Friday, June 27, 2008

KUNDER SKEMES NARRATIVE PARANOIDE-KONFRONTIVE TE HISTORISE SHQIPTARE

(marre nga gazeta tribuna)

Nga Dr. M. Gjoka


“Është fjala për një prirje, në vetvete objektive, për ta rivendosur a rikthyer historinë e shqiptarëve në kontekstin ballkanik dhe më gjerë evropian e mesdhetar, përtej skemave narrative paranoide-konfrontative. Ardian Vebiu (Shekulli, 15 qershor 2003).

Mora shkas per të shkruar këtë artikull nga një debat në portalin alb-shkenca në qershor të 2005 ku shkruan një gamë e shkencëtarëve të rinj shqiptarë që kryejnë aktivitetin shkencor jashtë Shqipërisë. Tek disa prej tyre në emër të një patriotizmi të sforcuar vihet re një tendencë për të krijuar një klimë konfliktualiteti me shkencetarët dhe kulturën greke. Kjo përbën ringritje të mureve të Berlinit po tashmë në mendjen tonë apo ndoshta mos shembje e tyre, ato kanë qenë dhe vazhdojnë të administrojnë nje pjese te botës intelektuale shqiptaro greke. Kurse në shkallë institucionale gjërat janë krejt ndryshe. Institucionet shkencore shqiptare realizojnë bashkepunime shkencore në shumë fusha me ato homologe greke. Është e treta herë që funksionon mekanizmi i projekteve kërkimore dypalëshe greko-shqiptare. Një pjesë e rëndësishme e tyre janë në fushën e trashëgimisë kulturore ku shkencëtarët e të dy palëve po studjojnë kryesisht objekte arkeologjike të territorit shqiptar. Do te ishte e arsyeshme pikërisht prej tyre të presim prononcime lidhur me rezultatet e studimeve të përbashkëta.
Përmendim në këtë kuadër dhe nisiativën e z. A. Spiro për botimin e revistës Albanohellenica ku ndoshta është forumi më i përshtatshëm për paraqitjen e studimeve të tyre në pikat e përbashkëta dhe divergimeve midis konkluzioneve shkencore të palës greke dhe shqiptare. Gjithashtu revista “Pelegrini” si dhe revista elektronike “Arkipelag” krijon një klimë tjetër vlerësimi dhe bashkëpunimi me letërsinë dhe kulturën greke duke mundësuar përkthimin e autorëve grekë për emigrantin shqiptar që ndoshta nuk e ka fatin për t’i lexuar direkt në orgjinal. Në këtë kuadër përmendim essenë e Pirro Lolit “Mendime dhe analiza mbi miqësinë seksin dashurinë artin dhe filozofinë” rreth kryeveprës së Niko Kazanxaqit "Jeta e Aleksis Zorbas” e cila po përkthehet në shqip. Studime të tilla na kujtojnë essenë e Kadaresë “Eskili ky humbës i madh” dhe shprehin faktin e thjeshte që vlerat kulturore nuk krijojnë mure por ura bashkimi të popujve.Në të njëjtën kohë një debat i gjërë është i hapur në Shqipëri për rishkrimin e historisë së Shqipërisë.

1) Egzagjerimi nacionalist në libra tip “Enigma” për të cilin kemi lexuar mini artikuj edhe në faqet e shtypit shqiptar në Greqi mbetet mjaft i lexueshëm tek një pjesë e pa azhurnuar me historinë

Duke lexuar shtypin e përditshëm shqiptar shpesh ndeshesh me artikujt të trajtuar në nivel relativisht akademik (ku shkohet me aeroplan nga Tirana në Ndroq do ta karakterizonte dikush gazetarizimin e disa probleme speciale madhore të historisë) nga të cilat mund të veçojmë polemikën e shkakëtuar nga z. Ardian Klosi i cili ka si boshtkëmbënguljen e tij kundër shtrëmbërimeve vulgarizuese dhe antishkencore që vazhdojmë t’u japin fëmijëve dhe rinisë në tekstet shkollore. Në tregimin-pamflet të famshëm historik “Moisiu në mal e në det” (“Shekulli”-Prill 2003) z. Klosi duke dashur të tregojë absurditetin e vulgarizimeve antishkencore, rrymën spekulative ku përfshin dhe një numër të madh botimesh, ndër të tjera gjithë literaturën nacionaliste, sjell si shembull librin “Enigma” të përkthyer nga Xhevat Loshit. Kur e lexova për herë të parë atë libër, e para gjë që vura re ishte se përkthyesi nuk kishte mundur të shkruante qoftë edhe dy fjalë parathënie për idetë e parashtruara në 300 faqet që ai përktheu nga një farë historiani i quajtur D’Angely. Por sapo munda ta përfundoja me shumë sforco leximin e atij libri, e kuptova arsyen. Dhe ndërsa thuajse e kisha harruar fare, z. Klosi ma rrisjell ne mendje këtë libër të cilin ai e quan “një botim katastrofik, ku shqipja del si gjuhë e parë e botës, ku ndër të tjera emra grekërish të vjetër si Pithagora shpjegohen me “bythëgjeri”, “Mitileni”(ishulli Mitilini-sh. autorit) me “*** i lënë”, Akileu me “aq i lehti” etj. Përkthyesi dhe propaganduesi i këtij libri është bash Lloshi.”(Shekulli dt. ). Me tej “sipas “Enigmës” dhe Lloshit: Kerkira vjen nga “kërcuri”, Malta nga “mjalta”, Sikelia nga “si kali”, Odhiseus është “udhë s’shehu”, Agamemnoni “Aqëmemënti” (dmth. aq me mënt), Pallamidhis “pallëmadhi” (merre si të duash), Arkimidhis “kryemadhi”, Midhea “e madhja”, Athina “e thëna”, Poseidhoni “pati denë” (dmth. pati detin), Trojanët-trujanët “ata me tru”, Eolët “të hollët”, Penelopi “penë e lypi”, dmth. lypi perin. Të gjitha në vetëm dy faqe, 116-117. Falënderojmë së fundi të ndjerin autor D’Angely dhe Lloshin për këtë gaz të papërmbajtur që na dhurojnë. ..”SQ'> Nje liber tjetër me kontribut të ndjeshëm në shtrëmbërimin e fakteve historike sipas A. Klosit-është “Fundi i misterit të Etruskëve” të përkthyer nga Skënder Shkupi. “Tani –thote z. Klosi kishte shumë zëra që e shikonin shqipen jo vetëm në themel të mbishkrimeve mesapike dhe atyre etruske (Zaharia Manjani, “Fundi i misterit etrusk”, Tiranë 1974, përktheu S. Shkupi), por edhe në bazë të hebraishtes dhe të shkrimeve të shenjta. Këto libra divulguese kanë efekt të kundërt me atë të cilin synojnë përkthyesit e tyre. Për të diskretituar nje ide, thotë një fjalë e urtë, mbështete dhe egzagjeroje atë duke e çuar deri në absurditet.

Paretimologjia (dmth operimi me kritere jo shkencore të etimologjissë, shkencës që shpjegon prejardhjen e fjalëve) është baza e kësaj tabloje jo normale që kritikohet prej z.Klosi dhe jo vetëm. Në studimin e z. Dh. Qiriazi (Albanohellenica Nr 2, faqe 7-14, 2000-2001) bëhet një analizë e plotë e paretimologjisë së bërë nga rilindasit tanë Por në fund të fundit skema e rilindasve ishte e diktuar nga qëllimi për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe nuk mund të merret si e bazuar shkencërisht.

2) “Mbetem një përkrahës i palëkundur i ideve tuaja për rishqyrtimin e historisë sonë”-S. Shkupi

E ndërsa studjuesi shqiptar z. Xhevat Lloshi, në vend që të marrë përgjegjësinë për përkthimin e tij e librit famëkeq “Enigma” apo të mbrojë vlerat kulturore që mbart ky përkthim, turret të vertetojë se z. Klosi nuk zotëron nocionin “përkthimi” as në nivelin e një fillestari, z. Skender Shkupi bën një polemikë interesante që nga pikëpamja qytetare do ta bënte të skuqej z. Klosi, por konkluzioni i tij është pak a shumë që ai ndan të njëjtat mendime me të përsa i përket historisë, që ajo duhet rishkruar. Siç shprehet ai “ unë kam qenë dhe mbetem një përkrahës i palëkundur i ideve tuaja për rishqyrtimin e historisë sonë. Por ajo që më shqetëson është që ky rishqyrtim të mos bëhet, qoftë edhe pa dashje, mbi bazën e platformës serbe apo greke të sotme …” (Shekulli, 23/04/2003).

Pra jo vetëm që A. Klosi nuk po kryqëzohet dot nga historiografia totalitare, por gjen përkrahës pikërisht edhe ata që ai i kritikon. Pro ideve te A. Klosit shkruan edhe Ardian Vehbiu (Shekulli, 15 Qershor, 2003) ku ndër të tjera thotë “...fillesa Rilindëse e historisë do t’i mëshonte më tepër kontributit të shqiptarëve në lulëzimin e kombeve a kulturave të tjera; në kuptimin që shqiptarët, ende pa e pasur dot një histori të vetën, ua kishin shkruar historinë të tjerëve: pellazgët e lashtë që u dhanë grekëve "fjalë perëndish", perandorin Kostandin, Jan Kukuzeli e kështu me radhë deri te Qyprillinjtë, Arkitekt Sinani, Aleksandër Moisiu e Karl Gega.”

3) Interpretimi ose vlerësimi hipën (paraprin) mbi faktin dhe dokumentat.

Historia e zhvillimit të ngjarjeve për zona të cilat nga pikëpamja administrative kanë kaluar në për shumë perandori dhe së fundi pjesë të tyre janë gjendur në zotërim shtetesh të ndryshme, ashtu siç është për Epirin e ndarë më dysh, ka tërhequr studjus të ndryshëm të cilët i kanë parë ngjarjet me kënde të ndryshme dhe shpesh konfrontive. Për më tepër që sipas studjuesit A. Klosi në hartimin e teksteve mbi historinë egziston një problem i mprehtë ku interpretimi ose vlerësimi hipën mbi faktin dhe dokumentat. Por në kohën e sotme kur tendenca e shteteve është të integrohen në një Europe te Bashkuar dhe ku veçanësia e njërit apo tjetrit vend veç e pasuron kulturën Europiane, lypset dhe një riballafaqim shkencor midis tendencave deri dje të kundërta. Kështu ndërsa fëmijët e emigrantëve në Greqi mësojnë një tekst historie për trojet ku kanë lindur prindët e tyre si psh në Sarandë, kur ata hapin të lexojnë gazeta apo tekste historie shqiptare ndeshen me një histori të kundërt. “Të kaluarën –thotë Alen Boske – nuk mund ta pushtosh, as mund ta ndreqësh, dhe në se i del për zot, është e domosdoshme ta mbash parasysh duke pohuar se jemi njëherazi zotërit dhe skllevërit e saj (cituar në librin “Eskili, ky humbës i madh”).

4. TË DHËNA ALBANOLOGJIKE

Përballë racionalizmit që kanë shfaqur autorë të tillë si A. Vehbiu, A. Klosi dhe të tjerë për historiografinë shqiptare gjeta në sadin alb – shkenca veç të tjerash dhe një inkubator virusesh të nacionalizmit. Duke dashur ti kundërvihem metodologjisë amatore të disa studjuesve në trajtimin e historisë në një nga mesazhet e mia shtrova anti- tezën: le të mos e kërkojme të keqen që sipas ndokujt “është historiografia greke ajo që ka kaluar dokrat e saj në historiografinë botërore”. Së pari le të çlirohemi nga kompleksi iracional i trajtimit të historisë shqiptare (apo nga i quajturi shqiptarocentrizëm) në po atë frymë që e kanë trajtuar polemizuesit e lartpërmendur. Shumë shpejt konstatova se pa dashur kisha hapur “kutinë e Pandorës” dhe gjithfarë erëra mesazhes erdhën në adresen time. Ndoshta në këtë kuadër, ndërsa e kisha dërguar në “Tribuna” pjesën e parë të artikullit tim, z. Vehbiu rikonfirmon në shtyp (gazeta Bota Shqiptare-e emigracionit shqiptar në Itali qershor-korrik 2005) tezat e tij të cilat përmbledhtazi janë:
a. Shumë studiues, shqiptarë e të huaj, e shohin shqipen si vazhduese të një dialekti jugor të ilirishtes me elemente të mbivendosura të trakishtes; në një kohë që popullin shqiptar e mendojnë të formuar si popull pak a shumë në trojet ku ndodhet edhe sot.
b. Të tjerë studiues kanë rezerva sidomos për karakterin etnik të vijës bregdetare të Shqipërisë në lashtësi, ndërsa shqipen vetë e mendojnë si vazhduese të një dialekti të trakishtes ose dako-mizishtes.
Të dyja këto shkolla dijetarësh pajtohen në tezën tashmë dyshekullore se shqipja si gjuhë i përket familjes indo-evropiane, e mbështetur nga E. Çabej nëpërmjet studimeve etimologjike e të fonetikës historike dhe Sh. Demiraj, nëpërmjet gramatikës historike të shqipes.
Megjithatë, është praktikisht e pamundur të thuhet diçka e arsyetuar dhe koherente në lidhje me proto-ilirët ose me popujt që u paraprinë ilirëve në Ballkan, meqë për vetë gjuhën e ilirëve njohuritë janë krejt të pamjaftueshme e të segmentuara vijon më tej z. A. Vehbiu.
Dhe ky zhvillim në albanologji i ngjan pak a shume atij evolucioni qe ndodh edhe ne natyrë siç e ka përshkruar dhe Ajnshtajni në “Evolucioni i fizikës”. Ashtu si psh filozofia e Aristotelit m i a la vendin asaj karteziane, apo eteri u hoq nga fjalori si një “element” i panevojshëm për shpjegimin e natyres, apo fizika e Njutonit nuk mund të shpjegojë me tej universin, edhe në shkencën albanologjike një sërë idesh fillestare hidhen poshtë dhe zevendësohen nga të tjera më të besueshme.
Natyra indo-evropiane e shqipes u përsiat së pari në fillim të shek. XIX nga F. Bopp-i dhe të tjerë themelues të gjuhësisë krahasimtare, studiuesit e mëpasmë u mbështetën në tezat dhe hipotezat e Bopp-it për t’u shtyrë më tej, G. Meyer-i i pari hartoi një fjalor etimologjik të shqipes, duke u mbështetur kryesisht në analizën e huazimeve latine të kësaj gjuhe. Gjatë shekullit XX, albanologë si H. Pedersen dhe N. Jokl i përmirësuan rezultatet e Meyer-it madje duke i përmbysur në disa raste; ndërsa Çabej, në vazhdë të Jokl-it, ia doli të sintetizojë në studimet e veta lapidare pothuajse dy shekuj kërkimesh etimologjike dhe të fonetikës historike. Përkrah këtyre studiuesve, të tjerë autorë si Kretschmer, Thumb, Weigand, Skok, Petrotta, Tagliavini, Cimochowski,La Piana, Riza, Desnickaja, Demiraj, Ölberg, Hamp, Huld, Camaj, Ajeti e të tjerë dhanë kontribute të shënueshme, për të çuar përpara dijen në fushat përkatëse. Pra ka një vijueshmëri të procesit njohës dhe për sa kohë nuk rrëzohet teorine e prejardhjes indo-evropiane, çdo ngrehinë tjetër është e pathemeltë.

5. SHKENCË APO PSEUDOSHKENCË ?

Në kontrast me shkencën e Albanologjise, në kundërshtim të hapur me arsyen shkencore dhe historike, shfaqen tezash studiuesish ndoshta dashamirës por diletantë ose të fantaksur me citime nga autorë të lashtësisë, deduksione primitive, interpretime të gënjeshtërta ose të thjeshtëzuara tezash albanologësh të njohur. Rrënjët e këtyre teorive e kanë zanafillën te Z. Mayani, R. D’Angely, G. Catapano, A. Kola, A. Belusci, N. Vlora-Falaschi –shtjellon më tej idetë e veta z. Vehbiu. Virusi i fesë nacionaliste ka dalë jashtë kontrolli në qarqet ku fermentohet shqiptaria në Internet, dhe sidomos në municionin e pashtershëm të nacionalistëve, sa herë që këta u turren mullinjve armiqësorë të radhës.
Nqs do ti referohemi A. Kolës i cili me të vërtetë konsiderohet si shqiptar i madh, ideja bazë e tij, të cilës i anashkalojnë mjaft referues shqiptarë, është se grekët dhe shqiptarët kanë të njejtën prejardhje dhe grek dmth “shqiptar i arsimuar”. Përmbajtjen e këtij mesazhi për afrinë e dy popujve nuk e ka kuptuar as N. Kulla, autori i parathënies së librit “Arvanitasit dhe prejardhja e tyre” të përkthyer në shqip (ku edhe përkthimi lë mjaft për të dëshëruar). Pra përfytyrimi i tij për krijimin e kombit grek e shqiptar i ngjan pak a shumë një qelize që një moment të caktuar ndahet në dysh duke krijuar dy të reja.
Gjetja tek Homeri e fjalëve që përfshihen në gjuhën e sotme shqipe, e paraqitur për herë të parë nga Dhimitër Kamarda, shtjellohet nga studjuesi A. Kola dhe ndonjë tjetër si një provë e hipotezës që shqipja ishte një nga idiomat e gjuhës greke. Në se pranojmë si të vërtetë këtë hipotezë ndoshta do të mund të shpjegohet pse një komb aq i lashtë pellazgo-iliro-shqiptar arriti të krijojë alfabetin e vet vetëm një shekull përpara duke qënë kaq pranë nje civilizimi që sot konsiderohet si pikë referimi e qytetërimit perndimor. Ai e kishte pra alfabetin e vet, atë greqisht dhe vetëm pas evolimit të dy idiomave të së njëjtës gjuhë, idioma e dytë e gjuhës greke u gjend para një katastrofe: ajo kishte nevojë për një alfabet të ri. Mutacionet e dy mijëvjeçarëve i sollën ato dy gjuhë në stadin e sotëm sa ato të konsiderohen krejt të ndryshme. Kjo skemë duket mjaft ideale për të qenë e vërtetë dhe përsëri A. Vehbiu ashtu si dhe Dh. Qiriazi (Albhelenica Nr 2, 2000-2001) e kosideron hipotezën e A. Kolës si paretimologji (shpjegim i gabuar ).
Kurse shqiptarocentristët e shtyjnë më tej këtë model duke pohuar se shqipja është nëna e gjuhës greke, ndonse alfabeti i saj i takon shekullit të 20-të, se Homeri është pellazgu paraardhës i shqiptarëve të sotëm, ndonse shkrimet e para shqipe janë të shek 16, dhe mrekullirave të tjera të Lizës në botën e çudirave. Këtij modeli themelet i qëndrojne në erë
Tezat e N. Vlora-Falaschi për lidhjet fantazioze shqiptaro-etruske që parashtroi para një publiku dashamirës në Prishtinë u kundërshtuan nga dy gjuhëtarë albanologë, I. Ajeti dhe R. Ismajli. Ata i vunë në dukje referueses se po i ftillonte mbishkrimet etruske me fjalë që kanë hyrë në shqipen nga turqishtja e sulltanëve (shih A. Vehbiu, Shqiptarizimi i Origjinës-Bota shqiptare-Qershor).
Dimensionimi i vlerës shkencore të N. Vlora-Falaschi nuk dmth të mos njohim veprimtarinë e saj pro-shqiptare. Gjithashtu ndokujt do ti duket thuajse absurde të reduktosh tezat e A. Kolës si një tërësi hipotezash jo shkencore. Por duhet të dallojmë figurën e lartë të tij si ideolog proshqiptar i cili ju kundërvihet ekstremistëve nacionalistë duke konsideruar se popujt grek e shqiptar janë jo vetëm fqinjë, por një pjesë e popullsise greke, arvanitasit kanë lidhje të drejtpërdrejt me shqiptarët. Dhe kjo nuk është hipotezë por e vërtetë historike.

6. ARVANITASIT

Në këtë kontekst përmendim se ka dhe autorë të tjerë si akademiku Prof. K. Resuli të cilët kalojnë në ekstremin tjetër. Shqiptarocentristët do të ngelen mjaft të zhgënjyer po të lexojnë librin e tij “Marginale” ku thuhet se Naimi, Samiu, Abdyli, A. Moisiu, Viktor Efthimiou, Tefta Tashko, Spiro Moisiu, Aleksander Moisiu, Themistokli Gërmenji, Dhimitër Shuteriqi e të tjerë jane të etnisë vllahe. Bile do te ngelen pa mend, ashtu siç ngela dhe unë, po të mësojnë se ministri i financave Cako i qeverisë së Ismail Qemalit propozoi si gjuhë zyrtare të shtetit shqiptar atë Vllahe (Mihal Grameno-Antika Kombetare Tiranë-faqe 108, po i njëjti burim Arginale i lartpërmendur-cituar nga gazeta Koha Jonë- 21 nëndor 2003). Më tej z Kapllan Resuli thotë “Shqiptarët as sot e kësaj dite nuk kanë personalitete, shkencetarë, shkrimtarë dhe artiste me famë botërore.....” duke e lënë po thuaj bosh pavionin e krenarisë iliro- shqiptare. Dhe si paradhënie e kontributit të popullsise vllehe- vijon më tej K. Resuli- shqiptarët shkatëruan egërsisht Voskopojën, një lloj mini Aleksandrie e Ballkanit. Është interesant të vëmë në dukje se megjithatë gjuha bazë e Akademisë së Voskopojës nuk është ajo latine (arumune) që do të pritej nga popullsia vllehe dhe as ajo shqipe e ndërkohë konsiderohet si një vatër e qytetërimit shqiptar-(Z. Xholi-Konferenca ballkanike për filozofinë, Selanik 1991, faqe 31) ndonse u rrënua nga vetë shqiptarët.
E megjithatë interpertimi i z. Resuli është tej hapsirës dhe kohës reale duke e çuar atë në konkluzionin e gabuar, në mohimin shqiptarësisë së figurave të rilindasve tanë. Vllehët asnjëherë nuk kanë përbërë minoritet etnik qoftë në Greqi qoftë në Shqipëri. Po në të njëjtin raport të gabuar qëndron dhe teza e shumëreklamuar se “Fakti që shqiptarët kanë luftuar si pjesë e perandorisë otomane për të shtypur kryengritjen greke nuk ka se si ta mohojë, neutralizojë, ose zhdukë faktin që shqiptarët i kanë dhënë një ndihmesë të shquar luftës së grekëve për pavarësi”
Arvanitasit siç e kanë theksuar edhe vetë ata, përbëjnë pjesë të pandarë të popullit grek në territorin grek, homogjenizim i realizuar gradualisht që nga shek. 13. Arvanitasit nuk erdhën (si Petro Marko të themi shkoi në luftën e Spanjës) për të ndihmuar grekët, por luftuan për lirinë e tyre dhe ata janë zotër në Greqi aq sa dhe pjesa tjetër e popullsisë e mirefilltë greke ( shih Kosta Biri me “Dorianët e Helenizmit te ri-1964”, Aristidh Kola tek “Arvanitasit dhe prejardha e grekëve-1986, “Arvanitasit grekë” (M. Dede) si dhe deklaratën e “Lidhjes së arvanitasve grekë” në 1899 e deri tek Melina Merkuri-“Jam lindur greke”). Arvanitasit përbëjnë një minoritet kulturor por etnikisht të padallueshëm. Por origjina e tyre ka ngelur deri ditët e sotme në ndërgjegjen e tyre dhe Pangalo, ish ministri i punëve të jashte me orgjinë arvanitase do të deklaronte në ditët e pasndeshjes Shqipëri- Greqi- se “shqiptarët dhe grekët janë si dy vëllezër që zihen midis tyre”.

Ja pra pse mendoj se shqiptarët duhet të merren vesh për historinë e tyre se sa të kërkojne të keqen tek autorët grekë. Sigurisht ju takon gjuhëtarëve, historianëve, arkeologëve etj të mbështesin ose rrëzojnë këto teza dhe në këtë shkrim synohet të evidentohet kjo polemikë që mbetet interesante për sa kohë që debati nuk del nga qëllimi i vërtetë i procesit njohës.KUNDER SKEMES NARRATIVE PARANOIDE-KONFRONTIVE TE HISTORISE SHQIPTARE


1 comment:

herodot_2 said...

Lloshi mes Akileut dhe Menelaut

nga Ardian Klosi

Lexuesi i gazetës “Shekulli” dje duhet të jetë habitur jo pak që në vendin e shkrimit kryesor të ditës, pra në rubrikën “Opinion”, që nis në faqen 1 e vazhdon në f. 15 të gjente një analizë përkthimi. Analizohej nga Xhevat Lloshi përkthimi që Ardian Klosi i ka bërë librit filozofik-historik të autorit anglez Ernest Gellner me titull “Plugu, shpata, libri”. Se sa vetë nga blerësit e gazetës kanë arritur ta lexojnë atë shkrim këtë s’mund ta thuash kurrë me siguri, megjithatë bindja ime është që, në qoftë se dje e kanë blerë gazetën 20.000 vetë, 4 ose 5 prej tyre kanë arritur ta lexojnë shkrimin e Lloshit nga fillimi deri në fund. Kjo për arsyen e thjeshtë se analiza e një përkthimi nuk mund të bëhet pa i pasur në dorë të dyja tekstet: origjinalin dhe përkthimin, dhe se mënyra më e keqe ose më e mbrapshtë për të bërë analizë përkthimi është që t’i shkëpusësh fjalët dhe frazat nga konteksti i tyre. Këtë gjë bënte në pjesën më të madhe të shkrimit të tij Lloshi, për të vërtetuar përfundimin që ai nxjerr në fund të shtjellimeve të tij, dmth. se “Klosi është një përkthyes i paditur”.
Çështjen që pak lexues e njohin aq mirë anglishten sa të diktojnë të metat e një përkthimi filozofik, që shumë pak lexues kanë durimin të lexojnë fjalë dhe fraza të shkëputura nga konteksti i tyre dhe që shumë shumë pak lexues nga këta shumë pak do mund të ndjekin fillin e shkrimit të tij të çaprazitur, Lloshi e di shumë mirë si ideolog i vjetër i gjuhës. Ndaj në fund të fundit ajo që Lloshi do t’i transmetojë lexuesit është se A. Klosi (i vë mbiemrit tim inicial përpara, meqë Klosër të njohur në publik kemi disa, kurse Lloshin e lë pa inicialin e parë, meqë Llosh publik kemi vetëm një), është injorant, diletant, s’njeh morfologjinë, s’njeh drejtshkrimin, s’njeh anglishten etj.. S’kam dyshim që do t’ia ketë arritur këtij qëllimi, me këtë lexues që kemi ne, kaq të lodhur dhe të velur nga fjalët e politikës e të mediave, kaq të mbushur me hallet e jetës së përditshme: vë dorën në zjarr që 19.995 syresh, dmth. përjashtuar nga 20.000 ata pesë që kanë lexuar “analizën e përkthimit”, kanë lexuar vetëm fillimin dhe bishtin e artikullit dhe e kanë marrë mesazhin e Lloshit se “A. Klosi është një përkthyes i paditur”.
Tani dëshiroj t’i kujtoj lexuesit të nderuar, atij të palodhurit me polemikat që ngrehin veteranët e shkencës sonë marksiste, shkaqet e vërteta të shfryrjes së papritur të Lloshit kundër një kolegu përkthyes e gjuhëtar, me të cilin njihet prej kushedi sa vjetësh e me të cilin kanë gjykuar së bashku, si anëtarë jurie, shumë përkthime të të tjerëve. Vuajtja aktuale e Lloshit nuk ka të bëjë aspak me shtrembërimet që i janë bërë një filozofi anglez, të cilin deri dje padyshim nuk e kishte dëgjuar, por me një polemikë që u ndez s’ka pak javë për çështjet e historisë së Shqipërisë, pasi unë kam kërkuar publikisht që të rishihen faqe të errëta ose të shtrembëruara të historisë sonë. Lloshi u ngrit me zemërim kundër tezave të mia “të zeza”. Ndërsa në shkrimin tim të fundit “Moisiu në mal e në det” merrem ca edhe me librin „Enigma“, një botim katastrofik, ku shqipja del si gjuhë e parë e botës, ku ndër të tjera emra grekërish të vjetër si Pithagora shpjegohen me “bythëgjeri”, “Mitileni” me “*** i lënë”, Akileu me “aq i lehti” etj. Përkthyesi dhe propaganduesi i këtij libri është bash Lloshi.
Por ndarja ime me njerëzit e pellgut ku bën pjesë Lloshi është ca më e thellë. Kam qenë student në vitet ´80, atëherë kur ky dijetar bënte pjesë në bërthamën më marksiste të filologjisë sonë, në majën e shpatës së teorisë të “gjuhës së njësuar”, ndërsa ne jetonim me Shvejkun dhe me Bitëllsat dhe kërkonim lirinë në atë pak gjë që nuk ishte ushtarake, siç ishte për fat të keq edhe gjuhësia jonë. Në kohën kur unë përktheja Bernard Shoun ose Hajnrih Bëlin, Lloshi kryesonte hartimin e një Fjalori enciklopedik shqiptar (1985), ku e zëmë për Ernest Koliqin, Vinçenc Prenushin ose edhe Rexhep Qosjen nuk kishte asnjë rresht, kurse për Muho Asllanin plot 28 rreshta, për Pali Miskën 29, ku fotografia e këtij të fundit ishte 8 x 5 cm ndërkohë që Konica dhe Fishta (pasi batërdiseshin me të shara) nuk kishin asnjë fotografi, kurse Lasgush Poradeci e kishte 1,5 x 3 cm.
Konflikti u thellua pas vitit 1990. Kam qenë ndër ata njerëz të letrave, krahas Martin Camajt, Arshi Pipës etj., që kërkuan të pranohej publikisht dëmi i shkaktuar kulturës kombëtare me ndalimin e gegënishtes së shkruar dhe demagogjia e “gjuhës së njësuar”. Lloshi, i cili vazhdonte të kryesonte krahun Hamas të Institutit të Gjuhësisë botoi një libër më 1995 kundër tezave tona armiqësore me titullin “Në mbrojtje të gjuhës së njësuar”.
Kaq sa për të kuptuar i nderuari lexues gjithë atë stuhi analizuese që ngriti dje Lloshi. Megjithatë vetë kam pasur gjithmonë bindjen se në kohën tonë mund të bashkëpunosh me shumë njerëz, prej të cilëve të ndan e kaluara ose pikëpamje të ndryshme kulturore, historiografike etj., për sa kohë respektohet profesionisti dhe një etikë elementare në komunikim. Kurrë nuk do të më kishte shkuar në mendje të analizoja një përkthim të Lloshit a kujtdo tjetër që njihet si profesionist, aq më pak sot kur na kanë vërshyer nga të gjitha anët diletantët e përkthimit. Lloshi e bën këtë gjë, sepse disi do që ta nxjerrë mllefin e “Enigmës” dhe të tjerave. Veç kësaj bën një veprim krejt të pamoralshëm: Si anëtar i një jurie nxjerr materiale të brendshme në publik. Kur ia dorëzoj një jurie shqipërimin dhe origjinalin, unë i lë aty shënimet e mia me laps, në mirëbesim, u lë si të thuash kolegëve laboratorin e punës sime. Kurse Lloshi shënimet e mia i bën çështje publike. Unë fjalën shqip e vë anash me laps, jo sepse nuk e di fjalën anglishte, por sepse kur ta përkthej atë pasazh dmth. kur të kem frymëzimin e duhur, mes shumë sinonimeve që mund të ketë shqipja, zgjedh atë të shënuarin. Është një praktikë që e kam parë nga mjeshtrit e mëdhenj të shqipërimit, Petro Zhej, Bujar Doko, Robert Shvarc etj., me të cilët kam pasur fatin të punoj në një shtëpi botuese (në kohën kur Lloshi u servilosej anëtarëve të Byrosë Politike, të gjithëve me radhë, për të mbushur fjalorin e tij enciklopedik).
Nuk po hyj as dhe në një nga rastet që konteston Lloshi, sepse siç e thashë, e quaj marrëzi një analizë përkthimi në gazetë. Po bëj vetëm pyetjen: Si shpjegohet, kur Gellneri qenka përkthyer kaq keq prej meje, që ai u zgjodh prej kësaj jurie ndër 5 përkthimet më të mira, siç tha në deklaratën e tij kryetari i jurisë E. Tupja? Ja pra një argument më shumë që në zemërimin e tij Lloshit i janë errur kaq keq sytë, sa nuk është bërë si Akileu (“aq i lehti”), por si Menelau (“ment e lanë”, Enigma, f. 116, gjithmonë sipas përkthimit të Lloshit).
Po i kujtoj atij dhe të tjerëve që nuk besojnë as në letrat as në kualifikimet, por vetëm në shpifërimet, se më 1981 në Fakultetin Filologjik kam mbrojtur me rezultatin më të mirë diplomën me titull “Shqipërimet tona nga Dikensi dhe Thekëri”; pra qysh në atë kohë anglishten e njihja aq mirë sa të analizoja (në një vepër dhe jo në gazetë!) përkthimet e V. Kokonës, B. Dokos etj.. Ndërkohë shumë e shumë shkrime të mia, si referate etj. i shkruaj drejtpërdrejt në gjuhën angleze. Edhe për të folurën, Lloshi besoj nuk do të kishte ndonjë kundërshtim, sikur të dëgjonte ndonjë bisedë timen në BBC. Në jetën time kam përkthyer shumë vepra nga gjuha angleze, ndër të tjera edhe kryevepra si “Tom Sojerin” e Mark Tuejnit, që janë konfrontuar nga redaktore të nivelit të një Brikena Çabej. Ndërsa Gellnerin e quaj ndër përkthimet e mia më të mira, jo vetëm sepse e kam mbajtur një kohë të gjatë në duar, jo vetëm sepse ka një gjuhë jashtëzakonisht abstrakte, së cilës shqipja sot i rri në krah me dinjitet, jo vetëm sepse mendoj që me një numër termash mund të kem pasuruar gjuhën tonë të përkthimeve filozofike, por edhe sepse ai libër ka pasur një redaktor shumë të kujdesshëm, Fatos Lubonjën, i cili çdo fjalë e çdo paragraf e ka parë me lupë, jo me mistrecllëk si Lloshi, por për ta ngritur edhe më tej cilësinë e përkthimit. Sistemi i lavdërueshëm që ka ngritur fondacioni “Soros” dhe Shtëpia e Librit, i cili një autori të vështirë i gjen shqipëruesin e mirë dhe redaktorin e kujdesshëm, është vazhdim i traditës së “Naim Frashërit” dhe garanti më i mirë për cilësinë e përkthimeve tona, të cilat sot në shumicën e tyre dalin në qarkullim pa asnjë lloj konfrontimi e redaktimi.
E ç’të lodhemi më shumë me argumenta- Jetojmë në një kohë kur përgjithësisht ai që punon sulmohet me gurë dhe topa balte. Shihni vetëm ç’po i bëjnë Edi Ramës, që pati guximin të zgjerojë rrugët e këtij kryeqytetit tonë kaotik dhe të lyejë fasadat e tij të pista, ose edhe Zana Çelës që pastroi hauret e Operas. E kam për nder të bëj pjesë në këtë radhë punëtorësh, qoftë dhe me vepra që bëjnë më pak bujë (vetëm vitin e kaluar i kam dhënë lexuesit 9 libra të rëndësishëm në shqipërimin tim), ndaj dhe baltën e djeshme të Lloshit e marr tek e fundit për kompliment.
Tani, që të çlodhet pak lexuesi pas kësaj polemike, po jap edhe disa emra nga të antikitetit me shpjegimin e tyre në shqip, gjithmonë sipas “Enigmës” dhe Lloshit: Kerkira vjen nga “kërcuri”, Malta nga “mjalta”, Sikelia nga “si kali”, Odhiseus është “udhë s’shehu”, Agamemnoni “Aqëmemënti” (dmth. aq me mënt), Pallamidhis “pallëmadhi” (merre si të duash), Arkimidhis “kryemadhi”, Midhea “e madhja”, Athina “e thëna”, Poseidhoni “pati denë” (dmth. pati detin), Trojanët-trujanët “ata me tru”, Eolët “të hollët”, Penelopi “penë e lypi”, dmth. lypi perin. Të gjitha në vetëm dy faqe, 116-117.
Falënderojmë së fundi të ndjerin autor D’Angely dhe Lloshin për këtë gaz të papërmbajtur që na dhurojnë. .