Thursday, June 05, 2008

KAPEDANËT Nëpër MUZGJE TË HISTORISË

Shkruar nga Dr. Margarit Gjoka

Para pak kohësh një bashkëfshatari im, Aleks Qesari, më takoi dhe më kërkoi mendim rreth nje tufë vjershash që kishte sjelle me vete. E hapa me kureshtje dhe u befasova kur i mbarova së lexuari ato vargje popullore. Shumë shpejt pas konsultash dhe një pune këmbëngulëse ai mundi ti shtypë dhe t’ju a japë ne dorë edhe bashkëfshatarëve të tjerë në librin me titulli “Shtigje kapetanësh”. Çdo lexues i këtij vëllimi do ti duket se futet në një nga odat e Qeparoit. Aty ku bisedat janë me tematikë të shumëanëshme kohore dhe hapësire, nga shekujt më të largët e perandori të largëta. Këto oda burrash kanë qenë shkollat më të hershme që janë hapur në Qeparo. Diskutohej në këto oda për hallet jo të përditëshme dhe përballimin e tyre deri në lartesinë e një miti. Kontributet e fshatarëve të shquar gjatë shekujve për të mirën e fshatit tregohen me mburrje. Dhe më të moçmit i “shëtitin“ të rinjtë në shtigjet e kapedanëve si Sokrat Leka, Qirjako Kapasi, Lord Stefani etj. Pastaj vjen cilkli i punëve të përdishtëshme, gjahut, bregoreve, ullishtave, lundërtarëve që çajnë detin me karave etj. Dhe secili bisedues i përmbahet një thjeshtësie të mahnitëshme, me atë gjuhë që flet përditë dhe që sigurisht nuk është gjuha letrare por megjithatë ka koloritin e saj tërheqës krahinor.

Duke e lexuar këtë vëllim ndjehesh pikërisht në këtë atmosferë, pra ndjen erë Qeparoi dhe bregdeti himarjot në tërësi, me historitë dhe njerëzit e saj legjendarë. Ndonse mund të përpunohej akoma nga pikëpamja teknike, autori e ka realizuar qëllimin e tij: po ju lë brezave te qeparotësve që vijnë virtytet e çmuara të të parëve të tyre, trima kapedanë të penës e të dyfekut si gjithë himarjotët, puntorë e krijues, këngatarë e me ndjenja të holla.

Pjesa e parë e vargjeve të tij popullore i kushtohet kapetanëve të këtij fshati që shpesh quhet dhe fshati i kapetanëve. Shquan Sokrat Leka, Gjikë Thanasi, Qirjako Kapasi, Kiço Vlashi etj. Pikërisht në këtë kohë qëllon që shfletoj dhe librin e prozatorit të njohur të emigracionit Pirro Loli dhe u ndodha po ashtu i befasuar kur në kapitullin e dytë të tij ndesha prapë Kiço Vlashin. Ç’koinçidencë thashë me vehte, edhe Zagoria e paska pasur një trim me të njëjtin emër si atë tonin, Kiço Vlashi. Por duke lexuar më poshtë vura re se edhe kënga që i këndohet Kiço vlashit nga Qeparoi ishte e njejtë me atë që na përmend z. Loli në librin e tij. Dhe ja vargjet që na sjell z. Loli nga vëllimi “Këngë popullore nga Zagoria” i Stefan Bulos: “Kiço Vlash të erdh mandata, ‘ tetëdhjetë sejmenë prapa / Tetëdhjetë sejmenë qenë, vranë Kiço Vlash lulenë....”. Pikërisht ato vargje që unë i kisha dëgjuar që i vogël nëpër dasma pa e kapërxyer pragun e fshatit! Çështja mu duk mjaft serioze. Mos është i njëjti kapedan të cilit dikush i jep një pasaportë tjetër ashtu siç bëhej rëndom pas viteve 90 ?

Duke mos i besuar me kujtesës sime fillova të konsultohem me autorë të tjerë. Tek libri i z. Spiro Rrusha, drejtor i arkivit të shtetit për shumë vite, “Qeparoi, Historia dhe kultura popullore”, , gjej këtë tekst : “Proto mars seç erdhi karta /Kiço Vlash të erdh mandata, të mbeti koka në Agrafa /tetëdhjetë hajdutë prapa/ / Tetëdhjetë hajdutë qenë/ vranë Kiço Vlash lulenë...Kiço Vlash nga Qeparoi/Bregun e detit çe nderoi. .” (faqe 94 e librit të lartpërmendur) Kënga nuk lë dyshim për origjinën e kapetanit Kiço Vlashi. Në të njëjtin vëllim gjejmë dhe një vjershë tjetër kushtuar kapedanëve ku përmendet përsëri “Polo prift me të vëllanë /Kiçua me Zaho Vlashnë/. E ndërkaq vëllai i Kiços Zaho Vlashi është protagonist edhe i vjershave të tjera popullore të cilat këndoheshin në dasmat qeparotëse si psh “Zao Vlash e Polo Mara/ të dy me armë të lara../. Shënojmë se Agrafa përfaqëson toponimi në Janinë, ku dhe shërbente kapedani Kiço Vlashi pranë Ali pashës. Përkatësinë e Kiço Vlashit nga Qeparoi dhe që kishte miqësi me Haxhi Bedo Borshin, na e thotë dhe Janko Pali në librin “Historia e Qeparoit” (faqe 62), botuar sipas dorëshkrimit të tij të përgatitur që në 1962.

Por ka një detaj që duket se i ndan këta “binjakë” nga emri: Kiço Vlashi nga Qeparoi e ka aktivitetin e tij të lidhur me Ali pashën. Kurse ai nga Zagoria më herët, (1735-1770). Kemi këtu një rastësi që muza popullore përdor të njëjtat stereotipe apo kallëpe dhe flasim për dy kapedanë të ndryshëm? Kam mbetur i dyzuar dhe mbase z. Loli mund të na ndihmojë të kuptojmë këtë dyzim emrash e figurash të shquara.

18-10-2005 (Gazeta Tribuna-Athine)

No comments: