Friday, June 27, 2008

MISIONARET BAZILIANE NE HIMARE-hapja e shkollave greke ne Himare

SHKRIMI I SHQIPES DHE SHKOLLA NË BREGDETIN HIMARIOT GJATË SHEKUJVE XVII-XVIII


(Nga Prof Dhimitër S. Shuteriqi)

(Artikull i botuar në gazetën "Mësuesi" në dy pjesë në Qershor 1956 dhe Korrik 1956)

Shekulli XVII shënon një hov të madh në shkrimin e shqipes me të Budit, Bardhit e Bogdanit. Këto emra tregojnë se atëhere shkruhej kryesisht në dialektin verior. Dokumentet e toskërisë së shkuar të asaj kohe janë te ralla dhe të vogla. Veç ndonjë të shkurtër arbëresh Kala... dhe një këngë arbëreshe të mbledhur para vitit 1694(Nilo Katalanos) prej dialektit jugor të shkruar në shek. XVII disa gloza:ndonjë mbishkrim nga Piana degli Albanezi të Siqelisë tjetër në Maki të Kalabrisë. Kjo është një zbrazirë e ndieshme që, domosdo, nuk duhet shpjegim me mungesën e një përpjekje për kuptimin dialektit tonë jugor atë.

Një dokument i hershëm si Perokopeja shekullit XV-XVI dhe veçanërisht libri i Lekë Matrëngës i botuar më 1592, një përmbledhje këngësh popullore arbëreshe të Kalabrisë prej Thoma Belushit, i cili jetoi në vitet 1613-1707,[3] janë të mjaftueshme për të treguar se toskërishtja shkruhej në shekullin e XVII dhe lart dhe për të mos e humbur shpresën për zbulime dokumentash të reja në atë dialekt dhe të asaj kohe. Një dokument i tillë me interes të madh është "Doktrina e Krishterë", e përkthyer në Himarë më 1637 dhe gjer më sot numurohet e humbur. Në tekstet e historisë së letërsise shqipe dhe nëpër studime të ndryshme janë zenë shpesh në gojë personat që u morrën me përkthimin e kësaj vepre: shqiptari Papa Dhimitri dhe greku Neofit Rodino. Qëllimi i këtij artikulli është që ta sqarojë çështjen e shkrimit të shqipes në Himarë në mënyrë më të hollësishme nga ç'mund të ketë qenë bërë gjer më sot. Në vitet 1628-1643, me intervale, qëndroi në bregdetin himariot misionari i Vatikanit, Neofit Rodino. Ky qe themeluesi i Misionit të Himarës, i cili synonte ta lidhë kishën ortodokse me Romën dhe të përhapë katoliqizimin. Misioni i Himarës ekzistoi gjer në vitet `30-të shek. XVIII d.m.th. gjatë 100 vjetëve. Ndër misionarët më të njohur, qe italiani Nilo Katalano (Nilo Catalano 1637-1694), i cili kishte jetuar nëpër kolonitë arbereshe të Siçilisë. E dinte Shqipen dhe hartoi një fjalor shqip-italisht e italisht-shqip [5]; ai vdiq dhe u varros në Dhërmi.


Arbëreshi i Siçilisë, Zef Sqiro (1690-1760), ushtroi në bregdet për gati një çerek shekulli; më 1729, ai na thotë se u mësonte fëmijve himariotë "Doktrinën e Krishtere" greqisht dhe shqip, pa na treguar se me ç'farë teksti [6], me atë të përkthyer në Himarë më 1637, me tekstin e Budit (1618, ribotuar më 1636, 1664) apo me tekstin e Matrengës (1592), në mos me ndonjë përkthim tjetër, i cili mund të qe edhe i veti; ka të ngjarë që ai të mos përdorte Budin, sepse ky ishte në dialektin verior dhe mund të paraqiste vështirësi për tu kuptuar në jug; pastaj ai ishte i gjatë, kurse tekstet e Matrengës dhe i Rodinoit e i Dhimitrit ishin të shkurtër dhe të thjeshtë.
Po ti lidhim bashkë faktet e përmëndura, mund të themi se shqipja në bregdetin himariot, jo vetëm që është shkruar, por dhe shkrimi i saj i ka shërbyaer mësimit fetar në një shkollë dhe në një popull gjatë një shekulli. Inisiatorë të kësaj pune njohim

Neofitin dhe Dhimitrin. Cilët ishin këta të dy?

Neofit Rodinoi ka qenë një murg basilian grek. Familja e tij, siç e tregon emri, rridhte prej ishullit të Rodit, dhe ishte vendosur në Qipro, ku Neofiti leu në 1576 ose 1577. I ati, Solomon Rodinoi, zoograf e vjershëtor, morri pjesë në mbrojtjen e Nikozisë kundër turqëve më 1570-1571 dhe kujtohet për një vepër poetike që botoi mbi atë ngjarje [7]. Mbas studimeve fetare në Qipro dhe Kretë, Neofiti ndoqi në Venedik mësuesin e tij të njohur, Maksim Murguinjosin [8]. Atje duhet të ketë vajtur pas vitit 1599, të ketë jetuar gjer më 1607 dhe të jetë kthyer katolik. Më 1607-1610 e shohim në Romë, nxënës të kolegjit grek Shën Athanasit ku formoheshin misionarët e Vatikanit pranë ortodoksëve. Rodinoi stjudjon filozofinë dhe theollogjinë në universitetin e Salamankës, duke qenë atje dhe lektor i greqishtes, në vitet 1610-1616. Pastaj qëndron disa kohë në Poloni, ku bëhet murg, dhe shërben tre vjet në vise Agrekea të Lindjes, d.m.th. ndër ortodoksë duke nisur kështu punën e tij të misionarit. Athere(1616-1620), ai duhet të ketë jetuar edhe në Janinë. Më 1621-1625, Neofiti kaloi nja dy vjet në koloninë arbëreshe të Mexojusos të Siçilisë. Rreth 1627 ka të ngjarë që të ishte përsëri në Janinë [9]. Athere ai pat ka vizituar dhe Himarën dhe duket se çeli aty një shkollë, po u largua me premtimin se do të kthehet prapë, dhe shkoi sërisht të hapte shkollën në Mexojuso. Këto janë kontaktet e tij të para të rëndësishme me arbëreshët dhe shqiptarët. Kontakte të tjera ai duhet të ketë pasur që kur studjonte në kolegjin e e Shën Athanasit, ku nuk mungonin edhe himariotët. Në vitet 1628-1643, me ndonjë interval, sikunder e shënuam, Rodinoi themelon dhe mban misionin e Himarës, ku çel edhe një shkollë për nevojat e misionit. Gjatë asaj kohe, ai vete disa herë në Itali. Atje kalon sidomos vitet 1631-1633, në koloninë arbëreshe të Bariles (Potenza), për shkak të murtajës që kishte rënduar matanë Adriatikut dhe të mungesës së anijeve për të kapur detin. Ai largohet prej Himarës në 1643 për u vendosur në Leçe të Italisë dhe sidomos në Napoli. Këtu qe një prift i kishës greke dhe mësuesi i greqishtes në gjimnaz. Nga mbarimi i jetës rreth vitit 1656, u kthye në atdheun e tij të Qipros ku vdip në fund të vitit 1659.

N. Rodinoi u dallua mes misionarëve të Vatikanit ndër ortodoksë dhe si shkrimtar fetar. Ai qe protagonist dhe polemist i fortë. Shkroi shumë vepra, nga të cilat një pjesë u botuan. Një libër i tij, i shtypur në Romë më 1659, Letër Joanit, Prethbiterit të Paramithisë, datohet prej Nivice, janar 1648, [10]. Pra, Rodinoi bëri edhe ndonjë tjetër vizitë në Shqipëri pas vitit 1643. Në vitet 1645-1650, ai harton një liber që mbet dorëshkrim dhe ua kushton nxënësve tij të Shqipërisë, A Mathe, Spiridon e Dhimitër, të gjithë nga Dervino [11]. Është e besueshme qe ky Dhimitër të jetë po ai i vitit 1637, që përktheu shqip Doktrinën.

Për këtë Dhimitër, që ishte me siguri shqiptar (Neofiti na i thotë vetë). A gjer tani është shkruar se qe himariot, meqë në Himarë e përktheu Doktrinën. Tani duhet të themi se ai ishte nga një vënd i Shqipërisë Jugore, të cilin Rodinoi e quan Dervino. Ose kemi të bëjmë me një Derven që nuk dimë ku ta vendosim në viset Himariote dhe në krahinat përreth, ose eshte fjala për Delvinën. Ka shumë të ngjarë që të jetë lexuar gabimisht dorëshkrimi [12].

Nga letrat e Rodinoit të botuara ose të cituara gjer më sot [13], nxjerrim disa fakte të rëndësishmeqë lidhjen drejtpërsëdrejti me përkthimin e Doktrinës në Himarë më 1637. Një letër nga Bar më 6 Maj 1632, na mëson se ky misionar grek, gjer atë kohë nuk e dinte shqipen, megjithëse kishte qëndruar disa vjet në Mexojuso dhe bregdetin Himariot, ai thotë shprehimisht:: "Unë s'e njoh gjuhën shqipe" [14], gjë që e pengon në marrëdhënjet me fshatarët arbëreshë. S'kemi si të vërtetojmë që Neofiti ta ketë mësuar më pas shqipen në Bregdet, ndonëse puna e misionit mund t'ja ketë imponuar gjer më 1637. Prapë, kjo nuk qe e domosdoshme, Shkolla që Rodinoi çeli për nevoja fetare qe greqishte, aty, ai informoi klerikët shqiptarë në fillim të misionit, nga ana tjetër nuk qe e lehtë që Rodinoi ta mësonte aq mirë shqipen, sa ti vihej një përkthimi në këtë gjuhe, në fakt ai vetë thotë se punën e bëri me Papa Dhimitrin, nxënësin e tij shqiptar.

Më 28 Gusht 1637, Rodinoi i shkruan kështu eprorit të Propaganda Fides në Romë : "Midis disa nxënësve të mi është një prift i quajtur Dhimitër, i cili e zotëron në mënyrën më elegante gjuhë shqipe, meqë është i kësaj kombësi dhe është katolik i vërtetë, prandaj ju vura përkthimit në këtë gjuhë të Doktrinës së Krishterë, të asaj që përmblidhet në dy fashikuj e cila besoj me Jezu Krishtin do t'ju ndihmojë atyre t'ua dërgoj, sepse akoma s'është mbaruar, duke ju lutur zotërisë suaj të ndritur që t'ja propozoni Kongregacionit të shenjtë me qellim që të japë urdhër të shtypet".

(Tra alcuni scolari miei che tengo vi e un sacerdote detto Demetrio, il quale possiede elegantissimamemte la lingua albanese, per essere della nazionalita e cattolico vero; percio mi sono posto a tradurre la Dottrina Cristiana, quale che e contenuta in soli duoi fogli, in questa lingua la qual spero, in Gesu Cristo sara di utilita a preso loro, Con altra occasione espero presto, la la mandero perche ancora non e finito pregando a vostro Signoria Illustrissima a la Sacra Congregasione accio doi ordine che si stampi [15]).

Fjalët "u vura të përkthej" (mi sono messo a tradurre) nuk duan të thonë domosdoshmërisht që Neofiti e bëri përkthimin vetë [16]. Ato fare mirë duan të thonë se se Neofiti morri inisiativën të përkthehej shqip Doktrina, meqë në Himarë pat një nxënës të vetin të besueshëm ("katolik të vërtetë"), i cili shqipen e dinte "në mënyrën më elegante". Përkthyesi i veprës qe pra Dhimitri nga Delvina, kurse Neofiti duhet të ketë mbikqyrur punën dhe të të ketë ndihmuar me njohuritë e tij të italishtes dhe greqishtes. Doktrina duhet të jetë shqipëruar nga këto dy gjuhë.

Cili qe auktor i veprës së përkthyer shqip më 1637.? Neofiti na thotë se kjo vepër ishte "vetëm në dy fashikuj"(in soli due fogli). Doktrina e Belarminos, që përktheu Budi, që shumë më e gjatë. Ne mendojmë se në Himarë u përkthye e njëjta Doktrinë që kish përkthyer Matrënga më 1592, vepër italishte e jezuitit Ledesma, e cila në botimin arbëresh nuk nxurri më shumë se 26 faqe. Po kjo Doktrinë kishte qenë përkthyer dhe botuar greqisht më 1595 dhe pat një ribotim në këte gjuhë më 1609, më 32 faqe [17]. Dihet se eprori i tij i Romës, ju përgjigj Rodinoit që Doktrina ishte përkthyer shqip, ndaj të mos mundohej dhe i ofroi ti dërgonte disa kopje [18]. Mund të jetë fjala për botimet e Budit të viteve 1618 dhe 1636; po fare mirë edhe për atë të Matrëngës të vitit 1592.

Në lëvdatën që Rodinoi formulon për Papa Dhimitrin, kur thotë se shqipen e dinte "në mënyrën më elegante" - a duhet parë vetëm një kompliment i rastit apo diçka më shumë? A mos Papa Dhimitri ishte marrë edhe tjetër herë me shkrimin e shqipes? Pyetja vlen të bëhet. Ka mundësi të vihemi kështu në gjurmat e një pune më të herëshme për shkrimin e shqipes në viset himariote, me gjithëse Rodinoi dhe misionarët e tjerë qahen për mungesë të madhe kulture në ato vise. Nevojën që ndjeu më 1637 Rodinoi në jugë të Shqipërisë për propagandën fetare, duhet ta ketë ndjerë para tij edhe kleri vëndas ortodoks. Nevojat e asaj propagande e shtynë Matrëngën të shqipërojë një katekizëm për arbëreshët e Siçilisë në fund të shekullit XVII; po ato nevoja do të jenë, gjatë shekullit XVII-XVIII në origjinën e punës së Papa Totasit, Dhaskal Todrit, Kostë Beratit, etj. Në Shqipërinë e mesme dhe të jugut (Mbarimi i pjesë së parë së shkrimit)

Le të shikojmë tani çështjen e shkollës që çeli Rodinoi në Himarë dhe të shkollave që mbajtën në bregdet misionarët e tjerë të shek.XVII-XVIII. Pamë se, që më 1627, Rodinoi duhet të ketë çelë provizorisht një shkollë në Himarë dhe të ketë ikur së andejmi me premtimin se do të kthehet. Premtimin e mbajti, duke u kthyer në Shqipëri pas një viti. Ai vetë na flet së pari për shkollën e Himarës, në një letër që i dërgon Propaganda Fides më 24.V.1636, nga Napoli. Aty thotë se "prej më pak se tre vjetësh që shërben në Himarë, vazhdimisht ka mbajtur një shkollë, ndonëse të paktë, dhe kërkon të kthehet sërish atje për të vazhduar punën e filluar mirë".

(Tutto il tempo che poco meno di tre anni sono che in Cimara ove dalla Sacra Congregatione fui mandato dimorai non ho mai lasciato di scrivere, e dar notitia alle sue Eminentie delle mie fatiche , e della scuola benche poca), che continuamente ho tenuta , e de fatto ho anima di tenere , ritornando a persevare nella ben cominciata opera ).[19]

Pra, shkollën, Rodinoi e çeli më 1633, pasi erdhi nga Barile. Fakti qe shkolla ishte e vogël, duhet tregojë se aty nuk mësonin femijët , por priftërinj si Dhimitri ose të rritur të tjere që përgatiteshin për nevojat e Misionit. Pamë se Dhimitrin, Rodinoi e quan "midis nxenësve të tij". Qëllimi i Misionit ishte të shtjerë në dorë dhe të edukojë sa më parë , në frymën e katolikizmit, klerikët vendas ose dhe laikë, për ta shtrirë sa më shumë ndikimin e Vatikanit ndër ortodoksët shqiptarë . Janë të njohura përpjekjet e kishës së Romës, veçanërisht përmes misionit të saj në Himarë, për ta lidhur pas vetes patriarkatin e Ohrit, prej të cilit mvareshin ortodoksët e Shqipërisë së mesme dhe të një pjese të madhe të Shqipërisë jugore.


Më 3.IX.1639, gjatë një qëndrimi të ri matanë Adriatikut, Rodinoi i shkruan sërish Propagandës, me keqardhje , se "u shkëput nga shkolla dhe misioni"( in certo modo contra mia voglia mi alienai dalla scola, e dalla mia missione).[20] Pra edhe gjatë viteve 1636-1639, veç në intervalet kur ishte larg Shqipërisë, Neofiti e mbajti çelë shkollën e Himarës. Dokumentet e botuara nuk na informojnë gjë për këtë shkollë pas vitit 1639. Por rëndësia që i jepnin misionarët dhe Propaganda Fide shkollës për punën e tyre, ishte aq e madhe, [21] sa që Rodinoi duhet ta ketë mbajtur me çdo kusht shkollën në Himarë gjer me 1634, kur u largua. Pra shkolla e njohur e Himarës, e cila u çel së pari nga Rodinoi që më 1627, funksionoi me siguri në vitet 1633-1639, dhe ka shumë mundësi dhe në vitet 1639-1643. Më 1645-1650, kur Neofiti bëri një vizitë në Bregdet dhe firmoi në Nivicë një vepër të tij te re, ai na flet për tre nxënës të vetë, po kjo nuk do të thotë domosdo që e çeli sërish shkollën apo shkolla vazhdonte punën me ndonjë person tjetër mbi krye. Sidoqoftë, një person si papa Dhimitri mund ta ketë vijuar atë punë pas ikjes së Rodinoit. Ka të dhëna që në vitet '50 të shek.XVII, Himara të ketë qenë nën ndikimin e patriarkut serb të Ipekut, i cili atje paska dërguar edhe një mësues, që u mësonte djemve Doktrinën.[22] Kjo, në rradhë të parë, tregon edhe se himariotët e deshën shkollën, sikundër do ta shohim. Misioni i Vatikanit në Himarë e rifilloi veprimtarinë e tij më 1660 dhe puna e parë që bëri, qe hapja e shkolles "me një numër të mirë nxënësish"[23] Po nisi menjëherë lufta me peshkopin vëndas të Himarës dhe Delvinës, i cili për seli kishte Janinën. Ky i mallkonte dhe i çkishëronte të gjithë ata që vinin pas misionarëve të Vatikanit. Lufta midis këtyre dhe peshkopit në fjalë do të vazhdojë gjersa Misioni i Himarës të mbyllet fare në shek. XVIII. Dhe kjo do të jetë historia e shkollave që çelen gjer athere në Bregdet misionaret: ato do ti frekuentojnë me zell nxënësit, po më se njëherë edhe do ti braktisin, me ndërhyrjet e peshkopit vëndes dhe të klerikëve që i binden këtij. Sidoqoftë, le të shënojmë të dhënat e njohura mbi shkollat e Bregdetit në shekujt XVII-XVIII.

Më 1660 erdhi në Himarë misionari grek Andrea Stanisla dhe arbëreshi nga Piana e Siqelisë, Onufër Konstantini. Ky hapi në Dhërmi një shkollë "ku rende, shumë të rinj" [24]. Shkolla vazhdoi gjer më 1663, kur Onufri u largua nga Misioni. Po atë vit mbajti shkollë në Himarë misionari grek Jona Korinthi [25]. Më 1663, misionari grek Jan Krrisafida, çeli shkolle në Palasë, në shtëpinë e Kapedan Lekës, mik të Onufrit. Aty shkonin të rinjtë e fshatit [26]. e 1668-1670, misionari grek Jan Kamilisi i Kios mbajti shkollë në Dhërmi. Më 1670 ai shkon në dhe mban shkollë në Himarë, sepse në Dhërmi i ikën nxënësit për arsyet që kemi treguar. Himariotët i u kishin lutur dhe kërcënuar që të shkojë në fshat të tyre për të çelë shkollën, që më 1668, [27]. Më 1672 vjen dhe mëson në Himarë një prift nga Voskopoja, Papa Jorgji, i cili qëndron aty një vit [28] Më 1693 erdhën në Himarë Nilo Katalanoja dhe Filoteo Zasi. Vëndi kishte tetë vjet pa misionarë, [29] mundet dhe pa shkollë. Shkolla u hap sërish "për të rinjtë dhe fëmijët", [30]. Katalanoja e çeli shkollën edhe në Dhermi, me tetëdhjetë të rinj, në një fshat që ahere kishte 1850 frymë [31]. Ai vdiq më 1694.

Punën e vijoi ndihmësi i tij, arbëreshi nga Mexojuso, F.Zasi, i cili na thotë se në shkollën e tij vinin shumë të rinj shqiptarë, tetëdhjetë djem, [32]. Që nga fillimi i shek.XVIII, puna e Misionit të Himarës u bë më e vështirë, po shkolla sigurisht nuk pushoi. Më 1714, misionari grek Dhimiter Titi, qahet se peshkopi i Janinës ka bërë që njerëzia "të mos duan t'i dërgojnë fëmijët nëpër shkollat", [33] . Pra athere, në Bregdet ka më se një shkollë të Misionit.

Misionari arbëresh, Zef Sqiroi, që ndejti , me pak intervale, në Bregdet, në vitet 1716-1736, na thotë se duhet të vihet e t'u mësojë njerëzve të shkruajnë e të këndojnë, që të mësojnë Doktrinën e krishterë e ushtrimin e përditshëm të fesë [34]. Ai u mësonte jo vetëm djemve, po dhe vajzave, [35] jo vetëm të krishterëve, po dhe mysylmanëve, jo vetem greqisht, po dhe latinisht e shqip.[36]

Është dëshmia e parë dhe e fundit që kemi se Doktrina e krishtere u mësohej edhe shqip nxënësve të shkollave fetare të Bregdetit. Duhet besuar se shqip u ka mësuar fëmijëve edhe arbëreshi tjetër, Zasi, dhe po keshtu Katalanoja, për të cilin dimë se predikonte shqip në kishë [37].

Nga të dhënat jo të paka që kemi për shkollat e Himarës në vitet 1627-1736, marrim vesh se ato qenë shkolla fetare për nevojat e Misionit, shkolla që i frekuentonin së pari priftërinjtë dhe me vonë të rinj që destinoheshin për shërbimin fetar, e gjithashtu edhe djem të vegjël dhe (të dielave) çupa. Mësimi i zakonshëm qe kateqizmi (doktrina) greqisht, edhe shqip. Shkolla u mësonte atyre së pari, të lexojnë e të shkruajnë dhe ky ishte interesi i veçantë që tregonin bregdetasit për tu lidhur me misionarët. Në një raport të vitit 1732, të mbajtur në Kongregacionin e Shenjtë nga sekretari i Propagandës, ky, sipas të dhënave të Z. Sqiroit, thotë: mundet që himariotet duan misionaret, (Dh.Sh) me interes që të kenë mësues, që tu mësojnë gratis djemve të tyre. Ky qëllim jo vetëm që nuk është në kundërshtim me atë të misionarëve, por përkundrazi është nja nga mjetet e para për të ushtruar me frut veprimtarinë e tyre: dhe s'ka qenë më tjetër mjet që misionarët jane futur e kanë qëndruar gjer më sot në shumë misione kryesore [38].

Kështu etja për arësim ishte e fortë në popullin tonë gjatë shekujve të errta të sundimit turk dhe ajo shpjegon se në kushtet e veprimtarisë së misionarëve të huaj, populli gjente mënyrën që jo vetëm të merrte një fije dituri, por edhe të bënte përpjekje për të shkruar gjuhën e vet e për të përtërirë kulturën e vet kombëtare. Me interes është fakti që në shkollën e Bregdetit shkojnë siç e pamë njerëz nga Delvina. Në to venë njerëz nga Tërbaçi dhe fshatrat rreth e qark Himarës, që sot numërohen të Labërisë. Dokumentat flasin më se një herë për nxënësit që vinë nga fshatrat e ndryshme përreth. Ne treguam se si më 1670, në Himarë erdhi e mësoi nje prift nga Voskopoja. Me 1699, shohim se atje vinë të mësojnë edhe nga Bitylqi (Bitulchi) i Shqipërisë, i cili është pesë ditë larg Himarës. Duhet të jetë sigurisht fjala për Bythkuqin apo Vithkuqin e Korçës, të cilin dokumentat e paraqesin ahere si një fshat me 1000 frymë [39].

Po të kujtojmë se çfarë zhvillimi të madh kultural morrën Voskopoja e Vithkuqi në shekullin XVIII dhe punën për shqipen që dimë të jetë bërë atje atë kohë dhe në fillim të shekullit XIX, faktet e mësipërme paraqesin një interes të veçantë dhe tregojnë se shkollat e bregdetit himariot patën një veprimtari dhe ndikim jo me karakter thjesht lokal. Vihemi kështu në gjurma të reja të veprimtarisë për arësimin dhe për shqipen e shkruar në shekullin XVII-XVIII. Është koha kur në Shqipëri të veriut punojnë Budi, Bardhi e Bogdani; kur në Pëdhanë (1638, 1650) mësohet gjithashtu shqipja në shkollën fetare katolike [40], kur në Korçë kemi shkollë greqishte (1637), kur nis të lulëzojë arësimi në Janinë; kur duket se shkruan Papa Totasi shqip (shek. XVII), kur në S. Pietro Montorin të Romës çilet edhe një katedër e shqipes për misionarët e ardhshëm (1711), kur në Elbasan dimë të kemi një shkollë greqishte(1736). Kështu shekulli XVII dhe fillimi i XVIII-it, përbëjnë një etapë të rëndësishme në zhvillimin e arsimit dhe të kulturës në vëndin tonë, etapë kur do të fillojë sërisht hov edhe shkrimi i shqipes, pas rrënimit që letërsia jonë e mesjetës pësoi në shekullin XV. Fund



[1]. Nga Daniel Kortes - v. Artikullin tonë: Një tekst i pazbuluar shqip i vitit 1638 të rev Nëntori, qershor 1958, f. 148

[2] G. Schiro. Dela lingua albanese e della sua literatura në Anuario de R. Ist. Orientale di Napoli. 1917-1918, Fq. 75.

[3]. Veprën tonë: Bibliografi e historisë së vjetër shqipe, Buletini i Universitetit Sh. Tiranës, Shkencat Shoqërore, 1962, 1, nr.13 dge 32.

[4]. Po aty, 2 nr.52

[5]. Po aty. 1. Nr. 43-45

[6]. Roma e l’oriente, Dhjetor 1912, f 112

[7]. N. Sathtas. Neoelliniki filologia, Athinë fq. 122 sp. Brunello, Neofito Rodino, në Bulletino della Badia greca di Grotta- Ferrata 1951, fq. 151, sh.20

[8]. V. për këtë E.Legrand Bibliotheque helleniaue du XV-XVI e siecles, Paris 1885, v.II, fq. XXIII-LXXVII

[9]. N. Borgia. I monaci Basiliani d’Italia in Albania, Roma 1935, 1-0 periodo fq. 42-43.

[10]. Legrand. Vepër cituar V.II, fq. 112; Brunello vepër cituar fq. 212-213

[11]. Brunello, fq. Fq. 215-216

[12]. Ky ruhet në Bibiliotekën Vatican, Cadices Graes. Nr. 5.- sp. Brunello,fq. 215

[13] Veç veprave të cituara v. sidomos C. Karalevskij, Documenti inediti per servire alla storia della chiesa italo-greche, në Bessarione, Roma 1912-1913

[14-15]. Po aty, fq. Fq.101, 108

[16]. V. edhe Borgia, vep. Cit. XVII siecle, Paris 1894, vëllI, fq. 62 dhe sh.2 [18]. Karalevskij, vepër e cituar, fq. 127; la dottrina e gia stata introdotta e stampata in lingua albanese, pero non credo che occorrera par fatica di tradurla di nuovo; se vorra ne mandero delle stampe in qualche numero.

[19-20]. Po aty

[21]. Borgia, Vepër e cituar 2-0, Periodo Roma 1942, fq.166

[22]. Po aty. 1-0 Periodo, fq. 49- Arkivi i Propaganda Fides: Att 30, fl. 108, vell.28 1559 23-26 Po aty, fq. 83, 101-102

[27]. E. Legrand, Lettere inedite, by R. P. Joan Camillis de Chio, Paris 1899, fq. 16 - Borgia, veper e cituar periodo, fq. 146-159.

[28]. Borgia. Po aty, fq. 169-171

[29]. Po aty , 2-0, periodo, fq, 36 30-35. PO aty, fq. 46, 51, 64.... 138, 155 36. Roma e l'Oriente, dhjetor 1912, fq. 116 37. Borgia, po aty, fq. 64 38. Po aty, fq. 166 [39]. Po aty, f. 75, sp. Ark. Propaganda Fide: Atti 1699

[40]. Hylli i dritës, Shkodër 193, fq. 237 vj. Burime të zgjedhura të Historisë së Shqipërisë. Tiarnë 195 , vell III,

No comments: