Thursday, September 28, 2006

FLETË NGA DITARI I NJË MESUESI


FLETË NGA DITARI I NJË MESUESI

(Kushtuar mësuesit tim Aleko Sima)

(botuar ne gazeten tribuna , 7 mars 2006

“Isha i etur dhe piva ujë

Në pusin e dijes,

Por etja mu shtua...”

N. Moskolio

M. Gjoka, Athinë 7 mars 2006

1. Shtatë marsi një festë popullore

E nisa këtë shkrim pikërisht më shtatë Mars 2002 me destinacion për Gazetën e Athinës të emigrantëve shqiptarë. Por sapo filloja të shkruaja ndjeva një vullkan kujtimesh që nuk më linin rehat po të mos i hidhja në letër. Dhe artikullin nuk e shkrova por kjo ishte nisma për të shkruar për kontaktet e mia me arsimin. Megjithatë duke e përtypur në mendje subjektin, koha kalonte dhe nuk po më pëlqente ajo që shkruaja. Duke shtjelluar në mendjen time këtë subjekt, hyra në një klub dhe aty u takova me një nga mësuesit e mi të shkollës së mesme Simo Ninin i cili më ftoi dhe ofroi të më qeraste si i zoti i klubit që ishte. "Sa vite u bënë qe s'të kam parë- më tha-Ja më thuaj se çfarë po bën dhe ç’ke bërë". Duke më sjellë kafenë pa dashur më shpëtoi një buzëqeshje e cila e vuri në mendime mësuesin tim që tani megjithse pensionist, ishte i detyruar të punonte në emigracion pë të jetuar. Dhe nuk ishte i vetmi. Pikërisht këtu pata shtytjen e dytë për të shkruar rreth mësuesve të mi…Në klubin tjetër, që mban emrin "Klubi i Himarës" që e kishte hapur po prapë një ish mësues, shpesh mblidheshin aq shumë ish mësues dhe Jorgua, kafetieri që disponon këtë kafene, thotë "Tani kemi mbledhjen e këshillit pedagogjik”.

Tani këta mësues që bëjnë punë të ndryshme e kujtojnë padyshim me nostalgji festën e shtatë Marsit. Festa e shtatë Marsit është një ndër festat e bukura tradicionale në Shqipëri dhe nuk është vetëm për mësuesit dhe nxënësit, por për të gjithë. Të gjithë kemi kalur prej bangave të shkollë. Kushdo duhet të mbajë mend kur ka shkuar për herë të parë në klasën e parë, i ndrojtur në fillim, gjer në 7 mars ka mundur të lexojë. Dhe në 7 Mars ka ardhur me lule në duar të cilat i ka mbledhur një ditë më parë duke shëtitur kopshteve dhe ndoshta duke gjakosur paksa duart me gjëmbaçet e gjerdheve. Dhe mësuesja ka përqafuar çdo voglush një nga një, ka marrë lulet dhe tavolina është mbushur me lule të freskëta. Kjo skenë është përsëritur çdo vit dhe në çdo brez ka lënë gjurmët e saj. Dhe vjen dita që ata nxënësit e vegjël çamarokë rriten. Ata jane bërë doktorë, mësues, inxhinjerë etj dhe në mos qofshin bërë të tillë kanë mësuar alfabetin me të cilin kanë nxënë dhe do të nxënë nga kultura e vendit dhe botërore deri sa të mbyllin sytë. Mandej ata kanë shoqëruar fëmijët e tyre në ditë të tilla të 7 Marsit, madej kanë vajtur si gjyshër. Por lumi i kohës gjithmonë e më tepër ja ka rritur bukurinë kësaj feste.

2. Festë dyfishe për mësuesit himarjotë

Për mësuesit himarjotë kjo është një ngjarje dyfish e gëzueshme: qofshin ata që janë me gjuhë amtare greke apo gjuhë amtare shqipe, kanë mbaruar universitete për gjuhë Shqipe apo gjuhë të tjera, matematikë, fizikë, gjeografi, histori etj dhe shpesh janë kthyer në Himarë pas shumë vitesh mësimdhënie në pikat më të largëta të Shqipërisë, në Tropojë, në Kukës, në Peshkopi, Librazhd, Skrapar etj. "Të urtat gjer në dhëmbje, të thjeshta gjer në madhështi" (I. Kadare) - ato, mësueset e fshatit, (unë do ta përgjithësoja këtë për çdo mësues), emëruar në fshatrat më të thella të Republikës, ndoshta janë mërzitur nga kushtet e jetesës, ndoshta nuk kanë mundur të kapërxejnë bukën e misërt që gatuhej në furrat e kooperativës dhe mbartnin në çantën e tyre veç librave dhe bukën e grurit të blerë në qytetet më të afërta. Sytë e tyre të mësuar me kaltërsinë e detit Jon, sikur vogëloheshin nga bardhësia e pambarimtë e borës gjatë dimrave që zgjasnin shumë në zonat malore ku ata ishin mësues, por kanë gjetur prehje kur ndodheshin para vocërrakëve që i shikonin në dritën e syve. Dhe çdo lloj brenge zbehej kur mësuesi udhëhiqte këta vocërrake nëpër labirintet e dijes. Mësuesit himarjotë shpesh kanë pasur fatin të nxjerrin dhe maturantët e parë në këto rrethe të largëta të Shqipërisë dhe nxënesit e tyre kanë shkuar thuajse të gjithë në shkollat e larta të vendit. Kështu ata kanë arsimuar jo vetëm fëmijët Himarjotë, por kanë rrezatur kulturën në skajet më të largëta të Shqiperisë.

3. Një vështrim i shkurtër i arsimit në Himarë

Fillimet e Sistemit arsimor në Himarë përkojnë me rilindjen Evropiane. Pikërisht në 1627 Neofit Rodhino në kuadrin e Propagandës Fide mbolli fidanet e para të arsimit në zonën e Himarës. Duke u rezistuar kohërave, sistemi arsimor arriti konsolidimin e saj në vitet e pasluftës së dytë botërore. Konvikti që mblidhte nxenës nga gjithe fshatrat e bregut, u hap dhe u mbajt me inisiativen e mësusesve dhe sidomos të drejtorit Napoleon Milo i cili e drejtoi për shumë vite këtë shkollë. Në atë konvikt me dyshekët me kashte që i sillnim që nga shtëpia, kaluan shumë breza maturantesh. Mernim me vete dhe nga një shishe vaj ulliri për ta hedhur në fasule të cilat ishin në menunë e përditëshme të guzhinës. Kur nuk ngopeshim shkonim tek rostiçeria e vogël që ndodhej afër klubit tip barake e ngritur buzë detit ose blenim nga një pesëlekshe buke dhe 5 lekë llokume. Vërtet mund të mos ngopeshim por shkolla që po konsolidohej çdo vit e më mirë na "ngopte" me botë e madhe të dijeve që na ofronte. Në vitet e para pas çlirimit ka furnizuar me studente të talentuar Universitet e vendeve lindore (Moskë, Sofje, Varshavë etj) dhe më vonë Universitetin e Tiranës dhe Institutet pedagogjike. Mjaft pedagogë në Universitetin e Tiranës shprehnin kënaqësinë e tyre për talentin e himariotëve në shkencat ekzakte dhe arsimin solid që mernin ata në shkollat e Himarës. Në vitet 1974 kur pas direktivave të qeverisë së atëherëshme, e shndëruan gjimnasin e Himarës në Shkollë bujqësore, u vu re një vakum i ndjeshëm i talenteve të Bregut të Detit në bangat e Universitetit. Me gjithë rezistencën e mësusve dhe drejtorit Napoleon Milo shkolla mori drejtimin bujqësor duke hapur perspektivë vetëm për dy tre profesione të Institutit Bujqësor të Kamëzës kurse drejtimet e tjera u eleminuan.

4. Portrete dhe vite

Sidoqofte unë pata fatin që ëndëra për tu bërë fizikant që mu ngjall që në shkollën tetëvjeçare të mos zbehej dhe në gjimnas. Në tetëvjeçare mësuesi Kelo Pani ishte ai që nxiti i pari fantazine time për fizikën gjatë kohës që përgatiteshim për një konkurs fizike në shkallë lokaliteti. Me mjetet e thjeshta laboratorike ai na riprodhronte dukuritë e shkarkimit të rrufeve (me të shtuquajturën makine e Virmshustit) dukuritë e studjuara nga Aleksandro Volta për prodhimin e rrymës elektrike nëpermjet dy pllakave bakri dhe zingu të zhytura në solucione kimike dhe dukuri të tjera mahnitëse që qëndrojnë në themel të fizikës. Kurorëzimi i punës përgatitore me një fitore spektakolare të konkursit në shkallë lokaliteti nga grupi ku bëja pjesë edhe unë ishte fillimi i një atraksioni të fuqishëm drejt fizikës. Një ekserimentues interesant në Qeparo ishte Kliu i Koste, i cili ishte elektricist në çentralin elektrik si dhe djali i tij, Petro (Niko) Kosta, shumë më i madh në moshë se unë me të cilin u ritakova në rrethana të tjera si bashkëstudent dhe më vonë në punë në Peshkopi. Eksperimente të tilla të fizikës ishin tërheqëse dhe ata apasionoheshin sikur të ishin ata të parët që i bënin këto zbulime por kishin fituar nje eksperiencë që mësuesi im nuk nguronte ta merrte. Por mësuesi ynë nuk na mësonte vetëm shkencat e natyrës.

Një herë në orën e muzikës erdhi në klasë së bashku me Spiro Gjikondin, të cilin unë e dija se merrej me kulturë. Ai ishte virtuoz në fizarmonikë dhe i ra disa melodive shumë të bukura. Më kujtohet une i kërkova të luate "hyrjen e radio- postës së muzikës popullore" dhe gëzimi im ishte i papërshkruar kur ai e luajti këtë pjesë. Edhe më vonë kur e kam dëgjuar të kënduar nga Avni Mula në teatrin e Operas dhe Baletit jam gëzuar njësoj si në atë ditë. Spiro Gjikondi që na interpretoi në atë klasën shekullore që ka të gdhendur vitin 1870, u bë emër i dashur për mua dhe më vonë, me librat që botoi të cilat ishin mjaft të "latuara" artistikisht ashtu si dhe kalldrëmet e fshatit tim nga koha, siç do të shprehej ai në njërin nga romanet e tij. Tingujt e fisarmonikës që erdhën nga kjo klasë, që një emigrant nga Qeparoi, me dhëmbje thotë në vitin 2001 "kush ma dogji shkollën mua", nuk reshtin si një refren i pafund i valëve të detit. "Demokracia e Berishës", si një tip revolucioni kinez, "kontriboi" dhe në shkollën time duke i vënë flakët e zjarrit shkollës por tingujt e fisarmonikës dhe bangat e klasës me imazhin e saj nuk do fshihet nga kujtesa jonë. Ajo, shkolla jonë e vjetër por e bukur përbri kishës, më tej shtëpia e kulturës dhe rrapi legjendar në Qafë me bustin e Persefoni Kokedhimës të punuar nga qeparotësi Ruben Varfi, mësuesi i shkollës artistike "Jordan Misja", përbëjnë imazhe që nuk zbehen nga koha. Busti vërtet as ai nuk është më, por edhe ai vazhdon të ngelet në përfytyrimin tim dhe të bashkëfshatarëve.

Portretet e të gjithë mësuseve më vinë në mend në këto çaste. Ndër ta do të kujtoja normalistin Pano Meniko dhe Thoma Pali (që nuk është më në gjirin tonë), Aleko Sima, mësuesi i letërsisë i cili u nda nga gjiri jonë shumë shpejt. Do të kujtoja matematicienin e rreptë Gogo Vasilin, Eduard Rrexho gjithashtu matematicien, Mihal Nasho mësuesin e rusishtes, Sadije Gjika mësuesja që i jepte hijeshi orës së matematikës, dhe në veçanti mësuesin e fizikës, Vasil Menikon i cili ma kultivoi deri në mbarim të shkollës së mesme filizën e dashurisë së sapolindur për tu bërë fizikant.

...Me të vërtetë mësuesat tanë e kryen misionin e tyre. Mjaft prej tyre ndodhen në emigracion dhe janë përshtatur në kushtet e reja të jetesës. Por me gjithë gravitetin e fuqishëm që çorientoi profesionalisht mësuesit, ata do të vazhdojnë të ngelen të tillë në kujtesën tonë dhe padyshim 7 Marsi do te ngelet festa e tyre dhe jona më e bukur që simbolizon progresin.

5. Aleko Sima dhe konkurset letrare të ekipit himarjot

Konvikti i shkollës së Himarës ishte si një akademi e vogël. Lexoja me etje dhe shkëmbeja së bashku dhe me koviktorë të tjerë çdo libër me kuriozitete shkencore dhe çdo biografi shkencëtari që dilte në librari. Dalja e revistës “Shkenca dhe Jeta” (dhjetor 1968) numrin e parë të së cilës e morra sa doli, ishte nga ngjarjet më të bukura në atë kohë. Ishte viti 1968, pikërisht kur këmba e kozmonautit kishte shkelur në truallin e Hënës dhe në këtë revistë përshkrueshin me hollësi kjo arritje teknologjike. Kjo më shtyti të lexoj Astronominë shumë më përpara se sa të vinte matura (viti i fundit) dhe të mësoj ligjet e Keplerit, rreth yllësive, Yllit polar, Arushës se madhe dhe të vogël dhe konstelacioneve të tjera të cilat i sodisnim nga oborri i konviktit.

Një impuls të fuqishëm që na jepte mundësi të krahësoheshim me shkollat e tjera të rrethit të Vlorës ishin konkurset letrare, ku pata rastin të merrja pjesë në disa prej tyre dhe ku ekipi i Himarës kishte zënë vend të parë në të gjitha konkurimet. Une isha ende në klasën e dhjetë (viti i dytë i shkollës së mesme) dhe mësusesi i letërsisë Aleko Sima më inkuadroi në ekipin përfaqesues të Himarës që do të konkuronte për njohjen e figurave të rilindjes shqiptare. Veç meje ishte në ekip dhe Shpresa Koleka nga Vunoi, bashkënxënëse si dhe maturantët Petraq Koka, Vasil Marku nga Dhërmiu, Dhimitër Zoto nga Himara të cilët ishin nga nxënesit më të talentuar që kanë kaluar në bangat e gjimnazit të Himarës. E kishim studjuar mirë gjithë krijimtarinë e Rilindjes Shqiptare, por si nxënës të vitit të dytë të shkollës së mesme ende e ndjenim veten inferiorë para maturantëve. Por rasti e solli që juria të drejtonte një pyetje interesante që për mua nuk përbente ndonjë enigmë: cili rilindas ka shkruar një poemë që përkon me një prej titujve të librave të Ismail Kadaresë. Ishte fjala për vëllimin e tij të pare me poezi “Ëndërimet” e cila kishte të njëjtin titull, me një prej vjershave të Naim Frashërit të cilin ai e kish botuar në greqisht. Ishte dhe një pyetje tjetër nga juria që na dha mundësinë të shfaqnim superioritetin tonë si ekip. Kërkohej titulli i një prej poezive të shkruar nga Naim Frasheri në greqisht. Nga ekipi i “Ali Demit” me te cilin u ndeshëm nuk ishte e lehtë për tu mbajtur mend të tilla gjëra. Vasil Marko, shkencëtari ynë i ekipit nuk nguroi të japë menjëherë titullin, por atë e kundërshtoi një nga ekipi i “Ali Demit”. Atëhere Vasili e tha titullin edhe në greqisht “O alithinos pothos ton albanon”-dëshira e vërtetë e shqipëtarëve. Poezinë e Naim Frashërit pata rastin ta lexoja shumë vite më vonë në greqisht, në një libër që Llambro Mallama, (një epirot i shquar, autor i mbi 70 librave historike, letrare, kritike) i prezantonte publikut grek kronologjinë e zhvillimit të letersisë shqiptare nga 1500 gjer në 1985. Poezia ishte e përshtatur në gjuhën e sotme greke sepse Naim Frashëri e ka shkruar në gjuhën greke “katharevusa”.

...Ekipi ynë atëhere la mbresa shumë të mira dhe kjo padyshim në sajë të punës së Aleko Simës i cili na krasiste prirjet tona poetike ashtu si kopështari një bime të re që do ti jepte asaj një harlisje të dendur në vitet e mëpasme. Stili i mësuesit tonë, aspak urdhërues por me një butësi të madhe dhe ironi që stigmatizonte prapësitë e ndonjerit shumë më tepër se sa të bërtiturat ishte mjaft i njohur. Njëherë pata rastin ta vija në një vështirësi të madhe. Ndërkohë që po përgatiteshim për një konkurs letrar, isha zgjedhur si delegat në Kongresin e 6 të rinisë. Pjesëmarrja në kongres për mua ishte një kënaqësi shumë madhe sepse me jepte rastin që të delja nga jetesa provinciale në Himarë në kryeqytet dhe në Durrës ku u zhvillua kongresi prandaj ju luta mësuesit të mos më fuste në ekip, por ai nguli këmbë që të merrja pjesë. Dita e parë e konkursit konçidoi me kthimin tim nga Kongresi.

Për disa arsye personale unë mbrita vetëm një orë para konkursit duke i vënë në hall shokët e mi të cilët kishin krijuar një besim hyperbolik tek unë dhe nuk donin të paraqiteshin në konkurs pa praninë time. Sapo mbriti autobuzi, duke mos gjetur fjalë për tu shfajsuar, u afrova në hotel Sazani, ku gjeta shokët e ekipit në hotel. E para me vuri re Katerina Zoto (me Katerinën më vonë ishim dhe në një fakultet) dhe pastaj Vasil Gjoka (i cili u nda gjyri ynë pikërisht në intervalin kohor që unë fillova të shkruaj këto rradhë). Mësuesi me një dozë shumë të lehtë qortimi më tha "ku humbe". Shume vite më vonë si mësues e kuptova që nuk do te mund të përmbahesha kaq mirë ndaj neglizhencës së nxënësve të mi.

6. Vizita personalitetesh në gjimnazin e Himarës

Me Aleko Simën më lidhin dhe të tjera ngjarje por shënoj se orët e referateve, në të cilat diskutonim librat nga autorë shqiptarë, ashtu si dhe ato të hartimeve, ishin orët më tërheqëse për mua. Lexoja kritikat letrare në gazetën Drita, e vetmja gazetë që nuk mu mërzit kurrë e cila më ndihmoi të formoja mendimin tim për letërsinë dhe artet. Në një nga këto orë letrare qëlloi që një personalitet, i vetmi personalitet i rangut të lartë që ka ardhur në shkollën tonë sa kohë isha nxënës unë, ishte sekretari i parë i rrethit Gaqo Nesho. Ai asistoi në orën e letërsisë, kur po diskutonim romanin e Petro Markos "Ara në Mal". Kisha përgatitur një referat dhe mësuesi Aleko Sima më ngriti në dërrasë për ta lexuar.

Nëpërmjet shtypit u informava se presidenti i Republikës R. Mejdani bëri një vizitë në shkollën time në 7-mars (2002), në përvjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe. Për himarjotin shkolla në vetevete ishte e hapur shumë më herët dhe në periudhën e kohës së re daton, siç e përmendëm më lart në vitin 1626 me murgun erudit qipriot të fesë katolike, Neofitos Rodhinos. Dhe vetë hapja e shkollës shqipe në dhjetor të 1921 duke mbyllur dhe kufizuar atë greqishte që kishte krijuar traditë në Himarë, u shoqërua me një konflikt sidomos tek himarjotët, dhërminjasit dhe palasikotët i cili vajti gjer në Hagë, gjykata e së cilës imponoi qeverinë shqiptare në 1936 të mos pengojë arsimin e fëmijëve himarjotë në gjuhën amtare, vendim që filloi të realizohej vetëm në 1938. Mbas çlirimit u eleminuan krejt edhe ato orë greqishte duke vështirësuar pa masë arsimimin e fëmijëve në gjuhën e tyre amtare.

Në 1981 u mbajt në Himarë një konferencë për arsimin në të cilën u ftova për të marrë pjesë, si mësues tashmë. Merrte pjesë dhe zv. ministri i arsimit Anastas Kondo. Referatin kryesor e mbajti Andrea Varfi i cili ishte dhe biri i një nga mësuesve të parë të arsimit shqip në bregdet, Epaminonda Varfit. Por studimi historik i tij ishte i vështirë për tu ndjekur me vëmendje në një ceremoni të tillë gjer në fund dhe pas dy orësh leximi ishim dhe ne pjesëmarësit të lodhur dhe vetë Andrea. Tani mbaj mend se referati i tij fliste per Labo-Himarjotët. Kurse kumtesa të shkurtëra të mësuesve të shkollave i bënin jehonë traditave arsimore të cilat duke konsideruar vetëm ato në gjuhen shqipe ishin jo të plota dhe dukej sikur krahina e Himarës ishte nga më të vonëshmet në zhvillimin arsimor në se konsiderojmë se në dhjetor 1921 u hapën shkolla e para shqipe në Himarë. Anastas Kondo reagoi ndaj euforisë së këtyre referateve dhe vetëm kur një mësues nga Dhërmiu kumtoi se arsimi në Dhërmi i kishte fillimet katër shekuj më parë, ai u çel dhe e përgëzoi kumtuesin.

Kështu vajtja e presidentit në kontekst historik nuk kish ndonjë domethënie për himarjotin veç i sillte ndërmend luftën e tij të pafund për mbijetesë. Por unë personalisht zanafillën e zhvillimit tim intelektual e pata pikërisht nga këto shkolla me gjithë kufizimet ideore që më fitepsën që në moshë të vogël por që koha dalngadalë i avulloi. Prandaj më erdhi mirë që pranë atyre bangave, ku unë dhe qindra të tjerë morrën deftesën e pjekurisë, shkoi z. Rexhep Meidani. Me z. Mejdani më lidhin dhe kujtime të tjera duke qenë se e kam pasë dhe pedagog në studimet pasuniversitare në Shkencat e Natyrës në Tiranë dhe koleg në kuadrin e një projekti kërkimor. Konçidoi që në ato ditë ime bijë më dhuroi një libër të nobelistit Paul Dirak, një nga figurat e shquara të fizikës. Çdo vit nxënësit e mi më dhuronin libra në kuadrin e 7 Marsit-mu duk se kjo dhuratë me plotësoi një pjesë të boshllëkut të krijuar nga ushtrimi pjesërisht i profesionit të mësuesit në Greqi. Duke shfletuar këtë liber gjeta disa pjesë mbi Teorinë e Fushës që kishte mjaft ngjashmëri me atë që prezantohet në librin e profesor Rexhepit "Mbi lëvizjen fizike" libër për të cilin pata rastin të isha reçezent gjatë diskutimit të tij në Institutin e Studimeve Pedagogjike në 1985...

7. Zhurma e shtypit shqiptar për hapjen e një shkolle private në Himarë

E ndonse mësuesit himarjotë kanë mësuar në gjithë skajet e Shqipërisë, ata vetë ndodhen në një pozitë të pafavorëshme: fëmijët e tyre nuk mund të mësojnë në shkollë gjuhën që flasin në familje ndonse kanë kërkuar vazhdimisht që fëmijët e tyre të arsimohen edhe në greqisht. Kërkesa e tyre vazhdimisht ka rënë në vesh të shurdhër. Në kuadrin e përpjekjes së qeverisë shqiptare për t’ju afruar familjes europiane duket se kjo çështje po fillon të gjejë rrugëzgjidhje. Por ndërkaq sistemi ideologjik që mbizotëron në disa qarqe shqiptare është i papërgatitur për këtë stad të ri siç dëshmojnë artikujt e fundit të disa gazetave shqiptare. Biles dhe studime akademikësh shqiptarë “argumentojnë” se gjuha greqishte në tre qendra, Himarë, Dhërmi, Palasë është “importuar” si gjuhë e dytë për shkak të mardhënieve tregëtare dhe një version më i ri i servirur nga K. Frashëri (Bisedë me historianët grekë-f. 6 e dorëshkrimit të publikuar në internet) importimi i gjuhës i detyrohet largimeve masive drejt ishujve përballë dhe mandej rikthimit të tyre. Dhe sipas tyre në fillim të 1800 aty nuk flitej fare greqisht. Të dy këto hipoteza janë pa baza sepse tregëtia nuk ishte profesion vetëm i Himarës Dhërmiut dhe Palasës por edhe i fshatrave të tjerë. Gjithashtu të dhënat dokumentare flasin se largimi drejt ishujve për tu shpëtuar inkursioneve turke ishte një soj i mundshëm edhe për Qeparoin dhe Vunoin. Konkluzioni i disa studjuesve është se gjuha kryesore në Himarë, Dhërmi e Palasë është shqipja dhe gjuhë e dytë greqishtja ndonse jo të gjithë flasin greqisht (K. Frashëri). Në një studim gjuhësor të akademikut Shaban Demiraj (Himara në shekuj, f 240) nuk merr fare në konsideratë toponiminë e Himarës që dëshmon për një prani të hershme të popullsisë greqishtfolëse në Himarë.

Himarjotët në një masë të konsiderueshme i quajnë studimet e më sipërme si të pabaza dhe të shkruar me përgjegjësi jashtëshkencore. Por pavarësisht se qëkur është folur greqisht në Himarë të gjthë bien dakord se gjatë shekullit të njëzetë e kanë folur këtë gjuhë. Ndërkaq ka dhe nacionalistë të shquar shqiptarë që e kanë pranuar si një fakt të pakundërshtueshëm që në zonën e Himarës ka një masë greqishtfolëse që shtrihet në kohë sado e lashtë të jetë ajo (Eqerem bej Vlora-Kujtime 1885-1925) dhe që sipas tij himarjotët “qortohen se janë më grekë se vetë grekët”(po aty f. 192).

Ndërkombëtarizimi i çështjes himarjote gjatë periudhave të zgjedhjeve ka sjellë si pasojë një ndryshim të taktikës së qeverisë ndaj Himarës. Kështu ndonse himarjotët kërkojnë përfshirjen e arsimimit greqisht në shkollat publike, pikatorja e qeverisë shqiptare u hap për të lejuar një shkollë private ku do të mësohet dhe greqisht. Ndërkohë që prej kohësh në Tiranë është hapur një shkollë turke, ndonse nuk ka asnjë popullsi turqishtfolëse në Tiranë dhe Turqia nuk ka qenë kurrë model për iluminizmin siç ka qenë dhe është kultura greke. Pikërisht kjo “dhuratë” riaktivizoi disa ekstremiste shqiptarë të inkuaruar në shoqatën “Labëria”, “Petro Marko” etj të cilët i dërgojnë një letër proteste presidentit që të mos lejohet një shkollë e tillë private në Himarë duke na kujtuar me këtë akt absurd Donkishotin kundër mullinjve të erës.

Megjithë kontaktet me Labërinë, Himara është bashkësi etnografike më vete siç e pranon dhe K. Frashëri në studimin e cituar, ka një konstitucion të dallueshëm fetar, shpirtëror e kulturor me të dhe as që i bie në pjesë asaj shoqate të prononcohet për Himarën. Nqs do të ishte siç përpiqen ata të argumentojnë që Himara nuk ka asnjë lidhje me kulturën greke, atëhere askush nuk do dërgojë fëmijët e tyre në këto shkolla. Eksperimenti klasik është mësimi i gjuhës ruse në Himarë për 8 vite të ciklit mësimor gjate rreth 40 viteve. Kush arriti të flasë rusisht pa le më të bëhet rus! Pra po të jetë e vërteta me ta, edhe dështimi i arsimimit në greqisht është i sigurt.

Prandaj zotërinjtë e shoqatave jo himarjote do të ishte më e arsyeshme të sëkëlldisen për problemet e zonave të tyre se sa të qanë hallet e botës. Modelet europiane duhet të jenë shembëlltyra për gjykimin e problemeve të tilla. Psh në Zvizër fëmijët arsimohen sipas kantoneve në gjermanisht, frengjisht apo italisht (dhe bile në një gjuhë të katërt romane që e flet më pak se 1% e popullsisë) dhe kjo nuk ka qenë ndonjëherë burim destabiliteti, përkundrazi mohimi i të drejtave elementare për arsim në gjuhën amtare shërben si një shkak i tillë.

No comments: