Friday, June 27, 2008

REFLEKSIONE RRETH KONFERENCËS SË DYTË PANHIMARJOTE

sipas origjinalit http://www.tribuna-news.com/search.php

Shkruan Dr. M. Gjoka
e-mail: himara_12000@yahoo.gr

Ditët e fundit në Himarë u zhvillua një konferencë panhimarjote për të cilën pata një ftesë. Por nuk munda ti përgjigjem ftesës sepse përgatitja e një kumtese kërkon mjaft kohë të cilën nuk e kisha. Megjithatë u entuasiazmova për këtë inisiativë të shoqatës “Komuniteti Himarjot”. Siç mësova, aktiviteti ishte i organizuar në nivel të lartë deri ku morri pjesë edhe Presidenti i Republikës. Duke dashur të njihem jo vetëm me tematikën, por edhe me përmbajtjen e kumtesave, fillova të ndjek shtypin e përditshëm shqiptar. Por mbeta i deziluzionuar duke mos mundur të gjej informacionin e nevojshëm.Vetëm nëpërmjet site-it të Presidentit të Republikës munda të njihem me fjalën e tij në konferencë si dhe me intervistën që u dha organeve të shtypit. Asgjë më tej. Por pikërisht kur e kisha humbur shpresën për tu njohur me përmbajtjen e materialeve të konferencës sytë e mi u ndeshën me një artikull në gazetën “Shqip” të një gazetari të njohur. Fillova të lexoj me endje artikullin vetëm duke u nisur nga ideja që ajo shkruhet nga një djalë i Bregut, por mu desh durim i madh për ta lexuar gjer në fund.

1. BUNKERIZIMI DHE SINDROMA ANTIZHVILLIM

Autori që në fillim na qenka revoltuar ndaj intelektualëve himarjotë që e quajtën konferencën “panhimarjote” dhe ai, si “etnik shqiptar” na qënkish fyer me këtë titull sepse i kujtonte “panepirotët” (emërtim ky grek!) dhe për më tepër konferenca u sponzorizua nga Ambasada Amerikane, pra siç na lë autori të kuptojmë nga “influenca” e lobit grek. Do të mund të prisja nga një gazetar të paktën të konsultohet me fjalorin shqip për të mësuar se fjala “pan” është gjërësisht në përdorim, madje mund ta gjesh lehte në internet se edhe shqiptarët me banim në Amerikë e quajnë shoqatën e tyre “panshqiptare”. Kushdo mund të bindet po të kërkojë në “google” për sa përmenda. Aty do gjejë edhe fjalën pan të ngjitur tek shumë shoqëri dhe institucione, si p.sh kompanina ajrore Pan-American, apo Pan Asiatike, Pansllave, “Fondacioni i Kërkimit Pan Amerikan”, “shoqata panafrikane” etj. Pra vetvetiu lind pyetja përse përpiqet autori i artikullit ti japë të tillë ngarkesë nacionaliste emërtimit të konferencë si “panhimarjote”? Përse kjo sindromë antigreke e panevojëshme kur gjithë bota shkencore ka në themel të saj terminologjinë greke? Përse u dashka ta fshijë nga fjalori këtë fjalë që dmth konferencë e gjithë himarjotove kudo që janë, në Himarë apo Tiranë apo në Amerikë e Greqi? Nuk do jetë çudi që të akuzohen dhe gjysh-stërgjyshërit që kanë pasur guximin tu vënë fëmijëve të tyre emra si “Lefter”, “Sokrat”, “Dhimosten” etj “enkas për të ofenduar shqiptarët etnikë të Himarës” ! Madje tinzarë kanë qënë banorët e lashtë himarjotë (kaonët) që kanë synuar të provokojnë “shqiptarët etnikë” të shekullit 21 duke guxuar të emërtojnë gadishullin Panorma (që përmban fjalën “pan”), që kanë guxuar të emërtojnë një sërë toponimesh të zonës me fjalë me origjinë greke!!!

Nuk mund të ndjekim më tej paranojën e introduksionit të artikullit.

2. PRIORITETI TURISTIK NË KUMTESAT E KONFERENCËS

Por shpresoja se në vijim autori me siguri do të merrej me përmbajtjen e kumtesave të paraqitura, gjë normale për një analist të një evenimenti të tillë. Por nuk qe e thënë. “Kumtesat dhe ligjërimet kryesore të kësaj konference –vë re autori-çuditërisht i referoheshin kultivimit dhe zhvillimit të kulturës së ullirit në këtë zonë”. Ju drejtova internetit ku është publikuar tematika e kumtesave dhe konstatova se e vërteta qëndron krejt ndryshe, nga 12 kumtesat e paraqitura vetëm ajo e 5-ta i kushtohet ullirit. Ndonse vërtet ulliri ka qënë themeli i ekonomisë himarjote në shekuj dhe do të ishte normale organizimi i konferencave vetëm për ullirin, e megjithatë në aktivitetin e sipërm shumica e kumtesave ishin në funksion të turizmit dhe infrastrukturës duke evidencuar prioritet e zhvillimit në bazë të burimeve natyrore egzistuese. Madje hapja e konferencës u bë me kumtesën “Shumëllojshmëria e rezervave natyrore bregdetare dhe mundësitë reale për zhvillimin e tyre në dobi të turizmit” me bashkëautor shkencëtarin Niko Pano. Dy nga kumtesat e paraqitura janë njera prej Bangës Botërore (me titull “Plani i Zhvillimit dhe Menaxhimi i zonës Bregdetar” dhe EDEM/USAID me titull “Probleme të zhvillimit të zonës Joniane”, që të dya këto institucione që asistojnë në proceset e zhvillimit të Shqipërisë që prej 17 vitesh. Asnjë fjalë nuk na thotë autori për këtë tematikë. Asnjë analizë të përmbajtjes së kumtesave. Mendova se autori e gjen veten më “specialist” tek ulliri por edhe këtu lexuesi sheh se e vetëmja kritikë e autorit del përmes ironisë për mbajtjen e kësaj konference “për ullirin" "në maj" e jo “në dhjetor kur piqet ulliri” duke u bërë artikulli klasikisht më i rëndomtë. A thua se ulliri është një bimë sezonale që mbillet në tetor dhe shkulet në jenar dhe do plehëruar nga konferenca! Po të kish durim autori të kërkonte, do bindej se konferencat eksluzive për ullirin në botë janë zhvilluar në maj në Kroaci, në shkurt në Kaliforni, në mars në Korfuz etj. Si ta quajmë këtë, lajthitje apo provokime të rradhës këto “kritikat të fuqishme” që seleksionohen në artikull për të barazuar me zero punën e shkencëtarëve himarjotë.

3. USAID-ULLIRI DHE INDUSTRIA E PËRPUNIMIT TË VAJIT NË HIMARË

Kollona e dytë e artikullit i drejtohet zhillimit të dobët ekonomik të krahinës dhe falsitetit më fjalë të tjera të një ekspozite të vajit të organizuar nga Bashkia Himarë në bashkëpunim me Shoqatën e Vajit Ushqimor (AOA), USAID/EDEM dhe biznesin që realizohet për herë të parë në Himarë. Autori vazhdon më tej të skanojë ekspozitën e realizuar pas konferencës (dytën e dytë) e cila na qënka e financuar nga USAID, pra edhe këtu “që së largu bie erë influenca greke”. Duke dashur të gjykoj me objektivitet se sa qëndron kjo tezë e autorit, kërkova dhe konstatova në internet se “USAID është një organ i USA për të mbështetur demokracinë dhe tregun e lirë në botë me synim përmirësimin e jetës së qytetarëve të botës në zhvillim” (http://www.usaid.gov/about_usaid/). Madje zanafilla e aktivitetit të USAID konsiderohet Plani Marshall që siç dihet kontriboi në rindërtimin e Europës së shkatëruar nga lufta e dytë botërore. Kurse autori i artikullit na qahet se USAID i manipuluar nga grekët “harxhon paratë kot” duke rezonuar me një paranojë tjetër të shprehur nga një deputet me origjinë himarjote, por jo deputet i zonës së Himarës. Ndokush mendon se më mirë të ndërtosh 100 metra rrugë se sa të promovosh një argument që sjell mesazhe konstruktive tek 100 njerëz, përfshirë në këtë qindëshe dhe presidentin. USAID pra do të duhet të punësojë specialistë që dinë të bëjnë vjersha dhe japin direktiva sepse shkencëtarët janë të pa aftë të mirëpërdorin paratë e Amerikës!!! Të duket se rikthehemi 30 vjet më parë kur sindroma e grekofobisë dhe antiamerikanizmi prodhonte kërpudha bunkerësh. Edhe tani një mentalitet i tillë e sheh si një veprim klandestin çdo aksion progresiv.

U mundova të gjej ndonjë informacion, psh sa vaj prodhohet mesatarisht nga secili fshat, cili është niveli i përpunimit dhe tregëtimit të tij, a ka eksport sa dhe si tregëtohet? Përgjigja që jep artikulli është se asgjë e tillë nuk egziston. E megjithatë duke u nisur nga përvoja ime u përpoqa të bëj vetë një bilanc të përafruar. Psh gjeta me një llogari shumë të trashë se të ardhurat nga ulliri sivjet vetëm në Qeparo i kalojnë të 1 miliardë lekët. Gjeta se në gjithë zonën ka 7 fabrika përpunimi, vetëm në Qeparo ekzistojnë dy fabrika të cilat e përpunojnë ullirin me teknologji moderne. Madje njera prej tyre ka kapacitet magazinues 100 MT, apo 10% të prodhimit të sivjetshëm të gjithë Shqipërisë dhe ka eskportuar 2 vjet më parë 46 ton vaj në Kroaci! Pra edhe këtu kemi një menazhim shëmbullor dezinformimi. Bile kulmi arrin kur autori gjen rastin të ironizojë himarjotët që rregullisht vijnë për të ushtruar të drejtën elektorale një herë në katër vjet duke e quajtur ardhjen e tyre si të vetëmin produkt eksporti! Sado dashamirës të jetë ndokush, vështirë ti quajë këto arsyetime normale! Objekti i diskutimit tim nuk është reklamimi i ekspozitës ë ullirit. Por nuk mund të heshtet kundrejt dezinformimit që nuk ndihmon askënd. E as nuk dua të them se Himara është një qendër e zhvilluar. Por përgjithësisht Himara ka nevojë për infrastrukturë që është edhe kompetencë e pushtetit qëndror dhe jo vetëm e atij lokal. Ka nevojë për investime që synojnë afrimin e jetesës së banorëve drejt standarteve europiane. Ndërkaq, ndërsa pushteti lokal po bën të pamundurën për të sensibilizuar politikën qeveritare ne duhet ti vëmë gurë në rrota kësaj inisiative? Normalisht do të pritej një vlerësim pozitiv i Bashkisë për këtë inisiativë promovimi dhe do të urohej të shtoheshin të tilla aktivitete që nxisin zhvillimin.

4. PROJEKTET E BASHKISË DHE KORI ANTI-BOLLANO

Kollona e tretë e artikullit i kushtohet një sulmi frontal ndaj kryetarit të bashkisë me të cilat autori i bashkohet korit “anti-Bollano” me akuza të cilat janë kosumuar nga kundërshtarët e tij gjatë fushatës elektorale të kaluar dhe po rilancohen me të pasuruara me precedendet e fabrikuara nga shtypi. Bashkia u paraqit në konferencë me kumtesën “Projekte te qeverisjes lokale për zhvillimin e zonës Bregdetare të Himarës dhe investimet” me bashkëautorë profesorin e shkencave ekonomike Priamo Bollano dhe inxhinjerët Stefo Mato dhe Maksi Rrapo, por autori me një fjali e quan kumtesën si “projekti Bollano për mos zhvillimin e turizmit”! Pas një sërë pasaktësish të lexuara në artikull, rezervohem ta pranoj apriori këtë akuzë pa u njohur me kumtesën konkrete.

Nuk e mohoj së u zhgënjeva nga selektimi i ngjarjeve dhe gëzimi që shpreh një gazetar për bojkotimin që i bëri shtypi konferencës në kohën që ngjarje shumë më të rëndomta me kronika vrasësish pathologjikë konsiderohen më të rëndësishme duke u dhënë vend në faqen e parë për ditë të tëra. Autori kritikon organikën e fryrë të bashkisë dhe nuk gjen dot prehje pa mësuar ku i gjeti Bolano paratë për shtrimin e rrugës së kampit të Dhërmiut dhe Jalit! Pra edhe kur gjenden paratë dhe shtrohen rrugët nuk ka karrar njeriu!

Megjithatë nuk mund të mos shohim se ka një konvergjencë të këmbëguljes së kryetarit të bashkisë dhe fjalës së presidentit rreth pronave të cilat duhet të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme. Pa u realizuar kjo nuk mund të zhvillohet turizmi theksoi Presidenti i Republikës, z. Topi. Ky është dhe verdikti i konferencës së dytë panhimarjote.

Dhe së fundi duke cituar analistin F. Lubonja është me vend të thuhet se Himara duhet të zhvillohet në rradhë të parë për ata që banojnë aty dhe jo për të pritur turistë. Pra i takon bashkësisë himarjote ti thotë po ose jo projekteve konkrete të zhvillimit dhe jo atyre që organizojnë fushata “Bollano ik” e “Bollano eja”.

Ofrimi i kushtëzuar i 2-3 milonë euro apo më shumë fondeve për infrastrukturën e Himarës kundrejt firmimit të projekteve “turistike” të monopoleve, do rezultojë i dështuar pa njohur miratimin e himarjotëve që janë dhe të zotët e vendit. Himarjotët janë ata që zgjedhin dhe heqin në zonën e tyre dhe jo apologjetët e plutokracisë së re të Shqipërisë qofshin këta deputetë zonash të tjera apo analistë “patriotë”. Në vend të anatenimit apo hyjnizimit të ndokujt rruga konstruktive është të shpalosim alternativa zhvillimi siç u bë nga shkencëtarët himarjotë dhe bashkëautorë të tjerë nga universitetet shqiptare në konferencën panhimarjote.

No comments: