Dr M. Gjoka sipas origjinalit tek gazeta Tribuna 17-06-2005, Athinë
Këto janë fjalitë e para të rrëfimit të Aleksandër Zotos, një nga përkthyesit e paktë të letërsisë shqipe në Francë.
Janë disa emra të shquar himarjotësh që kanë përkthyer kryevepra të letërsisë botërore në shqip si Spiro Çomora 12 këngët e Odiseut dhe shumë klasikë të tjerë grekë, Aleks Çaçi, Llambro Ruci poezitë e Jani Ricos, romanin e Alqi Zei “Tigri i vitrinës” etj, Nonda Varfi Kazanzaqin dhe e Paolo Coehlo me best-seler-in "Alkimisti"-in e shquar. Kurse tradita e përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhë të huaja është relativisht e kufizuar. “..reparti i parë i përkthimit zyrtar i Shtetit shqiptar pas Luftës së dytë Botërore, e kishte selinë në burgun e Tiranës. Pra ishin të burgosurit politikë që kryenin përkthimet e para zyrtare dhe letrare pas luftës. Rezultati për letërsinë shqiptare, kuptohet, ishte një katastrofë”- thotë R. Elsei (Ars, e përkohshme letrare, Tiranë, 26.10.2003, f. 22). Pikërisht në këtë boshllëk vjen Aleksandër Zoto i cili është nga përkthyesit më të njohur të letërsisë shqipe në Francë, së bashku me Kristianë Monteko ( Christianë Montecot), Elisabat Shabyel (Elisabeth Chabuel), Anë Mari Otisië (Annë Marie Auttissier) duke mos llogaritur këtu Jusuf Vrioniin dhe së fundi Tedi Papavramin.
Aleksandër Zoto, me origjinë nga Himara ka lindur në Saint Etienne në 1939. Po në atë qytet ka mbaruar studimet universitare. Është specializuar në filologjinë klasike për greqishten e vjetër dhe latinishten në Lion. Që prej vitit 1972 ai filloi të punonte për herë të parë në Universitetin filologjik të Saint-Etiennit me cilësinë e lektorit (maitre de conference) të letërsisë frënge të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Paralel me këtë ai nuk rresht së studjuari letërsi, sidomos letërsinë shqipe. Libri i tij i fundit me studime titullohet “Nga Skënderbeu tek Kadareja”. Libri i tij nuk merret thjesht me letërsinë shqipe, por edhe me historinë e këtij vëndi. Libri ështe blerë menjëherë në Universitetet ku studjohet letërsia. Madje në universitetin e Sent-Etjennit Zoto ka mundur të fusë edhe në program orë të letërsisë shqipe. Ka shumë material për Kadarenë, thuajse gjysmën e sasisë së përkthimeve e zë Kadareja në prozë e poezi. Edhe pse nuk është përkthyesi ekskluziv i Kadaresë në punët e Zotos, renditet një numër tregimesh dhe novelash ku spikasin “Krushqit janë të ngrirë”, “Sjellësi i fatkeqësisë”, “Fatkeqësi nga Suzana”. Vetë shkrimtari i pat propozuar të përkthente disa tregime, kështu filloi më pas në 1988 përkthimin e “Eskili, ky humbës i madh”, duke pasur versionin frëng në duar ende pa shkuar te lexuesit shqiptar. Për të Kadareja është një lloj Prusti. Ai të fut në një botë tjetër, të bën të shohësh ndryshe. Madje në 1998 prej Zotos është botuar në Paris një antologji dygjuhëshe e poezisë shqipë në 400 faqe (Word Literature Today Vol 72:3, faqe 662).
2. Nga qyteza Roche de la Moliere në Tiranë
Romani “Tunizia 22” i Dh. Gjokës na përshkruan jetën e emigrantëve himarjotë në Roche de la Moliere, Sait Etien, pikërisht aty ku jetoi dhe familja e Zotos. Para viti 1978 A. Zoto nuk kish qenë kurrë në Shqipëri. Mbase e gjithë familja do të qe kthyer në Shqipëri atëhere kur ai qe i vogël, por kish fillluar lufta e dytë botërore dhe më pas Shqipëria qe mbyllur. “Jam nga Himara. Di që isha shumë i vogël kur dëgjoja të flitej rreth meje veç greqishtes edhe shqip. Babi im ka qenë emigrant në Francën e Jugut. Punonte në minierë si shume të tjerë nga fshati dhe krahina. Më pas u zhvendos e gjithë familja”. Shqipëria ishte brënda tij me këngët himariote, pastaj me disqe dhe kaseta, me grupet e folkut shqiptar në Francë. Në një moshë relativisht të madhe ai bëlbëzonte me ndrojë gjuhën shqipe. Për katër vjet rresht ai e studjoi seriozisht si autodidakt këtë gjuhë para se të vinte në Shqipëri si lektor në Universitetin e Tiranës në vitin shkollor 1979-1980. Një himarjot i lindur në Francë i cili veç greqishtes në familjen e vet, kishte dëgjuar dhe shqip nga kontaktet me emigrantët e tjerë të zonës së Himarës që ishin me shumicë në Saint Ettien, i arsimuar në Franc, sintetizon poliglotizmin himarjot.
Në pohimet e tij për fillimin e përkthimit, nuk ka një datë fikse. Por ai e di që i hyri kësaj rruge kur kish mbaruar së lexuari Dimrin e Madh të Kadaresë. Për herë të parë shqipja i ishte dukur e perëndishme pas këtij leximi, e pakrakahuesueshme me asgjë. Pastaj erdhën me rradhë përkthimet...
Por nuk është vetëm proza e Kadaresë që e ka tunduar për vite me rradhë Zoton. Ai ka përkthyer edhe poezi nga të Kadaresë në Francë. Edhe nga Lasgush Poradeci të cilin e admiron, Zoto ka përkthyer një cikël. Cikli është me poezi ku fjalëçelës mbetet liqeni. Autorë të tjerë që Zoto ka përkthyer në frëngjisht janë Agolli (“Zhurma e erërarave të dikurëshme” dhe “Njeriu me top”), F. Arapi (15 poema), V.Koreshi, D. Shapllo. Në temat e diplomës shumë nga studentët francezë të letërsisë zgjedhin letërsinë shqipe dhe pikërisht veprën e Kadaresë, si tezë mbi të cilën punojnë. Zoto është njeri nga më udhëheqësit më të angazhuar me këta studentë të dashuruar pas shqipes dhe shkrimtarit më të njohur të saj me të cilët mbrojnë tema diplome.
3. Përkthime nga autorë kosovarë
Kosova e sapodalë doli nga represioni serb dhe me aspirata drejt një vizioni të ri Europian ka tërhequr vëmendjen dhe me shkrimtarët e saj po fillojnë të njihen në letërsinë Europiane.
“Kosova nëpër natë” (Kosovo dans la nuit-1999) titullohet përmbledhja me përkthime nga autorët kosovarë e perkthuer nga Zoto dhe bashkëpuntorët e tij. Një tokë e zbrazët, një popull i gjithë në rrugë, ferma të djegura, një luftë që instalohet, kampe refugjatësh. Shqiptarët e Kosovës nuk kanë ç’ti tregojnë botës veçse vuajtjet e tyre. Por në faqet e këtij libri përtej vuajtjes dhe dhunës së njerëzve, i jepet fjala poetëve, dhe romancierëve të përzgjedhur me urgjencë dhe me dashuri nga specialistët më të mirë të saj.
Hijet e natës (Les ombres de la nuit-Paris 1999) titullohet vëllimi i shkrimtarit Eqerem Basha nga Ish Republika e Maqedonisë. Të 12 novelat e vëllimit janë shkruar nga 1971-1995 në një Kosovë të terorizuar nga inkuizitorët serbë. Ndërsa lexon novelat e E. Bashës, këtij mosketieri të ri të letrave shqiptare, të duket vetja si në “Pallatin e ëndrave” të Kadaresë. Gazetar dhe kritik arti, përgjegjës i emisioneve kulturorenë gjuhën shqipe në radio dhe televizion, është persekutuar nga autoritetet serbe ashtu si dhe kolegët etij. Autor i shumë përmbledhjeve me novela dhe pema si dhe përkthyes në shqip i Beckett, Ionesco, Camus, Sartre et Malraux.
Alexander Zoto, në vazhdim i risjell publikut francez një vëllim me 42 poezi të zgjedhura nga Ali Podrimja me titull “Mungesa e fjalës”. Zotos i ofron lexuesit një hyrje interesante për punën e Ali Podrimes që nga vitet 60 deri në agoninë e viteve 90. Ndonse kish shumë për të treguar, Ali Podrimja është çuditërisht një poet mjaft lakonik. Pikërisht kjo “lakuriqësi e të shkruarit” thotë Zoto në parathënie, përbën esencën e vigjilencës dhe përkushtimit të tij poetik. Fjalët për Podrimen janë i ftohti dhe shkëmbenjtë e rëndë të hapësirës së tij poetike dhe symbol i popullit malsor të heshtur. “Zoti nuk na dha neve asgjë, bile as gjelbërim/vetëm gjarpërinj/dhe gurë” (R. Elsei, Word literature today, 74:4, faqe 156.)
“Mungesa e fjalës” është vëllimi i parë poetik që i kushtohet tërësisht një poeti shqiptar nga Kosova. Së bashku me botimin më të hershëm gjerman dhe përkthimin e ri anglisht Who Will Slay the Wolf, 2000 (nga R. Elsie), kjo përzgjedhje modeste do të ndihmojë tashmë Ali Podrimen dhe indirekt letërsinënë bashkëkohore kosovare të njihet më gjërë në arenen nderkombëtare
No comments:
Post a Comment