Thursday, June 26, 2008

Bisede me autore greke -Një përgjigje për z. K. Frashëri

Një përgjigje për z. K. Frashëri

(pergatitur nga K. Jorgji)

Ben Andoni, (prolog )Dilema per Himaren! Mbeshtetur nga Studimet Greke, vjen ...Prof. Frasheri” ishte titulli me te cilin u nis në gazetën “Korrieri”, një seri shkrimesh për historinë e krahinës që përkasim dhe ne tek club-himara. Me premtimin që do të shohim edhe një libër më vonë.

Ben Andoni ka bërë një hyrje për çdo shkrim të z. Frashëri. Dhe hyrja për shkrimin e fundit (apo të pestin) qe i veçantë pasi tërhiqte vëmëndjen për mos-interesimin e publikut shqiptar për këtë seri shkrimesh. Por edhe ai shkruan në këtë pjesë të fundit “Kushdo qofte ajo, si Shqiperia por edhe Greqia nuk duhet të harrojnë dicka: Himara, para të gjithash është Himare. Me këtë llogjikë, ata kanë luftuar kundër turqve dhe atyre që nuk u kanë pëlqyer të çdo nacionaliteti. Se kështu kanë qenë himariotët: kanë pasur më të shenjtë kokën e tyre, sesa nemiet e ndryshme, apo ftesat për bashkepunim, që u kanë bërë kacavjerrsit...... Ajo, që mbetet e pastër në çdo moment, është pa asnjë dyshim vetë mentaliteti i tyre ndryshe”.

NE JEMI HIMARJOTE-1848

Dhe unë ndaj me të këtë mendim, i cili, per hatër të historisë që dimë, është thënë shumë më parë nga Himariotët. Një udhëtar anglez i keqpërdorur nga vetë z. Frashëri në shkrimin e tij, shkruan këto rradhë në vitin 1848, ndërsa vizitonte Himarën -We serve the Sultan, say they; but if asked whether they are Albanians, Christians, or Turks, they say-'Neither; we are Khimariotes”, e cila e perkthyer tingëllon –“Ne i shërbejmë Sulltanit ” të thonë ata; por të pyetur nëse janë Shqiptarë, te Krishterë apo edhe Turq të thonë - “ Asnjë prej këtyre; Ne jemi Himariotë”. Dhe këtë frazë lapidare për një popull, i cili ndryshe nga pothuaj tërë zonat e Shqipërisë ngeli i pavarur; që ndryshe nga tërë të tjerët pësoi sulmin e tre sulltanëve të Turqisë, përfshirë edhe Sulejman Kanunliun, (që çoi Perandorinë Turke në apogjeun e saj); që ndryshe nga shumica e shqiptarëve ruajti fenë e të parëve, që kishte shkollën e parë të njohur në territorin e Shqipërisë së sotme; që kundërshtoi që në vezë pushtetin komunist me votimet e 1945, - z. Frashëri e anashkalon duke thënë “Disa here himariotet, per te zbutur kundershtimin e teresise shqiptare te treves, u perpoqen te perhapnin pikepamjen se banoret e saj nuk ishin as greke, as shqiptare, por thjesht himariote dhe se programi i tyre politik ishte te mos benin pjese as ne shtetin grek, as ne ate shqiptar, por te krijonin nje shteteruc te vogel me emrin Republika e Himares, e cila te perfshinte shtate fshatra, ose fundi-fundit, dhjete ose dymbedhjete fshatra.”.

Shkrimi dhe të dhënat

A ËSHTË I PA ANSHËM Z. K. FRASHËRI?

“… historia shqiptare ka një prirje t’i shkruajë gjërat siç i dëshëron të jenë, por jo siç janë”- Robert Esli-(referenca )

E thënë midis nesh, konstantimi i bërë nga z.Robert Eslie ngelet aktual. Po e përsëris edhe njëherë konstantimin e Elsie-pasi më duket si një diagnozë e saktë, e cila ndonëse dhëmb, mund të jetë rruga e vetme për të shëruar. “Fakti është se ka shumë mendime të historianëve, që nuk janë të sakta, kurse historia shqiptare ka një prirje t’i shkruajë gjërat siç i dëshëron të jenë, por jo siç janë” Kësisoj gati tërë historia e shqiptarëve, shumë libra, përmbajnë falsifikime të tmershme. Duhet tejkaluar kjo situatë, sepse nuk është në favor të populllit shqiptar....”Klosi, Lubonja, Vehbiu dhe intelektualë të tjerë kanë shprehur të njëjtin qëndrim ndaj këtij fenomeni.

Pra pyetja e parë që lind pasi lexon shkrimin është se kujt i drejtohet shkrimi i tij. Si historian mund e duhej ti drejtohej publikut të gjerë (përfshirë edhe atij Himariot) që do të ishte i interesuar të ndriçohej kjo çështje për të cilët ka pozicione edhe të kundërta për ta sqaruar objektivisht (dhe këtu mund të ekzistonte edhe opsioni se kjo gjë duhej ndriçuar edhe më tej). Opsioni tjetër tu drejtohej me retorikën nacionaliste atyre që nuk arrijnë të kuptojnë se Himariotët nuk do të pranojnë pa tjetër ti shpallin të tjerët me çfarë jua ka qejfi atyre. Dhe në fund të fundit, ata d.m.th Himariotët mund dhe do ta shkruajnë vetë historinë e tyre siç do të binden nga faktet dhe siç e kanë bërë në vite. Sikurse duhet pyetur edhe për synimin e shkrimit të tij.

A) Burime udhëtarësh në Himarë

1. “The people of Khimara are all of Greek origin - Eduard Lire

Por le të kthehemi tek shkrimi dhe le ta nisim me Eduard Lirin dhe ai sipas fjalëve të tija është anglezi i dytë që vjen në Himarë (për tjetrin – të parin-do të flasim më vonë). Duhet të sqarojmë se ndryshe nga ç’thotë Frashëri, ai e trajton në një rresht çështjen e etnicitetit të Himariotëve. “The people of Khimara are all of Greek origin, and speak Romaic, though those of the towns I have passed on my way, although Christian, are all Albanian with the exception of a few families such as the Kasnetzi. Përkthimi i të cilit do qe “Banorët e Himarës janë të tërë me origjinë Greke dhe flasin Latine, ndonëse ata të qyteteve nga të cilët kam kaluar, ndonëse të Krishterë, janë të tërë Shqiptarë me përjashtime të pak familjeve si Kasnecët”.

Pa dyshim që dikush do të thotë se duke thënë këtë unë kam marrë anën e Grekërve. Në asnjë mënyrë. Desha të provoj, sikundër do të vazhdoj edhe më poshtë të jap argumentin se shkrimi i z. Frashëri ka te meta serioze në evidentimin e të dhënave, pa e akuzuar ne seleksionimin e tyre, që do te qe edhe më rëndë. Mbase z. Frashëri nuk e di anglishten, siç e di greqishten. Dhe meqë unë nuk e di greqishten siç e di ai (ky nuk argument per ta përdorur natyrisht), mund ti jap faktet komplementare, për të gjetur të vërtetën, nëse mund të gjendet.

2. Letra e Eqerem bej Vlorës dhe përgjigja e “panjohur” e spiro milos (referenca per burimin e letres)

Një tjetër shëmbull nga Eqrem Bej Vlora, të cilin do e përmëndim edhe më poshtë. Në librine tij të Kujtimeve, ai përshkruan kështu luftën e bërë në Himarë me një emër tjetër të përmëndur në historinë e Himarës, Spiro Milon. Ja teksti siç është dhënë në botimin shqip“Ndërkaq i shkrova edhe një letër komandantit të trupave greke në Himarë, kolonel Spiro Spiromilos (Milaj), i cili, fare pa u trazuar, i kish dhënë vetes titullin udhëheqës i Himarës (Archegos tis Himaros). Unë e njihja shumë mirë atë vetë dhe farefisin e tij që jetonte ende në Himarë; mund të them, madje, se kisha miqesi me ta. Ne na ndanin vetëm pikpamjet politike dhe këtu ishim kundërshtarë. Andej nacionalistë grekë, të cilët nga fanatizmi fetar dhe prapambetja politike, përpiqeshin me të gjitha mënyrat, ta bashkonin Himarën me Greqinë, këtej një nacionalist shqiptar, por njëherësh edhe ithtar besnik i parimit shtëror osman. Megjitatë, unë kisha respekt për këtë familje; ajo shquhej për karakter, besnikëri ndaj miqve, trimëri dhe qëndrueshmëri. Që letra ime në këto rrethana, nuk mund të kish asnjë ndikim, këtë e dija mirë. Sidoqoftë, unë shkrova se shqiptarët e krishterë apo myslimanë janë vëllezër, përmenda prejardhjen shqiptare të shtëpisë së tij dhe iu luta të mos shkaktonte gjakderdhje midis popullsisë së të njëjtit vënd, se ndryshe ne do të sulmojmë.

Natyrisht që nuk morra asnjë përgjigje, dhe në vënd të saj, një repart i fortë kreto-himariot sulmoi Qafën.” Kaq thotë Eqerem Bej Vlora.

Por, burime të tjera thonë se ka pasur një përgjigje për këtë letër, letër të drejtuar Eqerem Bej Vlorës dhe Shefqet Gjolekës. Ja edhe teksti i saj – “Ju thoni se Italia dhe Austria do të vendosin principatën shqiptare; ne po presim ngritjen e saj dhe do të gëzohemi nëse kjo ngjet; pasi edhe në këtë rast ne do të tregojmë veten si vëllezër të kësaj principate, pasi ndjenjat tona fisnike janë po ato që kanë qenë dhe nuk do të ndryshojnë, sepse ne nuk harrojmë që ju jeni vëllezërit tanë që jeni ndarë nga ne duke mohuar besimin tone. Është vërtet e nevojshme të sjellim ndër mënd se banorët e Kuçit para 90 vjetësh qenë të Krishterë dhe se ata kanë të afërm ndër banorët e Himarës? Vetë emri i Gjolekës (i cili sëbashku me Eqrem Bej Vlorën kish dërguar letrën Himariotëve KVJ) tregon besimin që i përkisnin të parët e Shefqet Beut..............E sa për kërcënimet tuaja, besoj se ato nuk janë as për Spiro Milon dhe as për banorët e Himarës, pasi edhe bijtë e Gjolekës e dinë se ne dimë ti përdorim Mauzerët dhe Martinët aq mirë sa edhe ata. Eshtë dikush tjetër që kërcënon pas Gjolekës, duke u fshehur pas tij, por ai tjetri nuk luftuar as vetë dhe as të parët e tij”. Kjo është përgjigja e shkruar nga Spiro Miloja, prejardhja e të cilit sipas Eqrem Bej Vlorës, është nga Progonati.

3. “The Greek language is spoken by almost all the men- majori Leak

(emra fisesh: Ζαχαρίας Γεωργίουi; Κωγνκάδεες, Ανδρέας Πόόλονς).

Por le të kthehemi tek shkrimi i Z. Frashëri. Një argument që permëndet për të provur se Himariotët nuk janë grekë është edhe dëshmia e majorit anglez Leak. “The Greek language is spoken by almost all the men, and the Italian by those who have lived abroad; but the women in general know little of any language but the Albanian. E përkthyer ne shqip “Gjuha greke flitet pothuaj nga tërë burrat dhe Italishtja nga ata që kane jetuar jashtë; por gratë në përgjithësi nuk njohin gjuhë tjetër përveç shqipes.”..

Për Likun duhet bërë një shënim i nevojshëm. Së pari, natyrisht është për tu theksuar se ndryshe nga Liri (Eward Lear), Liku dinte shqip sepse ka bërë edhe një studim për fonetikën shqipe, nëse s’gabohem. Por dëshmia e tij, për mendimin tim, ka një të të metë, pasi ai ka qëndruar vetëm një ditë në Himarë, dhe sipas zakonit të asaj kohe gratë nuk dukeshin para mysafirëve.( Vetë Liri shkruan pak më vonë në kohë për të njëjtin zakon “Kur e pyeta Anastasin (shoqëruesi i Lirit nga Vunoi KVJ) se përse gruaja dhe nëna e tij nuk erdhën për drekë, ai u përgjigj se gratë nuk hanë kurrë me burrat, porse gruaja e tij, Marina, do të vinte dhe do të rrinte gjatë drekës”. Natyrisht që ekziston dhe mundësia që Lik të ketë dëgjuar bisedën e bërë nga gratë në kuzhinë, por ka vënd për të dyshuar për vertetësinë e pohimit. Në tekstin anglisht të tërheq vëmëndjen edhe fakti tjetër se tërë vëllazëritë e Himarës, ai i jep në gjuhën greke. Kështu Zaho Jorgji, i shkruar në tekstin anglisht Zakho –Ghiorgi është raportuar edhe në greqisht si Ζαχαρίας Γεωργίουi; fisi Koykadhes jepet si Κωγνκάδεες, ndërsa kreu Andrea Pollo jepet në anglisht si Andrew Polus dhe në greqisht si Ανδρέας Πόόλονς. (Une e di qe nje argument që do të përdoret për të justifikuar këtë pohim do te ishte se gjuha greke ështe gjuhë zyrtare).

Por duke u kthyer tek ato që kanë shkruar Liri dhe Liku, një gjë është e qartë – se për të dy anglezët Himariotët kanë folur gjuhën greke. Por duhet sqaruar se sado vëzhgues të kenë qenë, për të dy ata koha e qëndrimit në Himarë ka qenë tepër e shkurtër. Liri ka fjetur vetëm katër netë ( datë 24, 25, 26, 27 Tetor 1848 respektivisht 3 netë në Vuno dhe një natë në Palasë), ndërsa Liku ka fjetur në Himarë vetëm në datën 11 Dhjetor 1804. Ndaj ata mund të merren në konsideratë si jo tepër të besueshëm, nëse do të kemi dëshmi të tjera.

4. “The Albanese is a mixture of Greek, Italian and a country language

Pasi po të ecim në këtë rrugë, atëhere mund të citojmë Hobhouzin, shoqërusin e Bajronin, i cili shkruan “The Albanese is a mixture of Greek, Italian and a country language”- që padyshim është një pohim i dyshimtë për të gjithë. Ndaj duhet skartuar si pa vlera. (Sikurse edhe ato që citohen të jenë thënë nga Erazmi i Roterdamit apo edhe të tjerë, të cilët nuk kanë shkelur ndonjë herë në Himarë, apo pa na dhënë faktin se nga e ka marrë).

B) Misioni i murgjëve bazilianë -"Monachus Graecus”

1. Neofit Rodhinos-"Monachus Graecus pagëzohet arbëresh nga K. Frashëri

Himara ka patur fatin të ketë burime të tjera alternative, një prej të cilëve, për fat vjen nga fillimet e viteve 1700, pra rreth nje shekull më pare se sa dy anglezët. E kemi fjalë për misionin e murgjëve bazilianë që edhe Z. Frashëri e përmënd në shkrimin e tij. Citojmë nga z. Frashëri: Mjafton të thuhet shkurtimisht se misioni vendas ne Himare me 1633 dhe se misionar i pare ishte Neofit Rodinoi, i cili cilesohet ne dokumenta si "Monachus Graecus", kurse ai ishte nje arberesh nga Sicilas. Misioni gjeti qe ne fillim perkrahjen e banoreve te treves. Ne te njejten kohe, ai ndeshi ne kundershtimin e kryepeshkopates fanariote te Janines dhe me tej te Patrikut te Stambollit, i cili nuk nguroi te leshonte mallkime dhe ckisherime kundrejt atyre qe u bashkuan me misionaret, sidomos kunder fshatrave Nuvo e Himare ku misioni e kishte seline e vet.” E më poshtë vazhdon “Duke folur per perhapjen me shpejtesi te islamizmit ne provincen e Himares ai relatonte me 1729 (mos duhet 1629 apo kemi ketu thenien e Zef Skiroit? Dmth referenca 66) se tashme aty kishin mbetur ne fene e krishtere vetem 14 fshatra, tre nga te cilat (Himara, Dhermiu, Palasa) cilesohen me banore te kombesise greke (di natione greci), kurse te tjeret (Liazi, Vunoi, Kallarati, Piluri, Qeparoi, Piqerasi, Lukova, Shen Vasili, Kudhesi, Nevica, Lekursi), kishin banore me kombesi shqiptare (di natione albanesi).66 Ky eshte i pari pohim per tre fshatrat te bregut te Himares me banore te kombesise greke. Nuk jemi ne gjendje te shpjegojme burimin e ketij pohimi te vetem, i cili bie ne kundershtim me te gjitha pohimet qe ndeshen ne burimet dokumentare te shekujve te kaluar. Madje Skiroi bie ne kundershtim me nje pohim tjeter te tij, kur thote se ishte e nevojshme qe populli i Himares "te mesonte permendsh Doktrinen e Krishtere, ne trajten e nje dialogu ne sheshet publike ne greqisht, ose ne shqip (in modo da farla ripettere a memoria a forma di dialogo nelle publiche piazze in lingua greca o albanese).”

Le ta lemë për një moment origjinën e Rodinoit, që pretendohet nga Z. Frashëri se është arbëresh. Jo sepse ka ndonjë gjë të keqe të ketë qenë. Por sepse edhe mbiemri i tij tregon se është nga ishulli i Rodit – fakt që përmëndet edhe nga Dhimitër Shuteriqi, i cili citon Korolevskil-n, i cili nuk le dyshime kur thotë “Mbiemri i tij, do të thotë “me prejardhje nga Rodo-si”- ishulli i famshëm në Mesdhe.”.

2. Tre relacione të Skiroit për Propaganden Fide-qe si kupton dot K. Frashëri.

Z. Frashëri, në pasazhin e lartcituar të tij, thotë se “nuk është në gjëndje të shpjegojë burimin e këtij pohimi të vetëm”. Flitet për faktin që tre fshatrat e Palasës Dhërmiut (më saktë Dhrimadhes) dhe Himarës janë me kombësi greke. Por Skiroi, sipas Nilo Borgias, ka bërë tre relacione për atë të quhej Propaganda Fide.

I pari është bërë në vitin 1729 dhe thotë “Primieramente questa provincia, che anticamente era popolatissima di cristiani, presentemente non ha piu che quattordici ville. Le quale professano la legge di Cristo nel rito greco; cioe Cimmara capitale della provincia, Drimades e Balasa di natione greci; Egliates, Vuno, Caloghirates, Piluri, Clapero, Pichierassi, Luculo, S. Basili, Gdezzona, Nivizza e Licunis di natione albanesi” .

Relazioni i tretë për vitet 1730-1735 thotë “Himara, Provincë malorë e Epirit që shtrihet me dy pothuaj-krahë malesh midis Vlorës dhe Delvinës, mbi humnerat e të cila shtrihen shumë fshatra (it. terre), përmes qytetit peshkopal të Himarës (it. Citta Vescouile di Cimarra , që i jep krahinës emrin e saj; dhe përveç qytetit të vetë Himarës, dhe Dhërmiut (it. Drimadhes) dhe Palasës të banuar nga Grekë; të tjerët janë Shqiptarë, nënshtruar Portës Otomanë”.

Pra nuk është një njoftim i vetëm siç thotë z. Frashëri, gjithnjë sipas atyre që ka shkruar Nilo Borgia. Dhe do të tërheqim vëmëndjen edhe një herë për elementin kohë që përmëndëm në rastin e udhëtarëve anglezë. Skiro nuk është kalimtar ditësh në Himarë- përkundrazi- ai vjen në Himarë në vitin 1716 e qëndron deri në 1729, dhe më pas në periudhën 1730-1735. Pra ai ka një përvojë shumëvjeçare në krahinë dhe nuk mund të hidhet poshte aq lehtë me frazën “ nuk është në gjëndje të shpjegohet”. Ai duhet marrë në konsideratë serioze dhe me preçendencë. Sepse ka kohë të konsiderueshme në kontakt me Himariotët, kohë e cila minimalisht është 1,000 herë me e madhe se sa ajo e Lirit dhe 5,000 herë më e madhe se e Likut. Besoj se e dhamë konceptin dhe nuk po e zgjasim më tepër.

3. Eshtë e vërtetë që Grekët e Himarës i duan dhe i vlerësojnë misionarët ...-Nilo Borxhia

Po ashtu Nilo Borgia, në përmbledhjen për misionin e Himarës duke cituar një burim thotë “. Ne i duam dhe e vlerësojnë shumë, në krahasim me Grekët e tjerë që kanë aq urrejtje për Latinët. Eshtë e vërtetë që Grekët e Himarës e duan dhe e vlerësojnë misionarët për shkak të interesit që kanë për edukimin e fëmijëve të tyre, por kjo nuk është kundër qëllimit të Misionarëve, bile është një mjet i përshtatshëm për të arritur qëllimin kryesor...”

4. Si interpretohet nga historianet shqiptarë konflikti midis kishave katolike dhe orthodokse ne Himare

Shumica e historianëve shqiptarë që kanë hedhur vështrimin në këtë pjese të historisë së Himarës, nuk lenë pa vënë në dukje anatagonizmin midis misionit katolik dhe priftërinjve ortodokse. Edhe Shuteriqi edhe Frashëri i kushtojnë vëmëndje të veçantë kësaj, si për të thënë – ja të mirët ja edhe të këqinjtë. Por duhet te sqarojnë se sikurse ndodh shpesh kur inati më i madh është me atë që e ke më të afërtin, ashtu ndodhte midis dy sekteve të kishës së Krishterë në shekujt që po analizojnë. Mazower sjell një shëmbull tipik të këtij antagonizmi kur raporton për bisedën ndërmjet një murgu ortodoks dhe një misionar katolik të ne vitin 1694 në ishullin e Kios ”Unë do të pranoja me dëshirë të kthehesha në turk në vënd se sa të bashkohesha me ju o Latinë, që s’bëni tjetër vetem se na urreni dhe na përndiqni”. Apo siç sqaron Castellan në “Historinë e Ballkanit” kur një funksionar i lartë bizantin thotë në 1425 “Më mirë të shihet çallma turke në mes të kryeqytetit, se sa mitra latine”.

C) MBISHKRIMET NË KISHA

1. Theofan Popa ka ka raportuar vetëm për Dhërmiun mbi tetë shkrime në po aq kisha- sipas A. Kostallari jane të ndryshme nga onomastika shqiptare

Çështja e emrave të tillë si Lek, Gjon, Gjikë edhe nga shkencëtarë shqiptarë ( shih Androkli Kostallarin)– janë cilësuar të adaptuar dhe me prejardhje.

Meqë jemi në besimin e kësaj ane – Z. Frashëri sjell si argument shënimin e bërë në një nga kishat e Dhërmiut. Ai argumenton se “Perkatesia jo greke e banoreve te saj kuptohet edhe nga mbishkrimi qe ndodhet ne vitin 1751 ne murin e Kishes se Ipapandise, ne Dhermi, ku permenden dy banore nga Dhermiu, te dy prifter njeri, njeri emrin Papa Ilia Leka, tjetri Andon Starat Gjika, emrat e te cileve i takojne pa dyshim antroponimise shqiptare Besoj se Z. Frasheri e ka fjalën për emrat Leka dhe Gjika kur i quan “të onomastikës shqiptare”.

Mbase së pari duhet sqaruar se Dhërmiu, nga është marrë argumementi ka (mos qofsha i gabuar) me tepër se 30 kisha dhe Himara (qëndra e banuar) ka mbi 80 te tilla. Te thuash se mbishkrimi i bërë në njërën prej tyre, i bërë në greqisht, provon se banorët e Dhërmiut, janë shqiptarë, nuk më duket tepër normal. Theofan Popa ka botuar librin “Mbishkrime të kishave në Shqipëri” dhe ka raportuar vetëm për Dhërmiun mbi tetë shkrime në po aq kisha. Shënimi i sjellë nga z. Frashëri është nr. 826 në libër dhe ndodhet në faqen 303. Por edhe kisha e Shën Premtes ka të njëjtat emra edhe e Gjon Theologut, edhe e Ungjëllimit , E shën Thanasit . Çështja e emrave të tillë si Lek, Gjon, Gjikë edhe nga shkencëtarë shqiptarë ( shih Androkli Kostallarin)– janë cilësuar të adaptuar dhe me prejardhje. Mbase duhet sjellë në kujtese se emrat shqiptarë jane Bardhyl, Teuta, Dardan, etj etj. Kam përshtypjen se Z, Frashëri është shpejtuar në nxjerrjen e argumentave.

Një nga mitet e historisë shqiptare është kthimi i dhunshëm i popullisë në fenë mysylmane. Për të parën ka shumë historianë të përkthyer kohët e fundit edhe në shqip, që e quajnë këtë jo si faktor themelor në konvertim. Mund të lexoni këtu Sheville Castellanin, Mazower etj. Etj. Todorova, një bulgare thotë në librin e saj se ndonëse ka patur “raste të qarta të shndrimeve me forcë, pjesa më e madhe bie në kategorinë e atre të pashtërguara me forcë, të emërtuara eufemikisht vullnetare”.

D) KOMENTET GJUHESORE TË K. FRASHËRIT

1. Në tre fshatrat greqisht-folëse, greqishtja është gjuhë e parë dhe jo e kundërta.

Unë do të isha dëshirë të merrja pjesë ne debatin lidhur me dialektet e përdorura nga fshatrat e krahinës së Himarës, por në esencë, kjo nuk ka asnjë pikë vlere – nëse ata flasin greqisht, duhet gjetur se si është e mundur që flitet kjo gjuhë ndërmjet tërë atyre fshatrave të tjerë të cilët – të paktën që prej shekullit të XVII- flasin një gjuhë tjetër – atë shqipe. E këtu duhet bërë edhe në korigjim për Z. Frashëri. Në tre fshatrat greqisht-folëse, greqishtja është gjuhë e parë dhe jo e kundërta. Sigurisht kërkon analizë të veçantë fakti se përse këndohet dhe vajtohet edhe shqip, e cila është vërtet një enigmë të sjelluri zakonore. Z. Frashëri ka bërë një analizë korrekte të hipotezës së origjinës së gjuhës greke në tre fshatrat si pasojë e këmbimeve tregëtare me ishujt grekë. Hipotezë tepër e përhapur, e shkruar edhe në librin e shkrimtarit Petro Mako.

2) “ midis tyre ka vetëm 3.000 njerëz që kanë folur gjithmonë greqisht dhe që të gjithë rrjedhin nga një rrënjë e vetme, sado e largët në kohë, me prejardhje greke-Eqerem bej Vlora

Patjetër një argument i cili i ka shpëtuar z. Frashëri, është edhe ai Eqerem Bej Vlorës në kujtimet e tij – pasazh të cilin premtuam ta sjellim. Ai thotë: “Që banorët e zonës së Himarës ( midis tyre ka vetëm 3.000 njerëz që kanë folur gjithmonë greqisht dhe që të gjithë rrjedhin nga një rrënjë e vetme, sado e largët në kohë, me prejardhje greke ) kanë shkuar kaq larg në prirjet e tyre helenistike, provon më së miri, që ata kishin më shumë karakter se bashkëbesimtarët e tyre, ndaj unë edhe pse kundështarë, i kam nderuar dhe vlerësuar. Besoj se nuk mund të dyshohet për nacionalizmin e z. Vlora dhe si i tillë duhet të gjendet edhe shpjegim për këtë pohim, nëse është i pranueshëm.

3) Deri në 1726, emri shqiptar ishte i panjohur në krahinë e Shkodrës dhe deri sodi s’kemi asnji provë që të jetë njohur në ndonji tjetër krahinë të Shqipërisë”- Ludwig van Thalloczye (përkthyer nga Mustafa Merlika Kruja)

Ne shumë shkrime historike shpesh ndihet era (apo fortuna ) e kohërave moderne. Me këtë dua të them se shumë nga ata që shkruajnë mendojnë se bota e Turqisë, apo ajo e Lashtë është si koha e sotme – me shtete me pasaporta dhe me viza. Ky është një vështrim tepër i cekët. Duhet të risjellim në kujtesë se deri në shekullin XVIII nuk kishte kombe dhe as shtete, siç i kemi sot. Edhe Greqia e lashtë, për të dhënë një illustrim, është një entitet i përbashkët vetëm në lojrat Olimpike, e pas mbylljes së tyre Sparta,Athina, Teba, Megara ndërmjet tyre qenë po aq armiq sa edhe Persët. Në librin “Vëzhgime Iliro-Shqiptare” të përpiluar nga Ludwig van Thalloczye të përkthyer nga Mustafa Merlika Kruja citohet se “ Deri në 1726, emri shqiptar ishte i panjohur në krahinë e Shkodrës dhe deri sodi s’kemi asnji provë që të jetë njohur në ndonji tjetër krahinë të Shqipërisë”. Siç shkruan Castelan “Do të ishte pra tepër e thjeshtëzuar të përfytyrohej, siç bënin historianët nacionalistë të shekullit XIX, një qëndrueshmëri blloqesh etnike që të justifikonin kufij modernë të paprekshëm”.

E) AUTORET E LASHTË dhe të rinj

A mund ta ndryshojmë gjeografinë e Strabonit?

Besoj se është e saktë konstatimi i Llamanit se në historigrafinë shqiptare ka konfuzion përsa i përket termave Iliri dhe Epir. Mbase do të ishte me vlera të sillnim dëshmitë gjeografike të gjeografëve të lashtësisë. Njeri prej tyre, Straboni, shprehet kështu në librin e tij, Gjeografia, “Tani, për Epirotët, ka 14 fise ndër ta, sipas Theopompus-it, por më të famshmit janë Kaonët dhe Molosët; sepse në fakt janë ata që kanë qeverisur dikur tërë vëndin e Epirotëve - Kaonët më herët dhe më vonë Molosët; dhe Molosët e shtuan fuqinë e tyre, pjesërisht për shkak të familjes së mbretërve të tyre, që i përkisnin familjes së Akidëve, dhe pjesërisht për shkak të faktit se orakulli i Dodonës që ndodhet në vëndin e tyre, orakull si i vjetër dhe i njohur rishtas. Tani Kaonët dhe Thesprotët dhe menjeherë pas tyre, Kasopeitë (edhe ata janë Thesprotë) banojnë në anë e detit që shtrihet nga Malet e Kerauneve deri në Gjrin e Ambracisë dhe kanë një vënd të pasur. Udhetimi, nëse nisesh nga vëndi i Kaonëve dhe udhëton nga lind dielli dhe drejt gjirit të Ambracisë dhe Korinthit, duke mbajtur detin e Ausonisë në të djathtë dhe Epirin në të majtë, është rreth 1,3000 stade, pra nga malet e Kerauneve tek gjiri i Ambracisë. Në këtë intervali është Panormi, një gji i madh në qendër të maleve Keraune dhe pas këtyre maleve vjen Onchesmus (Saranda), një gji tjetër, kundrejt skajit perëndimor të Korkyrës (Korfuzit) dhe më pas një gji tjetër i Kasiopesë, distanca e të cilit nga Brindizi është rreth 1,700 stade.....”

2 Plini i Ri thotë “Epiri i marrë në përgjithësi nis tek malet Keraune. Ai përfshin në fillim Kaonët, prej nga vjen emri Kaoni,

Ndërsa Plini i Ri thotë “Epiri i marrë në përgjithësi nis tek malet Keraune. Ai përfshin në fillim Kaonët, prej nga vjen emri Kaoni, Thesprotët, Antigonasit, vendin Aorn me gazrat e këqia për zogjtë, Kestrinët, Përrebejt tek të cilët është Pindi, Kasopët, Driopët, Selët, Helopët, Molosët ku ndodhet tempulli i Zeusit të Dodonës, i përmëndur për orakullin e tij, mali Tomar me njëqind burimet që gurgulojnë në këmbët e tij, mal i lavdëruar nga Theopompi”.

Ndërsa Iliria sipas të gjitha të dhënave shtrihet nga Danubi deri Shkodrën e sotme.

Natyrisht me tërë bymimet dhe tkurrjet e natyrshme në raste ekspansioni apo pushtimi.

Ndërkaq z.Frashëri thotë “Historianet helene e shohin origjinen "greke" te himarioteve te emigrimi i tyre nga trojet e Greqise ne bregun e Himares. Perderisa banoret antike te kesaj treve kane qene kaonet, te cilet i perkisnin etnikonit ilir..”. Mbase unë e kam gabim, por në hartën e dhënë nga Straboni, kaonët hyjnë në Epir, e cila është krahinë ndryshe nga Iliria dhe e ndryshme nga Maqedonia. Kjo duhet thënë qartë dhe s’duhet ngatërruar. (Përndryshe Pirroja do të quhej edhe Pirroja i Ilirisë apo edhe Skenderbeu do të quhej jo princi i Epirit por Princi i Ilirisë. Sikundër edhe Napoleoni në 1813 do të duhej ta quante Provincën e Ilirisë me governator Fushenë e famshëm jo në Kroaci e Sloveni, por matanë Vlorës). Të paktën duke i trajtuar këto tre terma si terma gjeografikë dhe jo etnike, mund të vendosim një marrëveshje për sqarimin e konfuzionit që është krijuar.

3. Vlora “il fine dell Albania-Konstandi Jirecek- Milan Sufflay

Kontandin Jirecek thotë se “Simbas një Veneciani të shekullit XVI këtu në këtë log (flitet për Vlorën KVJ) mbaronte Shqipëria “ishte “il fine dell Albania”. Ndër kohrat e vona të Romës, kufiri ndërmjet dy provincave Epirus Nova (kryeqytet Durrësi) dhe Eperus vetus gjindej në jugë të Vlorës.” E po në të në të njëjtin libër Milan Sufflay shprehet se “Kuptimi historik shkencuer i Shqipërisë asht si me thanë konvencional dhe shënon nj’atë krahinë malësore qi përfshihet ne katërkëndshin Tivar-Prizren-Oher Vlorë”. Shih tek “Vëzhgime Iliro-Shqiptare” Botimet Camaj Pipa- Shkodër 2004 (përkthyer nga origjinali nga Mustafa Kruja Merlika 1916) p. 141-142. Mbase duhet shpjeguar se këta dijetarë janë nga ata që janë cituar nga tërë historianët shqiptarë dhe të huaj si nga më ekspertët për Shqipërinë. Dhë këtë e sjell jo për rivendikime territoriale, pasi këto ekzistencojnë vetem në mëndjen e nacionalistë të ndryshkur nga të dy krahët, aq më shumë që e ardhmja nga duhet të orientohemi është Bashkimi Europian.

F) MESJETA E HIMARËS

1“Korkondil Klada sipas K. Frashërit

Le te kthehemi tek shkrimi i z. Frashërit “Korkondil Klada, i cili sipas historianeve helene kryesoi kolonine "greke" të vendosur me hamendje në Himare nuk ishte grek por shqiptar (arvanit). Ai ishte një stratiot jo nga Mani, por nga Korona. Ai ishte pinjoll i Kladeve ose i Kladajve, një bashkësi arvanite e Koronës. Për përkatësinë shqiptare të bashkësisë së Kladajve po sjellim këtu një dëshmi dokumentare..... Madje shqiptarësia e K. Kladës dhe e luftëtarëve të tij duhet të shpjegojë edhe pjesëmarrjen e tyre në ekspeditën e udhëhequr nga biri i Skenderbeut. .....Në lidhje me çështjen e tretë - nëse K. Klada me luftetarët e tij qëndruan ose jo në Himarë - le të lemë të flasin burimet dokumentare të kohës së ekspeditës së Gjon Kastriotit. Paraprakisht duhet të themi se ato nuk përmbajnë asnjë shënim që t'i cilësojë luftëtarët e K. Kladës si greke”.

Me këtë frazë, Z. Frashëri është futur në një kapitull të veçantë të historisë së mesjetës shqiptare – atë të stratiotëve, ku Himariotët zenë një kapitull të veçantë. Por për çeshtjen e Kladajve, ka edhe një të dhënë tjetër- atë të Paolo Petës që ka shkruar një libër “Stradioti – soldati albanesi in Italia” botura në Itali në 1996. Në faqen 87 të këtij libri, thuhet “Nel 1480, un anno dopo la conclusione della pace tra Venezia e il Sultano, il mondo albanese della Morea e messo in rumore dalla rivolta di un gruppo di irriducibili, guidati dallo stradioto greco Corcondilo Clada”....

2) Korkondil Klajda është kapitan trim Dhërmiot- dr. Paolo Petta

Z. Frashëri bën edhe në pohim tjetër “Me ne fund emri i Korkondil Klades ose thjesht i Kladajve nuk ndeshet fare ne traditen popullore te treves himariote”. Mbase z. Frashërit nuk i ka rënë në dorë një libër i Dhimitër Ninës botim i vitit 2004 në të cilin thuhet se “Korkondil Klajda është kapitan trim Dhërmiot, mik dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut. Në Dhërmi pranë shtëpive ku banojnë Familjet Milo, Thimio dhe Vasil Milo ndodhet një shesh (truall) që edhe sot emërtohet Klada”

(Mund të sqarojmë për ata që nuk dinë gjë për autorin se ai është arbëresh me prindër nga Piana degli Albanesi, dhe ka punuar deri më 1999 si drejtor i Shërbimit për redaktimin dhe revizionin e teksteve legjislativë në Senatin e Republikës Italiane. Senati i Republikës italiane ne seancën e datës 14 Janar 1999 ka shprehur “dhimbjen e thellë për vdekjen e dr. Paolo Pettës, kultura e gjerë e të cilit, autonomia e fortë e gjykimit dhe displina morale e bënin një nga përfaqësuesit më të mirë të administratës së Senatit”).

3. Gjenerali Dhimitër Lekas- “il mio fido greco”

Në një njëjtin libër, jepet edhe një version tjetër për një argument të sjelle nga z. Frashëri, atë të Dhimitër Lekës. Z.Frashëri thotë “Madje, nje nga komandantet me te shquar te ketij regjimenti, i cili u pajis me graden me te larte ushtarake, ishte mareshalli Dhimiter Leka, shqiptar nga Dhermiu”. Paolo Peta në librin e tij shkruan se “la sua carriera fu dovuta alla fiducia dell re, che amava chiamarlo “il mio fido greco”- një fakt i cili bie në kundërshtim me versionin e paraqitur në shkrimin e z. Frashëri.

4) Barleti ne kundershtim me J. Fallmayer: Me Arianitin ajo(Himara) ishte në marrëdhënje aleance, ashtu siç u lidh më vonë me Skënderbeun

Një argument tjetër që sillet për të cilësuar pjesmarrjen e Himariotëve në Kuvëndin e Lezhës është Marin Baleti i cili citohet Në këtë mbledhje historike ata u perfaqësuan nga Andrea Topia, nje bujar shqiptar i kulluar. Topiajt ishin njohur edhe si princer edhe per sundimin e Himares se Uliksit. Himara eshte nje vend malor kundrejt Korkyres (Korfuzit - K.F.), ku banon nje popull i pamposhtur dhe trim qe te mos them luftarak, te cilet ne i quajme zakonisht Himariote".

Nëse nuk gaboj unë, kjo do të thotë se Himariotët janë përfaqësuar në këtë Kuvend të rëndësishëm nga prijësi tyre Andrea Topia. Nëse është kështu, ai duhet të bëjë një sqarim se si duhet ta kuptojmë këtë pasazh të tij në librin e tij të ri “Skënderbeu- Jeta dhe Vepra”: Historianët e kohëve të reja, duke filluar me J. Fallmayer-in (VII, 672) pohojnë se Gjergj Arianiti kishte në zotërim, përveç të tjerave, edhe Vlorën, Kaninën, Himarën... Përsa i përket Himarës, puna ndryshon, As ajo nuk ka qenë krahinë nën zotërim feudal, madje ajo nuk i është nënshtruar asnjëherë askujt. Me Arianitin ajo ishte në marrëdhënje aleance, ashtu siç u lidh më vonë me Skënderbeun”. Kjo konfirmohet edhe me hartën II – të vendosur në fund të librit, ku jepen zotërimet feudale shqiptare. Është interesante të shihet krahas zotërimeve Venedikasve, Dukagjinasve, Spanëve, Dushmanëve, Kastriotëve, Aranitëve, Muzakajve, Gropave, është edhe një zonë e veçantë e emërtuar nga Frashëri si “Bashkësia e Himarës”, e cila është pak a shumë harta e Himarës së sotme së shtatë fshatrave – për ta dalluar nga ajo më e gjërë që përfshinte edhe Labërinë.

Mua më duket se Z. Frashëri duhet të zgjedhë cili version duhet të mbështesi- nëse Himariotët kanë patur apo nuk kanë patur feudal sepse dy pohimet e bëra – njëri në libër dhe tjetri në artikull- janë plotësisht të kundërta. Dhe këto nuk tregojnë profesionalizëm

G) LETËRKËMBIMI I HIMARIOTËVE ME SELINË E SHENJTË

a) “Ai na ka folur për Hirësinë tuaj dhe na ka treguar se Ju jeni një Papë i Shenjtë dhe dashurues i Madh i Kombit grek-drejtuar Papës Gregorit XIII”

Letërkëmbimi i Himariotëve me Selinë e Shenjtë dhe me Propagand Fiden ze një vënd special në historinë e tyre. Ky letërkëmbim tregoi se himariotët ndryshe nga ç’mund të kuptohet nga etikimet e shkrimit mbyllës të z. Frashërit, kanë qenë të aftë të orientohen qartë në skenarin politik të kohës. Por edhe ky letër këmbim është përdorur nga z. Frashëri për te argumentuar prejardhjen e Himariotëve. Me ne fund letra mbyllet me adresen: "Prej Himare, d.m.th. prej Epirit te shqiptareve" – që pa dyshim është përdorur si argument. Edhe pa dyshim duhet pranuar si i tillë.

Por tek letra dërguar Papës Gregorit XIII ka edhe pasazhe të tjera që nuk janë aq të qarta. Citojmë “Ai (është fjala për Dhimitër Ferigon KVJ) na ka folur shumë për Hirësinë tuaj dhe na ka treguar se Ju jeni një Papë i Shenjtë dhe dashurues i Madh i Kombit grek për të cilin keni themeluar një kolegj dhe një kishë dhe të gjithë grekëve u keni dhënë shumë prova të dashamirësisë dhe që në të ardhmen do tu jepni edhe më tepër. Dhe mbasi fama e shumë bamirësive është përhapur në tërë Greqinë, ne të gjithë me duart e ngritura në drejtim të qiellit i lutemi Zoti të Madh, dhe me të njëjtat ndjenja i lutemi Hirësisë suaj.

Do të jetë vërtet një ngjarje e madhe dhe një mdërmarrje fisnike dhe që do të jetë për zemër të Zotit tonë Jezu Krisht, nëse si pasojë e punës suaj. At i Shënjtëruar, ne dhe tërë bijtë e Greqisë të shtypur vazhdimisht barbarisht nga Turqit dhe të detyruar të kthehemi në Turq të mund të fitojmë lirinë. .” Ndaj duhen spjeguar dhe jo anashkaluar.

A ËSHTË I PA ANSHËM Z. K. FRASHËRI?-

Monografia e K. Frasherit deshmon : Selektivitet-manipulim- mosseriozitetin e shkencës historike shqiptare- nacionalizmit romantik

(Ne vend te epilogut )

Mund të vazhdohet edhe më gjatë duke pyetur z. Frashëri për selektivitetin e te dhënave të paraqitura në shkrimin e botuar. Unë i lejova vetes që vihesha në pozicionin e “devil’s advocate” për të mos lejuar që ato gjëra që unë kisha lexuar të mos manipuloheshin. Jma i sigurtë se edhe shumë njerëz të tjerë duke lexuar dotë kishin të njëjta probleme asi të njihen me të dhënat që sapo paraqita. Jo sepse duam të provojmë diçka, por sepse duam të dimë diçka më tepër mbi origjinën tonë.

Dy kritere të mëdha për përcaktimin e Kombësisë – Gjuha dhe Feja.

Në gadishullin tonë ka patur dy kritere të mëdha për përcaktimin e kombësisë – gjuha dhe feja. Himariotët e kanë pasur të dytën të njehsuar gjatë tërë kohës e nuk është faji i tyre nëse një pjesë e madhe e shqiptarëve (pa paragjykuar) e kanë ndrruar. Ndërsa është puna e tyre të sqarojnë (sepse neve e respektojmë zgjedhjen e të tjerëve sikurse pëlqejmë reciprocitetin) –ne si Hiamriotë e kemi për nder ta kemi ruajtur. Sa për gjuhën – ne kemi treguar se kemi qëndruar bashkë- si ata që flasin shqip dhe ata që flasin greqisht, duke dhënë kështu një shëmbull që pa pikë dyshim nuk ka të sharë dhe duhet marrë shëmbull.

Një shënim i fundit. Z. Frashëri ka treguar edhe një herë për mosseriozitetin e shkencës historike shqiptare, duke mos dalë nga kornizat e nacionalizmit romantik, që do të me vlera vetëm dy shekuj më parë. Siç shkruan Maria Todorovna në librin e saj “Imagining the Balkans”- historia e këtij tipi kish si funksion të formonte ndërgjegjen kombëtare, të legjimitonte kombin shtet duke përmbushur një funksion të rëndësishëm shoqëror... Por nuk është vetëm injorancë në mosnjohjen e kombeve të tjera, por një përpjekje e ndërgjegjshme të zvogëlojë, injorojë, shtrenbërojë, përqeshë dhe edhe të mohojë”. Natyrisht me argumentat që kemi parë të botuara tek Korrieri. Le të shpresojmë se do ta bëjë seriozisht me librin.

ROBERT ELSI- URON SHQIPTARËT “TË LËNË MËNJANË MENDJENGUSHTËSINË, NACIONALIZMIN DHE ETNOCENTRIZMIN DHE QË ATA TË BËHEN EUROPIANË DHE QYTETARË TË BOTËS”

Mbase në këtë dritë do të vlente të citonin edhe një herë Robert Elsi-n për të njëjtën temë kur uronte shqiptarët “të lënë mënjanë mendjengushtësinë, nacionalizmin dhe etnocentrizmin dhe që ata të bëhen europianë dhe qytetarë të botës”. Ne si Himariotë e kemi lënë këto vese për shkak të historisë sonë.

Himara është krahina nga kanë dalë burra e gra si Damiani, Kanarisi, Dhimitër Leka, Petro Marko, Janko Pali, Xhorxh Teneti, Andrea Vreto, Petro Cani, Robert Drenika, Anastas Kristofori, Neço Muka, Dhimitër Varfi, Dhimitër Anagnosti, Spiro Milo, Leftër Çipa, Gjikë Bixhili, Bartolomeo Mitre, Jani Kocani, Agllai Zoto, Nase Beni e lista mund të jetë shumë më e gjatë. Por është edhe e të gjithë atyre burrave dhe grave të panjohur në histori që i kaë vënë vulën sjelljes së krahinës së Himarës e banorëve të saj si krahinë e njerëz që nuk kanë pasur paragjykime të jenë të hapur me tërë botën duke qenë kozmopolitë në gen; që kanë dashur shkollimin dhe dijen në thelb të zemrës së tyre edhe kur ishin të pashkolluar; që kanë pasur harmoni me tërë ata që i kanë rrethuar –Labërinë, Mirditën, Shkodrën, Korçën, Korfuzin, Napolin, Venedikun, Amerikën, Argjentinë, Greqinë, Italinë -pa komplekse e sedra nacionaliste; që kanë praktikuar demokracinë dhe në kushtet më të vështira pa lënë kurrë peng lirinë dhe që kanë luftuar kundër kujdo që ka dashur tu imponohet pa marrë parasysh se kush është; e mbi të gjitha kane dashur vëndin e tyre, ashtu siç ka qenë, i ashpër, i djegur, i vështirë, me ngërçe, me det e male, të hapur me të tërë dhe larg përfytyrimeve nacionaliste që mund ti veshin të tjerët. Kjo është pse ndaj mendimin e shprehur nga Ben Andoni të cituar në fillim të shkrimit, duke shpresuar se ka qenë i sinqertë.

No comments: