht puntorë, rruga e burgut dhe internimit ishte e hapur për ta. Asnjëherë këta njerëz të rrëzuar nga froni nuk gëzuan simpatinë e masës ku u dërguan. Tani linçimi psikologjik i tyre ishte spontan dhe vepër e njerëzve që i rrethonin. Makina gjigante që rregullonte ecurinë e sistemit kishte mekanizmat e errëta të cilat i mësonin vetëm ata që e pësonin dhe i paraqiteshin me popullit me optikë të tillë që të besohej se dënimi i atyre njerëzve bëhej për të mirën e atdheut. Njerëzit që punonin e jetonin faktikisht të izoluar brenda kufijve të Shqipërisë, pra i përkisnin rrethit të parë të ferrit dantesk do të thoshte Solzhenisty po ta përshkruante atë, kishin përfytyrim të trubullt për rrethin e shtatë të ferrit, dmth burgjet e Burrelit, Qafë-barit e gjektë. Asnjëherë nuk u bë e mundur një lidhje publike midis “rrethit të parë” dhe “të shtatë” dmth midis opinionit publik dhe revoltave të të burgosurve politikë egzistenca e të cilëve as që dihej nga shumica e njerëzve. Asnjë njoftim zyrtar dhe jo zyrtar, asnjë trakt, asgjë e shkruar rreth tyre! Bile dhe sot e kësaj dite, ndryshe nga vendet e tjera ish-socialiste, vazhdohen të mbahen të mbyllura dosjet që kanë regjistruar anët e errëta të sistemit. Mekanizmi i luftës së klasave (në fakt kundër kundërshtarëve potencialë) ishte motori i kësaj makine. Ata pak që pasi panë skëterën e burgjeve si atë të Burrelit e mundën të largohen në perëndim nuk arritën të shpalosin ndonjë talent aq të madh sa të tërhiqnin vëmëndjen e opinionit botëror ose ndoshta nuk përbënin model sikurse ngjau me Solzhenitsyn, meqë vinin nga një vend mikroskopik të vetë izoluar. Arshi Pipa apo Martin Canaj, ndonse botuan jashtë vendit, nuk arritën të krijojnë të tilla vepra që të jehonin tej kufijve të botës shqiptare (Shqipëri, Ish Jugoslavi dhe diasporë). Agllaia Zoto, një himarjote që arriti në qarqe të larta të pushtetit pati një rast fatlum, pas peripecive me regjimin e Zhizhkovit në Bullgari (ku ishte martuar), gjendet në Francë në fillim të viteve 70 dhe i paraqitet shtepisë botuese Fayard për të publikuar eksperiencen e saj. Në 5 librat që botoi ajo në Paris i rezistoi tundimit të ofruar nga botuesi për të denoncuar sistemin socialist lindor që mund ta vinte atë krahas “Gulag Archipelago” të Solzhenitsyn. Megjithë peripecitë pafund edhe internimin në Shqipëri në vitet 80 pas kthimit vullnetar nga Franca, ajo kurrë nuk mundi të shkeputej nga idealet komuniste siç na rrëfen në librin e saj të botuar në Athinë (1996) “Duke ndjekur një ëndër të parealizueshme”. Në vitet 70 ajo e shihte defektin jo tek sistemi por tek klikat sunduese [20].

E megjithatë zhvillimi i një inteligjence në Shqipëri përmbante në të njëjtën kohë dhe premisat e një disidence. Intelektualët ishin ata që do të mund të vinin në dyshim inisiativat revolucionare të njëpasnjëshme dhe të konstatonin se ishin shndëruar në dera nga magjistarja Circe. Prandaj politika e kujdesëshme e sistemit ishte mbajtja e kësaj shtrese “lehtësisht të prekëshme nga ideologjia borgjeze” nën kontroll me kulaç e me kërbaç duke futur në gjithë hallkat e sistemit shkollor marksizmin shqiptar dhe mandej format e edukimit, ruajtjen në Partinë e Punës të një raporti me përqindje të vogël inteligjence (pra përqindje të vogël oponence) dhe qarkullimet e herë pas herëshme të kuadrit nga qytetet në zonat ende të pazhvilluara fshatare ose pak të zhvilluara urbane, krijimi i zboreve ushtarake dhe “civile” me punë vullnetare të dielave duke ndërtuar një mekanizëm frike dhe shtrëngimi të inteligjencës që do t’ja hiqte dëshirën gjithkujt të mendonte të bëhej qoftë edhe kripto-disident. Ky mekanizëm frike kishte disa kulminacione si plenumi i 1964 për letërsinë dhe artët dhe plenumi famëkeq i 1974 që zakonisht rezultonte me “prerje kokash” (pa diskutuar këtu procesin tragji-komik të “krijimit të armiqve në ushtri dhe ekonomi që përgjithësisht synonte të fajësoheshin bashkëpuntorët e “njëshit” për ecurinë e keqe të ekonomisë sidomos mbas 1970). Edhe Ismail Kadare ka qëne objekt i qarkullimit dhe darës shtrënguese shumë herë siç mund të informohemi nga “Dosja Kadare” [21]. Zgjedhja në parlament as për Kadarenë dhe as për ndonjë tjetër nuk ishte rezultat i një fushate elektorale ku kandidatët shpallnin pikëpamjet e tyre por një ritual komik për konsum të jashtëm. Rruga në hierarkinë e sistemit socialist ishte në një kah (drejtim) ku çdokush ishte i detyruar të vepronte sipas normave të cilat shprehnin një ideologji të caktuar, atë të sistemit dhe veçanërisht pozicioni i çdo intelektuali në arsim, kulturë, letërsi dhe artet ishte ligjërisht i lidhur me realizmin socialist. Pak a shumë ishte ai i një ingranazhi që ose bëhet pjesë e makinës propagandistike ose flaket tej si i pavlefshëm. Çdo njeri që do të mendonte të ecte një hap në senc të kundërt, me këtë mënyrë kishte hapur varrin e tij me duart e veta.

c) Solzhenicin dhe Kadare si produkt intelektual i një epoke të caktuar

Kadare ishte vetëm 22 vjeç kur shkoi në Moskë dhe ishte, mendoj unë, po aq i devotshëm për ti shërbyer sistemit socialist sa dhe mijëra studentë të tjerë edhe të paktën për 30 vitet në vazhdim siç e dëshmon dhe vetë në një nga kujtimet e veta për kontaktet me E. Hoxhën në 1961. Por Kadareja kishte dhe një shanc tjetër, ai përjetoi kongresin e 20 të partisë komunistë të Bashkimit Sovjetik që hapi rrugën për një liberalizim dhe shtet post-totalitarizëm, i cili u shtri dhe u tkur në vitet në vazhdim por kurrë nuk u shua. Pa këtë liberalizim (apo revizionim siç quhej me terma shqiptare) nuk do te kishte as Pasternak, as Saharov e as Sollzhenicin. Sollzhenicin merr kurajë pas fjalës së Tvardoskit në kongresin e 22 të Partisë Komuniste të BS në 1961 dhe i dërgon për botim “Një ditë në jetën e Ivan Denisovic”. Romani botohet në revistën “Novij Mir” në 1962 ku ishte editor vetë Aleksander Tvardoski me aprovimin e drejtpërdrejtë të Nikita Hrushov i cili e mbrojti në Byronë politike me sentecën e famëshme: Brenda secilit prej jush ka një Stalin, bile edhe brenda meje ka një Stalin. Ne duhet ta çrrënjosim këtë të keqe”. Deri në 1963 u botuan edhe tre novela të tjera të tij dhe autori studjohej në programet mësimore të shkollës. Këto novela ishin të fundit që u botuan në BS deri në 1990.

Sollzhenicin tentoi të merte aprovimin për “Rrethin e parë” (First Circle) por lidhja e shkrimtarëve nuk e aprovoi botimin e librit megjithë entusiazmin që shkakëtoi tek një pjesë e antarëve të saj. Hrushovi kishte rënë nga fuqia në 1964. Sollzhenicin u vu në listën non-person, dmth me privim të drejtash (nuk kishte drejtë të botonte), por asnjeherë nuk u pushua nga puna si mësues matematike. Lëvizja disidente në BS merr përmasa të mëdha me botimin e revistës Chronicle dhe krijimin e Shoqatës së Helsinkit në Moskë në 1970 nga Saharov e më tej në gjithë BS nga Bukovskii, Orlov dhe Shcharanskii. Lëvizja disidente dhe Shoqatat e Helsinkit u mbështetën gjërësisht nga literatura e quajtur samizdat, dmth botime të paligjëshme, kopjime dorëshkrimesh kundra regjimit dhe letërsi disidente e refuzuar nga botimet legale, ku fillimet e saj që i takojnë periudhes staliniane të paraluftës [Philip Boobbyer, Conscience under Khrushchev, Series of Russian and Est Europian Studies]. Pas vitit 1975 u larguan me lejen e qeverisë sovjetike rreth 500.000 refugjatë, kryesisht çifutë dhe të krishterë evagjelistë e katolikë që u vendosën në ShBA, rreth një milionë të tjerë çifutë emigruan në Izrael.

Pikërisht plejada e studentëve shqiptarë në Rusi dhe demokracitë e tjera lindore do të mund të ishte avangarda liberale e një disidente të mundëshme ne Shqipëri. Por prishja me BS e cila nuk u bë aspak për parime por ishte pragmatizmi i klikës sunduese në Shqipëri për të ruajtur pushtetin të pa prekur nga ndryshimet liberale që ofronte modeli i ri i zhvillimit të pas kongresit të 20, duke frenuar dhe detyruar inteligjencën e shkolluar në demokracitë popullore të mendonte për egzistencën fizike personale dhe jo për disidencë. Ndërsa dënohet kulti i indivit në 1956 në BS, në Shqipëri dështon tentativa e grupit, le ta quajmë pro-Hrushov, për dënimin e kultit të individit, personat që patën guximin të kërkojnë aplikimin kongresit të 20-të u përjashtuan nga partia si armiq duke pasur dhe konseguenca te tjera. Në 1960 kalvari u mbyll me dënimin e Liri Belishovës duke ruajtur përfundimisht karakterin stalinist të drejtimit të shtetit. Siç thotë Kadare në një intervistë dhënë një gazetari rus pas 90-ës kjo “u përjetua me dhëmbje nga studentët shqiptarë në Moskë”. Reprazaljet dhe pasojat e kësaj kohe ishin të pashëmbëllta. Kurse kufiri shqiptar rrethohet me klon me tela me gjemba duke bërë thuajse të pamundur arratisjen nga Shqipëria. Shënohet ndërkaq në 1973 një arratisje spektakolare për kohën nga familja Malo nga Himara.

Kadare pra lexon Doktor Zhivagon sapo doli në qarkullim nëpërmjet rrjetit samizdat. Siç na informon tek “Fundi i Perëndive të Stepës” ai e gjeti dorëshkrimin e Doktor Zhivagos në një nga sirtaret e dhomave të konviktit ku banonte dhe sigurisht ka “gjetur” edhe herë të tjera letërsi të ndaluar (Kujtojmë se Novij Mir e refuzoi botimin e Doktor Zhivagos në 1956, por ai u botua në 1957 në Itali rusisht e italisht e në 1958 në anglisht, në të njëjtin vit merr çmimin Nobël)). Kadareja boton në Rusi një libër me poezi që u quajt jashtë termave te realizmit socialist. Kadare shkruan një libër në dorëshkrim “Qyteti pa reklama” 30 faqe të së cilës u botuan në një gazetë në 1962 dhe mandej romani u quajt i padenjë për tu botuar (Interviste e Kadaresë dhenë Tirthankar Chanda) [22]. Shënojmë se autori tek Qyteti pa reklama ironizon prirjen për të “fabrikuar” dokumente që vërtetojnë lashtësinë e historisë dhe falsifikuesit emërohen në qendra kërkimore në Tiranë pa ditur se në të ardhmen e tij letrare do të kërkonte edhe ai thesaret e trashëgimisë kulturore shqiptare të fshehura nga koha. Lexuesit mundën ta shohin vetëm pas 1990, por narrativa e të shkruarit jashtë realizmit socialist të romanit do ishte e mjaftueshme për të mbytur talentin Kadare që në embrion. Por kurrë në Shqipëri nuk u realizua ndonjëherë periudha e artë hrushoviane që i dha mundësi Solzhenicinit të njihej (duke u përdorur nga Hrushovi për të mbështetur destalinizimin e shoqërisë sovjetike). Kurrë nuk u krijua gjithashtu ndonjë rrjet i ngjashëm me samizdatin rus dhe bile rrezikoheshe edhe të po të lexoje Gi dë Mopasanin dhe çdo lloj letërsie të quajtur të verdhë e jo më të shkruaje një letërsi disidente. Dhe ky fakt që “harrohet” cektësisht nga kritikuesit e tij perëndimorë evidentohet saktë nga Peter Morgan i cili thotë: “për të kuptuar pozicionin e tij ne duhet të dimë se Shqipëria nuk ishte një shtet post-totalitar (ku ishte dënuar kulti i indvidit-shënimi im) ku një Havel apo Solzhenicin mund të flasë për të vërtetat e pushtetit. Çdo shënjë e një aktiviteti kundër revolucionar dënohej me burg, tortura dhe ekzekutim” [23]. Veçojmë këtu nga një artikull studimor të Eno Koço frazën “njerëzit në botën e lirë ndoshta nganjëherë harrojnë sa të privilegjuar janë të shprehin mendimet e tyre lirisht, të kompozojnë dhe krijojnë të pa shtrënguar dhe të jetojnë në një shoqëri demokratike” [24].

Duke ju referuar prapë Sollzhenitsynit, që vite më vonë botoi një ese historike “Çështja ruse në fund të shekullit të 20” [25], ndryshe nga librat e tjera të tij të botuar në vitet 60, ky u prit negativisht nga opinioni perndimor dhe u quajt si ëndër e rikrijimit të perandorisë ruse. Pra librat që i dhanë atij një çmim Nobël lidheshin me një epokë të caktuar dhe u përdorën nga një epokë e caktuar, nga Perëndimi Demokratik dhe BS antistaliniane. Kjo ndoshta shpjegon pse psh Doktor Zhivago dhe Një ditë në jetën e Ivan Denisovic i gjen sot me 1 evro tek bakuninistët e Manastiraqit në Athinë apo te Notre Dame, kurse Kadareja ende nuk ka kaluar në fondin e tyre. Po të supozojmë se do të botoheshin tani librat e Solzhenistyn, nuk është e sigurt se mund të kalonin kufijtë e njohjes tej asaj kombëtare ndryshe psh nga “Ferma e kafshëve” apo “1984” e Orwell-it që si satira përgjithësuese kanë vlera universale duke i rezistuar makinës fshirëse të kohës. Po ashtu si librat e burgut të autorëve shqiptarë të pas 90-ës kanë më shumë vlera njohëse për shqiptarët, por jo tej kufijve të tyre.

4. Nga Ëndërimet tek makthi i Pallatit të Ëndërave

a) Kadare, një shkrimtar novator

Por Kadare në një farë mënyre nuk ishte ai intelektuali i kllonuar që prodhonte shablloni real-socialist por kishte një bakround më kompleks në vetëdijen e tij për zhvillimin e ngjarjeve në kampin socialist. “Frymëzimet djaloshare” dhe “Ëndërimet” e botuara para studimeve në Moskë vijohen në 1960 me “Ëndër industriale” dhe “Shekulli im” në 1961, të gjitha këto vepra të frymëzuara nga transformimet social-ekonomike sidomos ato industriale që po ndodhnin në vend. Në 1963 del në dritë romani që e bëri atë të famshëm: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Në 1964 boton poemën “Pse mendohen këto male” duke e vendosur atë në parnasin e poezisë shqiptare. Do të duheshin disa vite deri sa Gjenerali ...” të përkthehej dhe botohej në 1971 në Francë duke i dhënë atij famë ndërkombëtare dhe që, siç dokumenton Sh. Sinani, luajti një rol fatal për të ndërsyer kritikën kundër Kadare. Një relacion për Kadarenë që ruhet në ish-arkivin e PPSh dosja 354 e fondit 14 [22] provon kotrollin hap-pas hapi që ushtronte sigurimi veçanërisht ndaj shkrimtarë të këtij kalibri. Ishte gjithashtu romani ku, siç shprehet Arshi Pipa, “Ai përmbysi ligjet e shenjta te realizmit socialist: Partia kurrë nuk përmendet, tematika socialiste është lënë tërësisht mënjanë dhe heroi i romanit është një gjeneral armik i vendit." Dhe më tejDuke përshtatur strategji nga shkrimtare disidentë sovjetikë, ai vazhdoi të punojë në një mënyrë origjinale të shkruari, e cila minoi realizmin socialist: mënyra alegorike dhe teknika të tjera...." [26]. Bile Arshi Pipa në një artikull i cili paraprakisht ishte shkruar për parathënien e përkthimit prej tij të “Kronikë në gur”, thekson ndër të tjera se Dasma është një përqeshje me lëvizjet revolucionare dhe aksionet komuniste. Pipa zbulon në veprën e Kadaresë psikanalizën frojdiste, deheroizmin, neverinë ndaj realizmit socialist. Parathënia nuk u pranua nga botuesi i romanit por Arshi Pipa e botoi si artikull më vete në revistën amerikane Tellos (1987) [27] dhe Kadare e konsideroi përmbajtjen e artikullit si një denoncim të drejtpërdrejtë tek censorët e Komitetit Qëndror ndonse më vonë u pendua për këtë akuzë.

Në 1968 botohet romani Kështjella, në 500 vjetorin e Skëndërbeut, por që koinçidoi edhe me daljen e Shqipërisë nga traktati i Varshavës i cili mandej edhe ai u përkthye në frengjisht. Si roman historik ai u interpretua edhe si një simbol i Shqipërisë së rrethuar nga imperialistët dhe revizionistët dhe efekti i tij ishte pozitiv ndaj “fenomenit” Kadare.

b) Kadare mes Shillës dhe Haribdës

Por romani që pati një kritikë mbarëpopullore, ishte Dimri i vetmisë së madhe, e inicuar fillimisht kjo nga Frederik Shalësi, punonjës në qendrën llogaritëse me një artikull në “Zërin e Rinisë”. Romani i perceptuar sipas artit kadarean (prandaj Kadareja cilësohet edhe si një kronikan i shquar i periudhës socialiste), një vit para plenumit të 4-të famëkeq u duk se do ta groposte përfundimisht Kadarenë pas një lloj histerie kolektive kundër tij, por duket se nomeklatura e sistemit duke u nisur nga stili kinez 3 të mira dhe dy të këqia e gjeti me vënd të mbajë 3 të mirat dhe ta vazhdojë lojën detyrim-përcaktim ndaj Kadaresë dhe sepse kështu i ishte më i përdorshëm sistemit. Për më tepër ky roman ishte alibia dhe mburoja e Kadaresë pasi sipas traditës në Shqipëri librat e një shkrimtari të dënuar dërgohehin për karton (një farë turrë drush alla-shqiptarçe) por jo një libër me figurën e E. Hoxhës. Pas suksesit në arenë ndërkombëtare të Kadaresë me Gjeneralin, sistemi arriti të evidentojë se bëhej fjalë për një vepër me vlera universale, që nuk i kundërvihej atij përkundrazi i shërbente alibisë për mitin e Shqipërisë së lirë në botë. Pra këtu kemi shfrytëzmin e parë që i bëhet talentit Kadare.

Shfrytëzimi dytë që i bën talentit systemi ishte që ai të vazhdonte të shkruante për socializmin me pathosin e djaloshit të “Ëndërimeve” dhe fatkeqësisht talenti Kadare nuk mund të shkruante vargje mediokre kësisoj disa krijime si dhe vargjet emblematike “...ke mbirë si një rrap madhështor në këtë vend të lartë ku shkojnë shtërngatat, ato rrahin të të shkulin, por ti veç vaditesh prej shqotës së tyre…” (Shqiponjat fluturojnë lart-) që ishin nga vargjet më të bukura frymëzonin rininë shqiptare për vite me radhë duke u kthyer njëkohësisht në bumerang në plotësinë e fenomenit Kadare pas viteve 90.

Ka gjithashtu një pikë të përbashkët midis ideologjisë së sistemit socialist dhe Kadaresë që nuk është shprishur edhe në raport me kohën post-totalitare (pas 1990): miti i shqiptarëve të cilët kanë çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë prej kohëve të lashta, miti i një gjuhe që fillon me etruskët apo pellasgët, miti i një folklori që ka si bashkëkohës Homerin, miti i përparësisë iliro-shqiptare në kohë të motiveve folklorike ballkanike etj të cilat në tërësinë e tyre i japin Kadaresë vendin e shkrimtarit kombëtar. Kjo tematikë gjërësisht e lëvruar nga Fatos Lubonja, Pirro Misha, Malcolm, Valtchinova etj dhe në teza doktorate apo masteri si ajo e A. Çelës [28], etj do të kërkonte një shqyrtim të veçantë. (Shënojmë se fjala mit është përdorur sipas përkufizimit që i japin autorët e lartpërmendur këtij termi). Por mund të themi se narrativa e Kadaresë dhe historiografia zyrtare socialiste në këtë mënyrë u përputhën pa sforcim në një formë të tillë që amplifikuan njera tjetrën. Atë pra që thoshte Eqerem Cabej, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri e të tjerë për historinë Shqiptare në një farë mënyre i gjen të letrarizuara tek romanet historikë. Pra aq sa është sponzorizuar Kadareja nga sistemi, siç shprehet K. Frashëri, jo më pak sponsorizim ka pasur edhe ai vetë (dmth K. F) dhe historianë të tjerë për kontributin e tyre në krijimin e një historiografie që sidoqoftë është në shënjestrën e studjuesve të sotëm. Duke studjuar në programe shkollore letërsinë e miteve të letrarizuara nga Kadare apo autorë të tjerë, rezulton që ishte sistemi që shrytëzonte Kadarenë dhe jo e kundërta.

Por ndërkaq profili i Kadaresë bëhet më i plotë pas botimit të vëllimi “Emblema e dikureshme” në të cilin reshtohej si tregim i fundit dhe “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrave” që më vonë u publikua si Pallati i Ëndrave (perlat shpesh fshihen në pika të parëndësishme për t’ju shpëtuar censoro-grabitësve). Kadare si shumë herë të tjera është në shënjestrën e kritikës dhe kjo evidentohet dhe në rang ndërkombëtar. Një fragment i botuar nga arkivi i vitit 1984 i Radio Free Europe për Seancën Plenare të Lidhjes së Shkrimtarëve të 1982 na sjell kritikën e Dritëroit ndaj Kadare në tre pika: 1. Tendenca e Kadaresë për të shkruar romane historike megjithë vlerat edukative të saj, nuk duhet të bëhet në dëm të realizmit socialist 2. Duke ju referuar shkrimeve të fundit Kadaresë, Dritëroi i thotë atij: “ne nuk mund të jemi plotësisht dakord me to për shkak të ideve dhe problemeve të trajtuara subjektivisht, modernizim i egzagjeruar dhe aktualizimi i temave të vecanta që sjellin interpretime të ndryshme” 3. mandej kritika e tij bëhet më pikante kur i referohet “Nëpunësit të pallatit të ëndrave” : Kriteret e Tabir sarait janë jo mos pranimi i influencave të jashtme por mbrojtja prej tyre, jo qarkullimi por izolimi, e si rezultat jo rekomandimi por mosrekomandimi” dhe më tej “termat si influenca të huaja, qarkullim, izolim që autori i përdor me ironi, cilës periodë, cilit vend, shtet dhe sistem social i referohen?” [29]. Çuditërisht edhe Peter Morgan (kritik letrar i cili ka bërë një studim të plotë të veprës së Kadare) 20 vjet më vonë, pasi e quan Pallatin e Ëndrave kryevepër dhe roman politik në traditën e George Orwell dhe Franz Kafkës, vë re të njëjtën gjë dmth që vendosja e ngjarjeve të Tabir Sarait ngjan si në Moskë, Beograd, Tiranë apo çdo kryeqyetet tjetër lindor. Romani përkthehet vetëm në 1990 në frengjisht nga shtëpia botuese Fayard dhe në parathënie të librit thuhet se “Kadare ashtu si Volteri përdor alegorinë politike për të kritikuar regjimin shqiptar dhe ekspozuar lirisht idetë e tij”.

Këto përkojnë në kohë me kritikën ndërkombëtare dhe veçanërisht atë të Fadil Hoxhës (ish lider i lidhjes komuniste jugosllave për Kosovën) i cili e kish akuzuar Enver Hoxhën drejtpërdrejt për izolimin e Shqipërisë. Me kritikën dërmuese të Dritëroit duket se Kadare e kishte “mbushur kupën” dhe goditjen, pa dorashka, ja dha vetë Ramiz Alia që asistonte në këtë seancë plenare: "Populli dhe partia të ngritën ty në Olymp, por në qoftë se ti nuk u qëndron atyre besnik, ata do të rrëzojnë pastaj në humnerë" [8, 9]. Romani i tij u hoq nga shtypi ndërsa shumë njerëz prisnin arrestimin e Kadaresë.

c) Inteligjenca shqiptare është po kaq mëkatare sa Kadare në mbështetjen dhe shëmbjen e sistemit.

Duke përmbledhur do të thoshja se Kadare në fillimet e tij letrare duhet të ketë besuar në epërsinë e sistemit socialist, ngjarjet e 56-61 sollën një bakround të ri latent për socializmin e zbatuar dhe raportin e letërsisë me të, dmth realizmin socialist, që e orientuan atë drejt adaptimit të një qëndrimi të dyfishtë (doublethink), praktikisht nga njera anë i jepte sistemit në fuqi haraçin si rrogëtar i tij ashtu siç bënin të gjithë dhe nga ana tjetër, me krjimtarinë e tij drejt fiksioneve historike, i kundërvihej realizmit socialist që me “Gjeneralin ....”. Ridalja e tij në Europë ndoshta ka shënuar përfundimisht shfryrjen e tullumbaces socialiste në memorien e tij. Pamvarësisht kritikës që i bëhet Kadaresë si konjukturist, dënimi i totalitarizmit dhe izolimit të Shqipërisë nëpërmjet veprës alegorike të Pallatit të Ëndrave mund të konsiderohet si vepra e parë e qartë kundra sistemit dhe Kadare pas viteve 90 thotë “Sikur asgjë negative të mos kish bërë, edhe vetëm projektimi dhe realizimi i izolimit do të mjaftonte për ta dënuar sistemin socialist” duke qëne konsistent me romanin në fjalë. Dhe si e tillë është konsideruar nga opinioni publik ndërkombëtar. “…asnjë nga ata që kanë lexuar Pallatin e Ëndrave, një nga veprat madhore të Kadaresë, nuk është e mundur të pranojë epitetin përbuzës që i vihet si çirak partie,” shprehet Malcolm, autor i një kritike letrare objektive ndaj Kadaresë [30]. Pra s’ka pse të rendim mbas gjurmëve kur kemi ujkun.

Vitet 80 mbas Pallatit të Ëndrave ngjajnë më shumë me një periudhë aparente letargjike ku Kadare refuzon të japë haraçin frymëzues për realitetin socialist. Kadareja i viteve 80 padyshim nuk është më ai i viteve 60 kur sapo kishte filluar karrierën letrare.

Shtëpia botuese Naim Frashëri ndërmerr botimin e veprave të plotë të Kadaresë ku mungon vëllimi i 11 (dmth Pallati i Ëndrave) dhe nga fundi i dhjetëvjeçarit botohet romani Gjakftohtësi (1988). Duket sikur talenti Kadare e mbaroi shkëlqimin e tij por koha tregoi të kundërtën.

Kadareja bënte, siç shprehet vetë, një letërsi normale në një vend anormal. Ajo pjesë e inteligjencës shqiptare të formuar në kohën e socializmit dhe që ashpërsisht i kundërvihet Kadaresë duhet të kuptojë sentecën e famëshme nga bibla të Krishtit i cili i tha turmës që do godiste me gurë një vajzë të përdalë: “...le të qëllojë së pari ai që nuk ka mëkate në kurrizin e vet”. Kadareja ishte më së pari autori i preferuar i inteligjencës shqiptare e cila ka dhe po aq mëkate sa ai në mbështetjen dhe shëmbjen e sistemit socialist.

Literatura

[1] Barry Baldwin, shfaqur në internet në http://www.readysteadybook.com, 26/09/2008)

2. David Bellos, The Complet Review, volumi 4, maj 2005

3 Peter Morgan, The Modern Language Review, 1 Prill 2002

4. Savkar Altinel (TLS, December 7, 1990) referencë e cituar nga Baldwin

5. Imogen Foster “The New Statesman, 7 tetor 1994)

6. Julian Duplain (TLS, 30 Shtator 1994)

7. Vasil Qesari, “Le phenomen Kadare”, Colloque International, Paris X, 2008

8. Uwe Stolzmann, “Neue Zürcher Zeitung” (Zvicër)-16-10-2003)

9. Stephen Schwartz, The Weekly Standard në 24 mars 1997

10. Stephen Schwartz, Contemporary Poetry Review, Under Empty Skies Falconers Weep" , http://www.webdelsol.com/CPR/Schwartz/falconers.htm

11. Noel Malcolm, The New York Review of Books, Volume 45, 9 prill, 1998

12. Ismail Kadare, The New York Review of Books, Volume 45, 9 prill, 1998

13. David Binter, New York Times, 6 dhjetor 1990, ribotuar tek http://www.gazeta-albania.net/news.php?id=18696

14. Robin Smith, London Observer, 7 Prill 1991

15. Renata Dumitrascu, http://www.mobylives.com/Dumitrascu.html , 2005, “Java” në 2007.

16. Miranda Vickers and James Pettifer, Albania: From Anarchy to a Balkan Identity (London: Hurst, 1997), p. 1

17. Ismail Kadare nga fjala e pronocuar me marrjen e çmimit në 2005.

18. Anne Fuchs, German Life and Letters, Volume 60 Issue 2, Pages 261 - 275

Published Online: 23 Mar 2007

19. Fatos Lubonja (E drejta e viktimave për të parë dosjet http://perpjekja.blogspot.com/ tetor 2008)

20. Agllaia Zoto, “Kinigontas to apragmatopiito oniro-Duke ndjekur një ëndër të parealizueshme”, Athinë (1996).

21. Shaban Sinani: "Një dosje për Kadarenë", Tiranë 2005

22. Intervistë e Kadaresë dhenë Tirthankar Chanda, cituar nga Baldwin

23. Peter Morgan, Creativity under communism: Australian 27 korrik 2005

24. Eno Koço, Shostakovich, Kadaré and the nature of dissidence: an Albanian view, Musical Time, 2005.

25. Alexander . Solzenitsyn, “Le question russe a la fin du 20-ieme siecle”, Fayard, 1994.

26. Arshi Pipa "Letërsia bashkëkohore shqiptare", Columbia University Press, New York, 1991

27. Arshi Pipa, Tellos (1987), Cituar nga Malcolm

28. a) Fatos Lubonja, The poisoned mushrooms and the Balkans in 2030, Südosteuropa Mitteilungen (01/2002). b) Galia Valtchinova: Ismail Kdare's The H-File and The Making of the Homeric Verse: Variations on the Works and Lives of M. Parry and A. Lord. Përpjekja 15-16 (Tirana, 1999), pp. 13 - 38. c) S. Schwandner - Sievers, B. Fischer (eds) Albanian Identities: Myth and History, London: Hurst, 2002. d) A. Çela, ‘Orientalism’ in service of Contemporary National Identity Building in Albania: The literary work of Ismail Kadare, Budapest, 2006.

29. Radio Free Europe, Comment about attaks against I. Kadare, Research 5 Prilll 1982

30. Noel Malcolm, In the Palace of Nightmares, New York Review of Books, 44 (6 Nëntor, 1997), faqe 24

No comments: